Dr. Fahredin Hoti – nga misioni i shpëtimit të jetës te sakrifica për lirinë e brezave

29 nëntor 2026 | 21:47

Në figurën e Dr. Fahredin Hotit bashkohen tri dimensione fisnike: dija e intelektualit, humanizmi i mjekut dhe sakrifica e atdhetarit.

Sylë Ukshini
Të nderuar anëtarë të familjes së dëshmorit,

Të nderuar autorë të veprës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Ka një simbolikë të thellë njerëzore dhe historike në faktin se sot jemi mbledhur për të nderuar një njeri, i cili kishte zgjedhur si profesion shpëtimin e jetës, por që në një moment vendimtar të historisë sonë dha jetën e vet, në mënyrë që brezat e ardhshëm të jetonin të lirë. Pikërisht në këtë ndërthurje ndërmjet misionit të mjekut dhe sakrificës së atdhetarit qëndron madhështia e figurës së Dr. Fahredin Hotit. Nëse mjekësia është në shërbim të jetës së njeriut, sakrifica e tij ishte në shërbim të jetës dhe të së ardhmes së një populli.

Në figurën e Dr. Fahredin Hotit bashkohen tri dimensione fisnike: dija e intelektualit, humanizmi i mjekut dhe sakrifica e atdhetarit. Dija i dha mundësinë t’i shërbente njeriut, humanizmi i dha forcën morale për të mos e braktisur popullin në ditët e tij më të vështira, ndërsa atdhedashuria e bëri atë pjesë të historisë së lirisë së Kosovës. Pikërisht kjo ndërthurje e bën figurën e tij një model frymëzimi dhe përgjegjësie morale për brezat e ardhshëm.
Por simbolika e kësaj ngjarjeje bëhet edhe më e thellë kur kujtojmë se tragjedia e familjes Hoti nuk përfundoi me vrasjen e doktorit. Në marsin e vitit 1999, dhuna e forcave serbe mori jetën e tre brezave të kësaj familjeje: të Dr. Fahredin Hotit, të djalit të tij 14-vjeçar, Kreshnikut, dhe të babait të tij 67-vjeçar, Shemsedin Hotit, i cili, si pasojë e dhunës dhe plagëve të marra, ndërroi jetë në Morinë, gjatë rrugës së dëbimit drejt Shqipërisë.
Brenda pak ditësh, një familje humbi tri breza: gjyshin, që përfaqësonte kujtesën dhe përvojën e së kaluarës; babanë, që përfaqësonte dijen, humanizmin dhe përgjegjësinë e së tashmes; dhe fëmijën, që mishëronte shpresën dhe ëndrrën e së ardhmes. Në këtë tragjedi familjare pasqyrohet një pjesë e tragjedisë së madhe historike të popullit të Kosovës.
Tre breza që nuk patën mundësinë ta përjetonin lirinë na obligojnë ne, brezave që jetojmë në liri, të mos lejojmë që kujtimi i tyre të shuhet. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia historike dhe morale e veprës që përurojmë sot. Ajo nuk është vetëm një libër për një mjek dhe një dëshmor, por edhe një dëshmi për çmimin njerëzor të lirisë së Kosovës dhe një amanet i kujtesës historike për brezat që do të vijnë.

Kujtesa historike për Luftën Çlirimtare të UÇK-së
Për ta kuptuar drejt rëndësinë historike të UÇK-së, duhet të kthehemi te një moment vendimtar i historisë së fundit të shekullit XX: Konferenca e Dejtonit, në vitin 1995. Në një kohë kur po rikonfigurohej rendi politik dhe i sigurisë në Ballkan, Kosova mbeti jashtë tryezës së negociatave. Ajo u trajtua si një çështje e lënë mënjanë, si një fëmijë jetim i diplomacisë ndërkombëtare. Ndërsa për Bosnjën po kërkohej një zgjidhje politike, për Kosovën nuk kishte asnjë perspektivë konkrete për zgjidhjen e çështjes së saj.
Ky përjashtim nuk ishte vetëm një padrejtësi diplomatike. Ai shënoi edhe një pikë kthese në vetëdijen politike shqiptare: bindjen se liria dhe e drejta për vetëvendosje nuk mund të mbeteshin peng i pritjes së pafundme dhe i kalkulimeve të diplomacisë ndërkombëtare. Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel, në librin e tyre Në pasqyrën e luftës: Reflektime mbi luftën e Kosovës, vërejnë se marrëveshja e Dejtonit, duke e lënë jashtë statusin e Kosovës, forcoi njëkohësisht pozitën ndërkombëtare të Millosheviqit si bashkëbisedues diplomatik dhe ndjenjën e braktisjes ndër shqiptarët e Kosovës. Autorët e lidhin thellimin e radikalizimit edhe me brezin e ri, të formuar në kushtet e institucioneve paralele, i cili përjetonte drejtpërdrejt poshtërimin dhe represionin serb.¹
Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe lindja dhe zhvillimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Studiuesi gjerman Jens Reuter e ka lidhur këtë moment historik me shfaqjen e UÇK-së. Ishte pikërisht konteksti i përjashtimit politik dhe i mungesës së një perspektive ndërkombëtare që e bëri gjithnjë e më të qartë nevojën për një organizim të ri të rezistencës shqiptare.
Siç evidentohet edhe në literaturën e kohës, pas Dejtonit u thellua bindja se kërkesat paqësore të shqiptarëve të Kosovës nuk po prodhonin rezultatet e pritshme, ndërsa politika e represionit serb vazhdonte. Në këto rrethana, zhvillimi i rezistencës së armatosur nuk mund të analizohet si një dukuri e shkëputur nga historia e mëparshme, por si pjesë e një procesi të gjatë shtypjeje, përjashtimi politik dhe zhgënjimi me diplomacinë ndërkombëtare.
Megjithatë, historia e rezistencës shqiptare nuk mund të reduktohet në një kundërvënie të thjeshtë ndërmjet rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur. Këto dy forma të veprimit politik u zhvilluan në rrethana të ndryshme, por brenda së njëjtës përpjekje historike për liri dhe vetëvendosje. Edhe pse ndërmjet përfaqësuesve të tyre ekzistonin dallime dhe përplasje politike, zhvillimet e viteve 1998–1999 dëshmuan se kufijtë ndërmjet këtyre orientimeve nuk ishin gjithmonë të prerë. Pjesëtarë dhe mbështetës të lëvizjes paqësore iu bashkuan rezistencës së armatosur, ndërsa përpjekjet për përfaqësim të përbashkët politik vazhduan edhe gjatë procesit të Rambujesë.
Edhe brenda LDK-së, sipas Brossat dhe Potel, bashkëjetonin qëndrime të ndryshme mbi ritmin dhe format e rezistencës. Me thellimin e krizës, kufijtë ndërmjet orientimeve politike u bënë më të lëvizshëm. Sulmi i forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, në mars 1998, dhe operacionet e mëvonshme represive në Drenicë shënuan një pikë kthese në mobilizimin shoqëror në mbështetje të rezistencës së armatosur.²
Prandaj, detyra e historiografisë nuk është të ndërtojë hierarki përjashtuese ndërmjet formave të rezistencës, por të shpjegojë kontributin, kufizimet dhe ndërveprimin e tyre në procesin historik që çoi drejt çlirimit të Kosovës.
Në vlerësimin tim, UÇK-ja përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të lëvizjes kombëtare shqiptare që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ajo kontribuoi në ndryshimin e statusit politik të Kosovës dhe në krijimin e kushteve historike për shtetësinë e saj. Ky vlerësim mbështetet në tri dimensione thelbësore.
Së pari, sepse UÇK-ja kontribuoi në shndërrimin e çështjes së Kosovës nga një çështje e rezistencës dhe e kërkesave politike shqiptare në një çështje të sigurisë dhe të përgjegjësisë ndërkombëtare. Ajo ndikoi që Kosova të mos mbetej më një çështje periferike e diplomacisë evropiane, por të bëhej pjesë e agjendës së fuqive kryesore perëndimore dhe të NATO-s. Kontaktet e diplomatëve amerikanë, përfshirë Richard Holbrooke-un, me përfaqësues të UÇK-së gjatë vitit 1998 dhe pjesëmarrja e saj në delegacionin shqiptar në Rambuje më 1999 dëshmojnë kalimin gradual të kësaj lëvizjeje në një faktor që duhej marrë parasysh edhe në negociatat ndërkombëtare. Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel e lidhin këtë ndryshim me zhvillimet në terren dhe me krizën humanitare, jo thjesht me një vendim të izoluar diplomatik.³ Kulmi i procesit më të gjerë ndërkombëtar ishte ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e cila i dha fund sundimit represiv serb dhe krijoi kushtet për çlirimin e Kosovës.
Së dyti, UÇK-ja ishte një projekt që kapërceu kufijtë e ngushtë territorialë dhe politikë. Ajo mobilizoi shqiptarët nga hapësira të ndryshme shqiptare, si dhe diasporën shqiptare. Në një shkallë të jashtëzakonshme, energjia kombëtare, mbështetja politike, solidariteti shoqëror dhe kontributi i diasporës u orientuan drejt një objektivi të përbashkët: çlirimit të Kosovës. Kjo nuk nënkuptonte njëtrajtshmëri ideologjike: sipas Brossat dhe Potel, UÇK-ja përfshinte grupe e individë me prejardhje dhe bindje të ndryshme, të bashkuar rreth synimeve të çlirimit dhe pavarësisë. Pas luftës, çmobilizimi formal i saj dhe kalimi i një pjese të pjesëtarëve në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe në jetën civile treguan se sfida e rezistencës u pasua nga ajo e ndërtimit institucional.⁴
Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm historik. Mobilizimi i shqiptarëve nga hapësira të ndryshme nuk duhet ngatërruar automatikisht me një projekt për krijimin e një shteti monoetnik. Siç evidentohet edhe në literaturën kritike të kohës, objektivi i deklaruar politik i UÇK-së ishte çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Pretendimet që e paraqisnin atë domosdoshmërisht si instrument të një projekti për Shqipërinë e Madhe nuk mbështeteshin në deklaratat zyrtare të shqyrtuara nga Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel në librin e tyre Në pasqyrën e luftës: Reflektime mbi luftën e Kosovës.
Ky dallim është thelbësor për historiografinë, sepse historia e një lëvizjeje nuk mund të shkruhet vetëm mbi bazën e perceptimeve të kundërshtarëve të saj, por duhet të mbështetet në dokumentet programore, deklaratat publike dhe veprimtarinë konkrete politike e ushtarake.
Së treti, UÇK-ja dha kontribut të rëndësishëm në krijimin e kushteve historike për shtetësinë e Kosovës. Rezistenca e saj, krahas veprimit politik shqiptar dhe ndërhyrjes vendimtare ndërkombëtare, ndikoi në përfundimin e sundimit represiv serb dhe në vendosjen e një administrimi ndërkombëtar në vitin 1999. Kjo hapi një etapë të re: kalimin nga lufta për çlirim te ndërtimi i institucioneve dhe, më vonë, shpallja e pavarësisë në vitin 2008. UÇK-ja nuk e krijoi e vetme shtetin e Kosovës, por ishte një ndër faktorët historikë që e bënë të mundur këtë zhvillim.
Pikërisht këtu qëndron edhe një nga arsyet pse UÇK-ja vazhdon të jetë objekt i sulmeve politike dhe propagandistike nga Beogradi. Për projektin politik hegjemonist serb, UÇK-ja nuk ishte thjesht një kundërshtar ushtarak. Ajo përfaqësonte një sfidë vendimtare ndaj politikës së mbajtjes së Kosovës nën kontrollin e Serbisë, politikë që duhet shqyrtuar edhe në kontekstin e traditave më të gjata të nacionalizmit dhe ekspansionizmit serb, përfshirë projektin e njohur si Načertanije të Ilija Garašaninit.
Me çlirimin e Kosovës, politika e sundimit serb mbi Kosovën pësoi një goditje strategjike vendimtare. Prandaj, përpjekjet për ta delegjitimuar UÇK-në shpesh ndërthuren me përpjekjet për ta relativizuar karakterin çlirimtar të luftës dhe për ta kontestuar kuptimin historik të vitit 1999.
Përpjekjet për ta delegjitimuar UÇK-në nuk nisën pas luftës. Që në vitet 1998–1999, disa komentues perëndimorë e paraqitnin atë përmes etiketave ideologjike ose akuzave të përgjithësuara, pa dalluar gjithmonë mes pretendimeve, fakteve të dokumentuara dhe karakterit të larmishëm të lëvizjes.
Në kapitullin “Rezistencat”, Brossat dhe Potel i shqyrtojnë në mënyrë kritike këto interpretime dhe tërheqin vëmendjen te kompleksiteti i shoqërisë kosovare dhe rrethanat e represionit serb. Kjo na kujton se vlerësimi historik nuk mund të mbështetet në etiketime, por kërkon shqyrtim të burimeve dhe të veprimtarisë konkrete.
Kjo dëshmi është domethënëse, sepse tregon se lufta e Kosovës nuk u zhvillua vetëm në terrenin ushtarak dhe diplomatik, por edhe në atë të përfaqësimit publik dhe të interpretimit historik. Në këtë kuptim, historia e UÇK-së është përballur që nga fillimi me narrativa konkurruese, me interpretime ideologjike dhe me përpjekje për ta përcaktuar nga jashtë karakterin e saj.
Përgjigjja më e qëndrueshme ndaj interpretimeve të njëanshme nuk është retorika politike, por hulumtimi shkencor, dokumentimi dhe ballafaqimi kritik i burimeve historike. Kjo nënkupton jo vetëm kundërshtimin e pretendimeve të pambështetura, por edhe shqyrtimin me përgjegjësi të çdo dëshmie dhe fakti, pa paragjykime dhe pa përgjithësime kolektive.
Gazetari dhe studiuesi britanik Tim Judah e ka cilësuar UÇK-në si një nga lëvizjet guerile më të suksesshme të periudhës pas Luftës së Ftohtë. Ky vlerësim ka rëndësi jo vetëm në planin ushtarak: ai na fton të shqyrtojmë ndikimin politik dhe historik të një lëvizjeje që ndihmoi të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë.
Të nderuar të pranishëm,
Sot, kur flasim për kujtesën historike, nuk mjafton të përkujtojmë ngjarjet dhe sakrificat. Duhet t’i dokumentojmë, t’i studiojmë me përgjegjësi dhe t’ua përcjellim brezave të rinj pa i shkëputur nga rrethanat historike.
Kujtesa për UÇK-në duhet të jetë njëkohësisht njerëzore, dokumentare dhe institucionale. Ajo mbështetet në dëshmitë e atyre që e përjetuan luftën, në dokumente, arkiva dhe hulumtime shkencore.
Na nevojiten më shumë studime të mbështetura në dokumentet diplomatike perëndimore, arkivat ndërkombëtare dhe burimet e kohës. Vetëm një historiografi që ballafaqon dëshmitë dhe interpretimet mund të shmangë ndarjet partiake dhe përgjithësimet e njëanshme.
Brezat e rinj duhet ta kuptojnë se liria e Kosovës nuk ishte një dhuratë e historisë dhe as një zhvillim i rastësishëm diplomatik. Ajo ishte rezultat i një procesi të gjatë të rezistencës politike dhe kombëtare, i sakrificës njerëzore, i organizimit të rezistencës së armatosur dhe i mbështetjes vendimtare ndërkombëtare.
Ata duhet të kuptojnë se UÇK-ja nuk ishte vetëm organizim ushtarak, por edhe shprehje e një vullneti politik për liri, dinjitet dhe vetëvendosje.
Përgjegjësia jonë ndaj brezave të ardhshëm fillon në shkollë dhe vazhdon në universitet, në institucionet shkencore, në arkiva dhe në hapësirën publike. Historia e Luftës Çlirimtare nuk duhet të përcillet vetëm përmes ceremonive, por edhe përmes teksteve mësimore të mbështetura në burime të verifikueshme, studimeve kritike dhe dokumentimit sistematik të dëshmive. Brezat e rinj duhet të mësojnë jo vetëm se kush luftoi dhe kush sakrifikoi, por edhe përse ndodhi lufta, cilat rrethana e shkaktuan dhe çfarë përgjegjësish burojnë nga liria e fituar. Vetëm një kujtesë e mbështetur në dije mund t’i rezistojë harresës dhe instrumentalizimit politik të historisë.
Ruajtja e kësaj kujtese është përgjegjësi ndaj dëshmorëve, familjeve të tyre, të mbijetuarve dhe brezave që do të vijnë. Një popull që nuk e dokumenton historinë e vet rrezikon që interpretimin e saj t’ua lërë të tjerëve.
UÇK-ja është pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare dhe e themelit historik të shtetësisë së Kosovës. Por historia e Luftës Çlirimtare nuk është pronë e asnjë partie, e asnjë grupi politik dhe e asnjë brezi të vetëm. Ajo është pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët.
Prandaj, përgjegjësia jonë nuk është vetëm ta nderojmë sakrificën për liri, por edhe të sigurohemi që brezat e ardhshëm ta njohin këtë histori në mënyrë të plotë, të dokumentuar dhe të argumentuar shkencërisht. Kujtesa historike nuk mbrohet duke e përjashtuar historinë nga shqyrtimi kritik, por duke e mbështetur atë në fakte dhe dëshmi.
Ta ruajmë këtë kujtesë, ta studiojmë dhe ta përcjellim me përgjegjësi. Sepse kujtesa nuk është vetëm mënyra se si e nderojmë të kaluarën; ajo është edhe mënyra se si e ndërtojmë të ardhmen.
Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Fahredin Hotit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
Ju faleminderit!

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur në para pak minutash në…