Në Podujevë hapet ekspozita përkujtimore kushtuar Bajrush Behramit, Bajrush Xhemaili rrëfen kujtimet nga burgu

27 nëntor 2026 | 22:53

Në Podujevë është hapur sonte Ekspozita Personale Përkujtimore kushtuar jetës, veprës dhe kontributit atdhetar e artistik të Bajrush Behramit, veprimtarit të çështjes kombëtare, ish-të burgosurit politik dhe piktorit që la gjurmë të rëndësishme në jetën shoqërore e kulturore të Llapit dhe Kosovës.

Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë familjarë, bashkëveprimtarë, miq dhe dashamirë të veprës së tij, të cilët u mblodhën për të nderuar kujtimin dhe kontributin e Behramit.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ish-i burgosuri politik Bajrush Xhemaili, i cili mbajti një fjalë rasti, duke ndarë kujtime personale nga koha kur kishte vuajtur burgun së bashku me Bajrush Behramin.

Në fjalimin e tij, Xhemaili rrëfeu për miqësinë e krijuar në rrethana të vështira të burgut, qëndresën e Behramit, karakterin e tij njerëzor, përkushtimin ndaj leximit, debatit dhe pasionin për artin pamor.

Ai kujtoi edhe periudhën e izolimit në burgun e Pozharevcit, ku Behrami, pavarësisht kushteve të rënda, vazhdonte të pikturonte dhe të shprehte botën e tij artistike.

Një nga kujtimet që Xhemaili veçoi ishte piktura e anijes së Noes, të cilën Behrami e kishte realizuar me ngjyra tempera gjatë qëndrimit në burg.

Në përfundim, Xhemaili shprehu mirënjohje për organizatorët e ekspozitës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për njerëzit që me jetën dhe veprën e tyre kontribuuan për lirinë, dinjitetin dhe kulturën shqiptare.

Më poshtë, fjala e plotë e Bajrush Xhemailit:

Bajrush Xhemaili: Kujtimet për Bajrush Behramin, për jetën dhe veprën e tij do të jenë të paharrueshme!

E nderuara bashkëshorte e Bajrushit, Gylten, vajzat Dalmana, Olsa dhe Arila, i dashur Dastid,

Të nderuar familjarë të Bajrushit,

Të nderuar bashkëveprimtarë e miq të Bajrush Beharamit,

Të nderuar të pranishëm,

Sot jemi mbledhur për të nderuar kujtimin e një atdhetari të devotshëm, i cili la gjurmë të pashlyeshme, jo vetëm në jetën e atyre që patën fatin ta njohin, por edhe si atdhetar për çlirim e shtetndërtim, si dhe si njeri i artit e i kulturës.

Për jetën dhe veprimtarinë e tij është folur dhe do të flitet, sepse ka shumëçka për të thënë, por unë do të mundohem të ndaj diçka nga kujtimet e mia, se si e njoha Bajrushin.

Burgu, nga shumë të këqija që kishte, padyshim kishte edhe një të mirë të madhe: na bashkoi nga të gjitha viset e trojeve shqiptare. Ashtu së bashku ishim më të fortë, kishim mundësi të bashkëbisedonim e të debatonim, të unifikonim mendimet dhe të ngriteshim teorikisht, ta forconim idealin për liri, për të dalë më të fortë e më të përgatitur për luftën që na priste pas daljes nga burgu.

Aty më ra fati i mirë ta takoja edhe emnakun tim, Bajrush Behramin, të cilin e thërrisnim me emrin përkëdhelës Bal. Na rastisi që, bashkë me të, të ishim edhe në rrethana të rënda izolimi, madje për një kohë të gjatë, bashkë me Shemsi Veselin dhe Rifat Kafexhollin.

Burgu është një vend ku njeriu sprovohet deri në kufijtë e qëndresës. Aty koha ecën ndryshe, malli bëhet më i rëndë, nganjëherë heshtja flet më shumë se fjalët dhe shoqëria e një njeriu merr një vlerë të jashtëzakonshme.

Për mua, Bajrush Behrami nuk ishte vetëm një bashkëvuajtës, për të kaluar kohën e dënimit. Me Balin, Bajrushin, duke ndarë qelinë së bashku edhe si bashkëveprimtarë, e thelluam miqësinë, aq sa ndanim dhimbjen e përbashkët, mallin për familjet tona, vështirësitë e çdo sfide që na sillte jeta e rëndë e burgut, idealin për ditë më të mira dhe bindjen e patjetërsueshme për lirinë që do të vinte, për të cilën çdo ditë bënim betejën tonë.

Bajrushi kishte një natyrë në kontrast me ambientin e ashpër e të zymtë të burgut, i cili impononte një rëndesë dhe presion të vazhdueshëm. Ai ishte me shpirt artisti, një njeri i butë e shumë i sjellshëm, por kur ishte nevoja për të mbrojtur dinjitetin e të burgosurit politik, ishte tejet rezistent dhe i pakompromis në raport me organet e burgut. Nuk i përtonte as grevës së urisë.

Ai nuk fliste sa për të folur. Ishte shumë miqësor në biseda dhe këtë e bënte me një mirësjellje, në mënyrë shumë njerëzore e tejet të këndshme. Prandaj edhe shokët e donin dhe e çmonin lart. Ai nuk ishte fjalaman, fliste butësisht, por ishte shumë këmbëngulës, deri në fund, në mendimet dhe bindjet e tij.

Në ato rrethana, Bajrushi dëshmoi se çfarë do të thotë të jesh njeri, të ruash dinjitetin, të mos dorëzohesh përballë vështirësive dhe të mos e humbësh besimin në lirinë, për të cilën po e bënim sakrificën.

Ne ndamë jo vetëm hapësirën e ngushtë të qelisë, por edhe mendimet, kujtimet, shqetësimet dhe ëndrrat për të ardhmen. Ato ditë e ato net nuk i kam harruar kurrë. Ato do të mbeten gjithmonë thellë në kujtesën dhe ndërgjegjen time.

Bajrushi ishte i pasionuar pas leximit dhe një debatues i pakompromis. Me askënd nuk më ka rënë të debatoj më shumë se me të, por as nuk më ka rastisur të debatoj me dikë që kurrë nuk e ka ngritur zërin për të dominuar. Bali debatonte me argumente, të cilat buronin nga përgatitja e tij intelektuale, që e kishte arritur gjatë leximit të thelluar e me përkushtim, të cilin e bënte në burg.

Ai kishte edhe një pasion tjetër, artin pamor. Pikturonte dhe vizatonte me laps e thëngjill, duke shprehur botën e tij të brendshme. Për libra arti dhe materiale për pikturim e vizatim na dërgonte piktori Gursel Sylejmani, tashmë Hero, pasi ai e kishte përfunduar vuajtjen e dënimit të tij.

Sa shumë ka lexuar për artin dhe sa shumë ka vizatuar! Ta zëmë, gjatë kohës sa ishim bashkë, kishte lexuar vepra të Leonardo da Vinçit, Mikelanxhelo Buonarotit, Rembrandtit, Rafaelit, Van Gogut, Pikasos, Salvador Dalisë e të tjerëve. Edhe pse ishim në izolim, sa ishim në Pozharevc, atij i lejohej të pikturonte.

Ndër të tjera, me ngjyra tempera pikturoi anijen e Noes, apo Hazreti Nuhut, dhe e la në një vend ku shihej mirë, që ne, të cilët ishim me të, ta shijonim anijen në detin plot dallgë.

Një gardian, i cili si hobi merrej edhe me art, kur hyri në qeli, më shtyu fort duke thënë: “Hiqu, ta shikoj këtë pikturë!”. I habitur, tha: “Ooo, çfarë pikture! Anija në detin e trazuar po më mahnit!”.

Që prej atëherë, gardiani sillej veçanërisht mirë me ne.

Të nderuar organizatorë,

Dua që sot të shpreh mirënjohje të thellë për ju, që me këtë ekspozitë keni bërë të mundur të shijojmë një pjesë të krijimtarisë së tij artistike.

Më vjen keq që nuk arrita të gjej ndonjë vizatim, për të cilin sa e sa herë kam pozuar para tij, që të më vizatonte, qoftë si portret, qoftë të tërë. I kisha nxjerrë jashtë, por katrahura e luftës, si duket, nuk i ka lënë të mbijetojnë.

Të nderuar të pranishëm,

Sot, kur e kujtoj Bajrushin, nuk më vijnë ndër mend vetëm vuajtjet e përbashkëta, por mbi të gjitha forca e tij shpirtërore, karakteri dhe dinjiteti njerëzor.

Kujtoj një shok me të cilin jeta më lidhi në rrethana të vështira, por që miqësinë e bënë të përhershme. Ai sigurisht që është pjesë e kujtesës sime personale, por edhe e një kujtese më të gjerë njerëzore, shoqërore dhe historike!

Kujtimet për Bajrush Behramin, për jetën dhe veprën e tij do të jenë të paharrueshme!

Respekt dhe mall të pashuar, miku im, Bajrush!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli ka bërë akuza të rënda…