“Libri i lirisë” në kohën e krizës së mendimit dhe kujtesës

27 nëntor 2026 | 14:26

Ndërsa e kyça faqen e fundit të “Librit të lirisë” të Nuhi Bytyçit, në mendjen time tingëllonte retorika e Harold Bloom: ”Si ta lexojmë këtë libër?” Nuk është dilemë, por imponimi përqendrues që të sjell leximi i tekstit të qëmtuar dhe konceptuar prej një gazetari me mishërimin e ndërgjegjes raportuese dhe madje, asaj për raportim të thelluar rreth historisë së popullit dhe vendit të vet. Lënda tekstuale e këtij libri është materie informuese dhe analize, faktesh dhe kontekstesh të një kohe, si pik epopeje, për një popull që po “griste rrjetën shekullore” të robërisë, për të kapur kohën e lirisë së vet.

“Libri i lirisë” i Nuhi Bytyçit është prurje e një artefakti shkrimor për pasurim memorialistike historike dhe dëshmim kronologjik të shtrirë jo në shumë kohë, por të përqendruar në disa vite. Bëhet fjalë për ato vite kur “vullkani i lirisë” shqiptare në Kosovë i kishte dhënë shenjat e plota të magmës shpërthyese, por edhe kishte shtuar provat e dhimbshme të jetëve të humbura. Ky libër vjen për lexuesin shqiptar dhe jo vetëm, si një vlerë provuese dhe dëshmuese e atij momenti shqiptar në Kosovë, kur sikundër pohonte Kadare: ”Nga që kërkuan republikë /u shtypën si në monarki”.

Faktet, ndodhitë, kronika e zhvillimeve historike, e numërimi i episo deve kalendarike të historisë së re të lëvizjes dhe strukturimit kryengritës së Kosovës, janë vlerë e posaçme e librit të autorit Bytyci. Ky tekst është mishërim i dëshmisë autentike që mund ta karakterizojmë përmes së thënës së Roland Barthes: “Sepse pritet shumë më tepër nga revolta e viktimave se sa nga karikatura e xhelatëve të tyre”.

Këtë materie dëshmie sjell në kapitujt e vet “Libri i lirisë”.

Është provues autentik i një historie tashmë të shkruar, në të cilën Nuhi Bytyçi, sikundër dhjetëra autorë të tjerë të publicistikës shqiptare në të gjitha trojet, por kryesisht në Kosovë, ia del ta shtojë në bibliografinë shqiptare të jo vetëm dëshmimit, por pse jo edhe të historiografisë. Njëjtë sikundër do të shtonim emra të Nehat Islamit, Qani Mehmedit, Fahri Musliut,. etj., të cilët janë autorë të një kolane të re të shkrimit të historive të periudhës së zgjimit dhe lëvizjeve për çlirim prej fillimviteve ‘80­të deri në ‘99.

“Libri i lirisë” është një prurje teksti që karakterizohet nga stili rrëfi mtar prej reporteri dhe kronikani rigoroz. Por është edhe një tekst me analizë fakti dhe rrethane, situate dhe kontekstesh, palësh dhe sidomos marrëd hëniesh.

Në këtë libër është pesha e fjalës që dëshmon heroizëm, por njëherësh edhe vlera e rrëfimit të asaj që nuk ka mundur të fotografohet apo regjistrohet audiovizisht. Në fokusin e autorit është veçanërisht një epokë prej vitit 1991 deri në 1999.

Me stilin e tij që të imponohet bukurisht përmes thjeshtësisë, autori Nuhi Bytyçi ia ka dalë të strukturojë një libër që do të vlerësohet për harmoninë strukturore dhe sidomos atë zhanrore të publicistikës. Kalimi nga artikulli, në intervista, nga opinione në refleksion, nga rrëfimi kronikal tek reportazhi dhe përdorimi i metodologjisë historiografike të referencës ndaj dokumentit dhe protagonistit, ndaj dëshmitarit dhe viktimës, e përcaktojnë këtë libër në vlerat atipike të memorialistikës sonë historiog rafike.

Autori është në cilësi të dyfishtë marrëdhënieje me tekstin e këtij libri: edhe vetë krijuesi, por edhe dëshmitar autentik. Në shumicën e ndodhive dhe ngjarjeve historike ka qenë i pranishëm. Ka qenë edhe “viktimë e revoltuar”, por edhe dëshmitar përballë “xhelatit karikaturë”. Për këtë arsye ky libër është imponues për çdokënd, por sidomos për lexuesit në liri. Sepse është libër që zgjon dhe shtyton zgjime kujtese. Shumëfishon dijeni për një histori jo të largët në kohë, por të eklipsuar nga rrëmuja e një shoqërie të pamatur në liri. Në disa prej teksteve, sidomos tek intervistat me personalitetet më dominuese të jetës politike dhe shoqërore shqiptare në Kosovë, autori përmes pyetjeve të veta sjell kumtin e përgjegjësisë historike, por sidomos atë të nevojës për mençuri kombëtare insti tucionale. Mjafton të sjellim në vëmendje ciklin e deklarimeve të akademikëve Rexhep Qosja e Mark Krasniqit, të Hydajet Hysenit, Lazër Krasniqit, Luljeta Pulës dhe vihet re se qëllimi intelektual i autorit është kryekëput i lidhur me vlerësimin që i bën ai mendimit kombëtar. E thënë ndryshe; vlerësueshmërinë që mbart ai për një republikë të mendimit, ndonëse ajo sa ka lindur.

Ky është një libër që ka gjeografi të shtuar referencash dhe gjurmësh mediatizuese. Janë materiale shkrimore të përcjella përmes “Diellit” të Zagrebit, përmes mediave tjera në Kroaci, në Prishtinë, në Tiranë, në diasporë në Zvicër dhe në Gjermani etj., etj, të cilat jo pa qëllim autori i ka bërë pjesë strukturore të librit të vet.

Kapitulli “Bazamenti i lirisë” , është një sintezë shkrimore e marrë dhënies së një momenti të ri historik të Kosovës me diplomacinë, institucionalizimin dhe sidomos strukturimin e përfaqësimeve politike të Kosovës së fillimviteve ‘90­të. Madje në ciklin e materialeve për vitin 1997, kohë kur “Shqipëria londineze” po interpretonte marrëzinë më të tmerr shme antishtet në historinë e vet, Nuhi Bytyçi si autor dhe gazetar me ndërgjegje të thellë kombëtare, jo vetëm që realizonte si profesionist cikle dokumentarësh dhe jepte kontribute mediatizuese në një spektër të së përditshmeve, por përqendrohej tek sendërtimi i lëvizjeve të strukturuara shtetkërkuese të aktorëve dhe subjekteve politikë të Kosovës.

Kapitulli “Betejat përfundimtare për liri” nuk nis thjesht me hise kronikash nga betejat e luftëtarëve të UÇK­së, por me reportazhin “Po rikthehet jeta dhe krenaria në Shalë të Drenicës” (16 janar 1999). Është , sipas meje, një qasje pozitiviste për t’i ikur tabusë së njohur për glorifikim apo për retorikë patriotike. Autori, intelektualisht është i interesuar për një Kosovë shtetërore me zgjim arsimor, me zgjim institucional dhe me një shoqëri që ka krejt energjinë për administrimin e lirisë dhe sidomos të kohës shtetbërëse në këtë moment rishtar. Është disponimi i tij intelektual që kërkon të shpërfaqë rilindjen e shoqërisë, duke krijuar institucionet e shërbesës kombëtare dhe sociale.

Libri nuk ka asnjë territor të hapësirës kombëtare që ta lerë jashtë vëmendjes autoriale. Kapitulli “Vazhdimi i rrugës së lirisë” është plotësues i dëshmimit të interesimit të tij për fatin shqiptar në krejt territoret dhe entitetet tona kombëtare. Me elegancën e përzgjedhjes si gazetar i televizionit sjell në këtë hise të librit dëshmi faktologjike, por edhe ilustruese për atë çka përjetonin shqiptarët në Luginën e Preshevës apo në Maqedoni (sot e Veriut), duke kaluar në një epokë të re lirie.

Dialogimi i Nuhi Bytyçit me kryetarin e Trupit Gjykues në Hagë, me prokurorët e avokatët në disa ditë, përbën masën kulmore të tekstit të këtij libri. Autori nuk ka meritën si rrëfyes, por ka atributet e papër sëdytshme të aktorit protagonist në një dialog sfidant me njerëzit e Drejtësisë Ndërkombëtare të cilët gjenden në pozitën e gjykimit të heronjve të lirisë kombëtare shqiptare, në cilësinë e tyre post­lufte si të akuzuar, ndërkohë që në vend të tyre do të duhej të ishin “xhelatët” dhe karikatura e tyre e një federate të vdekur. Ky dialog mund të konsiderohet si një tekst unik, por edhe një sprovë e adhurueshme e memories së një gazetari qytetar që përgjatë gjithë ciklit dialogues nuk e tradhton as kujtesën dhe as përgjegjësinë e identifikimit prej mbrojtësi të kauzës së lirisë dhe lirive themelore vetjake. Në të gjithë këtë pjesë të librit, personazhi­autor mbetet jo kapërcyes, por besnik i reales në shërbim të dëshirës dhe së drejtës kombëtare të popullit dhe vendit të vet. Duke përmbyllur rreshtin e fundit të këtij dialogimi të Nuhi Bytyçit në Hagë, më rivjen në kujtesë, posaçërisht ilustrues, fragmenti i “Lejania” të Petro Markos ku thuhet: ”Jam një njeri thellësisht i ndjekur nga gjithë fatke qësitë, po fatbardhësisht shpresa vetëm rritet”. Ky kalvar i Kosovës dhe i autorit për të mbërritur tek liria në këtë libër nuk vjen si pikturim dhimbjesh, por si kronikë e fuqishme dhe shpresëplotë triumfi. Ky libër është plotësim i kujtesës, rikthim i përhershëm i saj për gjakun e lirisë, por njëherësh është edhe një artefakt për etjen e përhershme për mendim dhe ide kombëtare atdhedashjeje.

 

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hapur zyrtarisht Javën e…