Biblioteka që u bë pjesë e jetës sime
Berat Armagedoni
Më 09.11.2007 kam nënshkruar kontratën e parë me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës (BKUK). Atëkohë quhej kështu. Paga ime e parë ka qenë 195.00 euro për dyzet orë punë në javë. Para se të punësohesha në bibliotekë, në vitin akademik 2002/03 u pata regjistruar student në Fakultetin e Filologjisë dhe po atë vit, me një pagesë prej dymbëdhjetë eurosh në vit, u pata anëtarësuar në BKUK.
Nga e hëna deri të premten, nga mëngjesi në darkë, lexoja në sallat e saj. Zgjohesha herët për të zënë një vend brenda saj. Numri i anëtarëve të saj ishte i madh. Hapësira e saj, edhe pse e madhe, me rreth 650 ulëse për studentë, atëkohë ishte e vogël. Shpeshherë lexonim dy studentë në një karrige e katër studentë në një tavolinë. Punonjësit e saj kishin vëllim të madh të punës, studentët kërkesa të shumta për libra, revista dhe gazeta. Në vitin 2003 kam porositur për lexim, te libraret e kësaj biblioteke, 176 libra. Në vitin e dytë, 209. Kryesisht vepra letrare të autorëve të letërsisë shqipe dhe botërore. Pra, marrëdhënia ime me këtë institucion nuk ka filluar në ditën kur jam punësuar. Ka nisur kur kam qenë student i letërsisë, kur në sallat e saj kam kaluar orë të tëra mbi libra, duke kërkuar dije, duke përgatitur provime dhe duke ndërtuar, ndoshta pa e ditur as vetë, karrierën.
Në vitin 2006, menjëherë pas përfundimit të studimeve, u punësova në gazetën “Epoka e re” gazetar i kulturës dhe lektor. Një vit më pas, edhe pse nuk u shkëputa për asnjë çast nga BKUK dhe gazeta, u punësova në BKUK. Erdha sërish të mbledh dije dhe t’u bashkohem kolegëve për ruajtjen, pasurimin dhe përcjelljen e librave të saj te brezat e tjerë.
Kur i kujtoj ato ditë studentore e shoh veten duke hyrë në bibliotekë me libra në duar, duke pritur në radhë numrin përkrah studentëve të tjerë dhe duke kërkuar ulësen në ambientin e ngrohtë të BKUK-së dhe qetësinë absolute.
Tash që kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ato ditë të para si lexues dhe rreth dy dekada nga fillimi i punës sime këtu, shumëçka ka ndryshuar, por një gjë ka mbetur e njëjtë: lidhja ime me librin dhe me këtë institucion.
Gjatë këtyre njëzet viteve kam përcjell qindra studentë, dhjetëra kolegë, disa drejtorë. Kam shkruar mirë dhe keq për shërbimet e saj dhe për drejtorët e saj ashtu sikurse e kanë bërë punën. Kam ngritur zërin publikisht për shërbime më të mira në dobi të studentëve. Për kthimin e tyre në shtëpinë e tyre. Por ajo kohë më nuk është përsëritur kurrë. Ai numër aq i madh i studentëve më s’është parë kurrë as në përurime veprash, as në organizime institucionale.
Sot, në Ditën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u shpreh falënderim ish-punonjësve të BKUK-së, atyre që kanë vdekur dhe atyre që janë pensionuar, edhe punonjësve të BKK-së që sot punojnë në të e që në mënyra të ndryshme kontribuojnë për ruajtjen e kujtesës sonë kulturore.
Gëzuar Ditën, Bibliotekë!
Gëzuar Ditën, Bibliotekarë!



