Flet shqiptarja në Izrael: Nuk kemi frikë, kemi 30 e ca vjet në luftë
Mësuesja shqiptare në Izrael, Ita Gani, ka rrëfyer përjetimet e saj mes tensioneve të vazhdueshme në rajon, duke theksuar se frika nuk është pjesë e përditshmërisë së tyre, pavarësisht situatës së sigurisë.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, ajo u shpreh se lufta nuk është një realitet i ri për qytetarët izraelitë.
“Ne e prisnim këtë luftë dhe populli është më i fortë se kurrë. Absolutisht nuk kemi frikë, sepse kjo luftë nuk filloi dje dhe nuk filloi para dy javësh, është 25-ditore, është dita e 25 e luftës. Kjo luftë ka 30 e ca vjet që ka filluar, sepse Irani ka shtruar rrjetet e tij në të gjithë kufirin izraelit për 30 vjet,” tha ajo.
Sipas Ganit, kjo përvojë e gjatë ka bërë që shoqëria të jetë më e përgatitur dhe më e bashkuar. “Populli është i bashkuar, populli është më i fortë se kurrë dhe kemi krijuar edhe një besim shumë të madh, sepse lufta tregoi kush është Irani,” shtoi ajo.
E pyetur nëse ekziston normalitet në jetën e përditshme në Izrael, ajo u shpreh se situata nuk mund të konsiderohet plotësisht normale. “Unë nuk mund të them që është normalitet, sepse jeta normale është të mos kesh sirena dhe të mos jesh në luftë,” tha Gani.
Megjithatë, ajo theksoi se qytetarët janë të mësuar me këtë realitet dhe nuk jetojnë me frikë konstante për jetën. “Edukimi i luftës që kemi në Izrael nuk na shqetëson në kuptimin që do kem frikë se do vritem. Absolutisht jo, sepse jam e siguruar në këtë pikë, por natyrisht që ka shqetësim në jetë,” u shpreh ajo.
Sipas saj, sirenat që bien në çdo moment, gjatë ditës apo natës, mbeten elementi më shqetësues për qytetarët. “Janë sirena të cilat nuk i di se kur vijnë, kështu që patjetër shkaktojnë një shqetësim në jetën e njerëzve,” përfundoi mësuesja shqiptare.



