Komuna e Prishtinës njofton qytetarët: Rruga “Don Shtjefën Kurti” u shemb plotësisht, shmangeni dhe ndiqni udhëzimet në terren
Komuna e Prishtinës ka njoftuar zyrtarisht qytetarët për shembjen e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet.
Komuna thotë se janë ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët”.
“Ju njoftojmë se rruga “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë është shembur plotësisht si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Inspekcionit, KEDS, Ujësjellësit dhe Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Qytetarëve u është kërkuar që ta shmangin këtë rrugë dhe t’i ndjekin udhëzimet në terren.
“Rruga është e bllokuar për qarkullim. Lusim qytetarët që të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren. Për çdo informacion shtesë, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e Komunës.



