Një roman i fuqishëm mbi mirësinë
Shkruan: Alban Hajrushi
Recension për romanin “Vajza me shpirt prej qelqi” të autores Qëndresa Dulaku
Që në titull lexuesi ndeshet me figurën stilistike të metaforës: “Vajza me shpirt prej qelqi”, që paralajmëron një roman me filozofi të thellë dhe me një mesazh shpirtëror të fortë.
Ky roman prek thellë shpirtin e lexuesit, duke përshkruar jetën me të gjitha nuancat e saj: mirësinë dhe ligësinë, dhimbjen dhe shpresën. Historia rrotullohet rreth Tidës, një vajze me shpirt të pastër dhe të ndjeshëm, dhe ndërveprimeve të saj me njerëz që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e saj.
Një nga ngjarjet kryesore është trashëgimia e pasurisë së plakës për Tidën, pasi ajo nuk kishte trashëgimtar tjetër. Tida, nga ana e saj, dhuron apartamentin për vajzën e sëmurë të Milotit, duke treguar se mirësia dhe sakrifica mund të shprehen përtej çdo kufiri personal dhe material. Ky akt ilustron se dashuria dhe kujdesi për të tjerët mund të jenë një ilaç shpirtëror dhe fizik.
Mesazhi i plakës ndaj Tidës është filozofik dhe prekës: nuk mund të ndryshosh gjithmonë botën, por mund të ruash pastërtinë e shpirtit dhe integritetin e qëllimeve. Fjalët e tij në fund të romanit, të përcjella lexuesit, nënvizojnë fuqinë që një shpirt i pastër mund të ketë mbi jetën dhe perceptimin tonë për të mirën dhe të ligën:
“Kam pasur destinacione e destinacione në shpirtra të ndryshëm, por askund nuk gjeta shpirt loti si juaji, aq të pastër. Unë flirtova edhe me shpirtin e asaj gruaje që dikur ta ceku kodin e pazgjidhur. Thellësia e mendjes sate ia kalon çdo thellësie tjetër, madje edhe të atij të oqeanit. Nxehtësia e brendësisë tënde ia kalon çdo zjarri, madje edhe të atij të ferrit. E flladi i shpirtit tënd ia kalon çdo freskie, madje edhe të asaj të vesës së mëngjesit.”
Romani flet për kompleksitetin e natyrës njerëzore dhe për mënyrën se si veprat e mira dhe dhimbja bashkëjetojnë, duke ndërtuar ose shkatërruar shpirtra. Ai tregon se zhgënjimi dhe dhimbja shpesh mësojnë më shumë se çdo leksion tjetër, dhe se fuqia e një njeriu të sinqertë mund të ndriçojë edhe errësirën më të madhe.
Në përfundim, “Vajza me shpirt prej qelqi” është një roman i fuqishëm mbi mirësinë, sakrificën dhe bukurinë e shpirtit njerëzor. Ai fton lexuesin të reflektojë mbi rëndësinë e veprimeve të mira dhe mbi fuqinë që ka një shpirt i pastër dhe i sinqertë për të bërë ndryshime të mëdha, madje edhe kur bota rreth nesh duket e përgjakur nga ligësia.




