Bugaqku: Kushtetuesja nuk i detyron deputetët të qëndrojnë në sallë

31 mars 2026 | 14:37

Përfaqësuesi i zyrës ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerësoi se kërkesa e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në Gjykatën Kushtetuese më shumë ishte një betejë politike sesa një kërkesë për qartësi nëse deputetët duhet të qëndrojnë në sallë gjatë votimit të presidentit.

Në një bisedë për RTV21 Bugaqku tha se vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese e kanë qartësuar se nuk ka mekanizma që i detyrojnë deputetët të qëndrojnë në sallë.

“Më shumë është përdorur si mekanizëm kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për të hapur një betejë politike, sesa për të siguruar qartësi procedurale sa i përket vijimësisë së seancës për zgjedhjen e presidentit. Kjo për faktin se unë mendoj që ata e kanë ditur shumë mirë se, si në aspektin procedural ashtu edhe në atë kushtetues, nuk ka mekanizma që i detyrojnë deputetët të qëndrojnë në sallë. Kushtetuta e Kosovës, siç e ka theksuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese, mandatin e deputetit e përkufizon si mandat të lirë dhe assesi detyrues, në kuptimin e ‘penalizimit’ të deputetit që duhet patjetër të qëndrojë në sallë. Në rast të mosqëndrimit, nuk ekziston një mekanizëm që i detyron ata të marrin pjesë në seancat e Kuvendit. Edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i ndërlidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, e ka qartësuar mjaftueshëm se Kushtetuta nuk i detyron deputetët të qëndrojnë në sallë.”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese, më 25 mars, vendosi një afat prej 34 ditësh që deputetët e Kuvendit duhet ta zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën, vendi shkon automatikisht në zgjedhje. Njëherësh, në vendim sqarohet se deputetët nuk mund t’i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

“Në lidhje me mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton se Kushtetuta, në nenin 70 [Mandati i Deputetëve], përcakton që deputetët, si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe ka përcaktuar në mënyrë specifike bazat për përfundimin apo humbjen e statusit të deputetit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka…