Thellimi i transparencës dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile, në fokus të agjendës reformuese të KPK-së
Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) zhvilluan sot një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përkatësisht nga Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), takim ky, i cili kishte temë diskutimesh forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe partneritetit strategjik.
Me këtë rast u theksua rëndësia e përfshirjes aktive të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse dhe në hartimin e politikave të sistemit prokurorial.
KPK shprehu gatishmërinë e saj për të institucionalizuar bashkëpunimin përmes konsultimeve publike dhe shkëmbimit të ekspertizës.
Palët u pajtuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit, përmes krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm të komunikimit dhe konsultimit, me synim ndërtimin e një sistemi prokurorial transparent, të përgjegjshëm dhe të besueshëm për qytetarët, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.



