Ali Ahmeti kujton 45-vjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981

01 prill 2026 | 19:01

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar 45-vjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981, duke i cilësuar ato si një moment kyç në historinë kombëtare të shqiptarëve.

Në një reagim publik, Ahmeti theksoi se demonstratat, të cilat nisën si një zë i studentëve, shumë shpejt u shndërruan në një thirrje gjithëpopullore për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar. Sipas tij, ngjarjet e marsit dhe prillit të atij viti përbëjnë një kthesë të rëndësishme historike dhe vendosën themelet e proceseve që më vonë do të çonin drejt shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Ai rikujtoi se datat 11 dhe 26 mars, si dhe 1 dhe 2 prill, mbeten ndër më të rëndësishmet në historinë kombëtare, kur studentët, punëtorët dhe rinia u ngritën me guxim për të kërkuar të drejtat e mohuara dhe për të hapur rrugën drejt lirisë.

“Demonstratat e vitit 1981 nuk ishin vetëm protesta studentore, por një lëvizje e gjerë popullore që zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe e ktheu çështjen tonë në një proces të pakthyeshëm historik”, theksoi Ahmeti.

Ai shtoi se kjo lëvizje dëshmoi se një popull i bashkuar rreth një ideali të drejtë është i pandalshëm në rrugën e tij drejt lirisë, duke e lidhur këtë rrugëtim edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Në përmbyllje, Ahmeti shprehu respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në atë periudhë — studentë, veprimtarë, punëtorë, patriotë, të burgosur politikë dhe të rënë — duke vlerësuar se sakrifica dhe idealizmi i tyre mbeten frymëzim i përhershëm për brezat e ardhshëm dhe për rrugën drejt barazisë, dinjitetit dhe përparimit kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…