Prokurorja Pula mori pjesë në tryezën mbi dezinformimin në periudhë zgjedhore
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka marrë pjesë si paneliste në tryezën me temë: “Institucionet përballë dezinformimit në periudhë zgjedhore”, në ditën Nderkombetare të Verifikimit të Fakteve në kuadër të së cilës u prezantua edhe raporti mbi reziliencën ndaj dezinformatave gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë. Ky raport është hartuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe është organizuar nga “ADS/Hibrid.info”. Me këtë rast, Pula ka vlerësuar punën e bërë në hartimin e raportit, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të dukurisë së dezinformimit gjatë periudhës zgjedhore, si një prej sfidave serioze që mund të ndikojnë në informimin e drejtë të opinionit publik dhe në integritetin e proceseve demokratike.
Gjatë diskutimit, prokurorja Pula ka folur për sfidat me të cilat përballet Prokurori i Shtetit në trajtimin e rasteve që ndërlidhen me dezinformimin në procese zgjedhore. Ajo ka theksuar se ndër vështirësitë kryesore mbeten përcaktimi i përgjegjësisë penale, vendosja e kufirit ndërmjet dezinformimit dhe lirisë së shprehjes, si dhe dëshmimi i qëllimit kriminal apo i elementeve të përgjegjësisë penale.
Në këtë kontekst, Pula ka nënvizuar se sfidë e veçantë paraqet edhe identifikimi i autorëve të përmbajtjeve dezinformuese, për shkak të përdorimit të profileve të rreme apo anonime, rrjeteve private virtuale, si dhe shpërndarjes masive të përmbajtjeve nga shumë përdorues, shpesh pa mundësi të qartë për të përcaktuar burimin origjinal. Po ashtu, ajo ka theksuar se përfshirja e platformave globale krijon vështirësi në trajtimin e këtyre rasteve, që gjë kërkon bashkëpunim jo vetëm ndërinstitucional por edhe bashkëpunim juridik ndërkombëtar.
Më tutje, prokurorja Pula ka thënë se amplifikimi i dezinformatave, përmes shpërndarjes së koordinuar të informacionit të rremë, ka prodhuar në shumë raste ndikim të konsiderueshëm në opinionin publik, me theks të veçantë te votuesit gjatë periudhave zgjedhore.
Pula ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me të gjithë akterët institucionalë dhe organizatat relevante, me qëllim të forcimit të përpjekjeve të përbashkëta për të garantuar informim të drejtë dhe të saktë të opinionit publik gjatë proceseve zgjedhore.



