Ish-ushtari i UÇK-së, Lekson Zhubi – Leka, fton tifogrupet të mbështesin Kosovën njësoj si Shqipërinë
Ish-ushtari i UÇK-së, Lekson Zhubi – Leka, njëherësh një nga themeluesit e tifogrupit “Plisat”, ka reaguar lidhur me mungesën e mbështetjes nga tifogrupet e Kosovës gjatë ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës. Zhubi u ka bërë thirrje tifogrupëve që, ashtu siç mbështetet Kombëtarja shqiptare dhe krijohet atmosferë në Tiranë e në qytete të tjera, e njëjta përkrahje të ofrohet edhe në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. “Jemi dy shtete, por jemi një komb. Kushdo që luan – si Kosova, ashtu edhe Shqipëria – ne jemi një”, është shprehur ai.
Ai ka kërkuar që të gjitha tifogrupet sportive, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, të bashkohen në mbështetje të lojtarëve dhe të krijojnë atmosferë fitoreje kudo që luhet.
Reagimi i plotë i Lekson Zhubit – Lekës:
“Si tifoz i flaktë i Prishtinës që nga fëmijëria dhe si një nga themeluesit e ‘Plisave’ që nga viti 1987, ndiej obligim të them disa fjalë. Loja e djemve tanë ishte për çdo lavdatë. Këtë betejë e humbën, por kjo kurrsesi nuk do të thotë se është humbur lufta. Këta djem do të vazhdojnë të na bëjnë krenarë, sepse kanë shpirt dhe zemër për këtë fanellë.
Por ajo që më ka zhgënjyer ishte atmosfera…
Si në tribuna, ashtu edhe në qytet, mungoi ajo energji që e ka karakterizuar gjithmonë popullin tonë. Kishte më shumë shikues për fotografi sesa tifozë për përkrahje. Mendoj që herëve të tjera, ‘Dardanët’ duhet t’i ftojnë të gjitha tifogrupet e Kosovës dhe t’u ndajnë nga 200-300 bileta secilit grup. Vetëm kështu krijohet atmosferë e zjarrtë dhe i tregojmë botës se çfarë tifozësh të vërtetë ka Kosova. Këta djem kanë nevojë për përkrahje maksimale! Të gjithë e dimë sa shumë kemi vuajtur si popull për të arritur deri këtu. Kosova duhet të përkrahet njësoj si Shqipëria, sepse është vendi ynë. Ne nuk kemi luftuar për ndarje, por për bashkim. Bashkimi bën fuqinë. Prandaj, djem e tifozë, bashkohuni sa herë që është në pyetje Kosova dhe Shqipëria, që t’i bëjmë krenarë lojtarët tanë në të gjitha trojet shqiptare.
Kosova është zemra e Shqipërisë.




