PDK: Qeveria shpërfilli qytetarët në krizë, kërkojmë masa urgjente për uljen e çmimeve
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për siç tha papërgjegjësinë dhe mungesën e seriozitetit të Qeverisë së Kosovës përballë krizës së rëndë ekonomike që po godet çdo familje në vend.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohej për rritjen e çmimit të naftës, shërbimeve, tatimeve dhe inflacionit, Kryeministri, ministrat dhe deputetët e shumicës parlamentare bojkotuan për një pjesë të konsiderueshme të saj. Ky veprim përbën një shpërfillje të hapur ndaj qytetarëve që çdo ditë po përballen me rritje të kostos së jetesës dhe varfërim në rritje.
“Sot, çmimi i naftës në Kosovë ka arritur në 2 euro e 3 cent, duke reflektuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë. Në vend të reagimit të shpejtë dhe masave konkrete, qytetarët po përballen me heshtje dhe mungesë veprimi institucional.
Edhe kur u rikthye në seancë, Kryeministri zgjodhi të shfrytëzojë kohën për lojëra fjalësh dhe interesa partiake, në vend që të ofrojë zgjidhje konkrete për lehtësimin e barrës së qytetarëve”.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se kjo qasje e Qeverisë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit”, thuhet mes tjerash në reagimin e këtij subjekti politik.
PDK njëherësh i bën thirrje Qeverisë që urgjentisht të hartojë dhe të zbatojë një pako emergjente për përballimin e krizës ekonomike, e cila duhet të përfshijë masa konkrete për uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve, mbështetje për familjet dhe bizneset.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për veprime të menjëhershme”.



