“Mashtrimi i madh” dhe “UÇK – Në shënjestër të vazhdueshme” në British Library
Ndër aktivitetet e shumta të kriminologes, sociologes dhe shkrimtares së letërsisë për fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar, Merita Isufi Avdyli, angazhimi në organizimin e aktiviteteve kulturore, letrare dhe mbështetjen e veprave që trajtojnë historinë, kujtesën kolektive dhe identitetin kombëtar shqiptar zë një vend të rëndësishëm.
Përmes iniciativave dhe promovimit të veprave të autorëve që dokumentojnë historinë dhe vuajtjet e popullit shqiptar, ajo kontribuon në ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e njohjes së të vërtetës historike.
Para ca kohësh, ajo dorëzoi në British Library në Londer (Biblioteka Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar) veprat “Mashtrimi i madh” dhe “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme” të autorit Bardhyl Mahmuti.

Ky veprim i znj. Merita Isufi Avdyli merr një vlerë të veçantë në kontekst të aktualizimit të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë luftës së viteve 1998-1999, hedhja dritë mbi krimet e monstruoze që kanë kryer forcat e armatosura serbe gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Znj. Merita Isufi Avdyli është e bindur se njohja e së vërtetës, dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e kujtesës së luftës në Kosovë janë jo vetëm çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar, por edhe një obligim qytetar dhe njerëzor.
Historitë e dhimbshme të luftës duhet të dëgjohen, të dokumentohen dhe të bëhen të njohura botërisht, brez pas brezi, jo për të nxitur ndonjë urrejtje, por t’u përcillen brezave të ardhshëm që vuajtje të tilla të mos përsëriten kurrë.




