Ish-gjyqtari amerikan i EULEX-it: Në kundërshtim me rregullat procedurale, Jack Smith publikoi aktakuzën kundër Thaçit
Ish-gjyqtari amerikan i EULEX, Dean Pineles, në një shkrim të gjatë ka treguar mangësitë e Gjykatës Speciale dhe ka dhënë opinionin e tij mbi këtë proces gjyqësor.
Ai ka bërë të qartë se prokurori Jack Smith, në kundërshtim me rregullat procedurale, publikoi aktakuzën kundër Thaçit.
“Në kundërshtim me rregullat procedurale, Smith njoftoi aktakuzën në qershor 2020 përpara se ajo të konfirmohej dhe pikërisht kur Thaçi po fluturonte për në Uashington për t’u takuar me Donald Trump dhe presidentin serb Aleksandar Vučić”, thotë ai, duke lënë të kuptohet se mund të ketë pasur ndikime politike në këtë proces.
Po ashtu, Pineles ka shtuar se Serbia do të gëzohej dhe BE-së nuk do t’i prishej qejfi në rast të dënimit të krerëve të UÇK-së, por nuk do të rishkruante historinë e Kosovës dhe luftës së saj.
“Nëse të pandehurit shpallen fajtorë, kjo ka të ngjarë të pritet me zemërim nga populli i Kosovës, si një dënim i padrejtë dhe një rishkrim i sajuar i historisë. Nga ana tjetër, Serbia do të gëzohej. Lufta e Kosovës për liri do të paraqitej si asgjë më shumë se një ndërmarrje e përbashkët kriminale, gjë që Serbia do ta përdorte ndërkombëtarisht dhe në marrëdhëniet e saj me Kosovën. Kjo ndoshta do ta bënte edhe më të vështirë normalizimin e marrëdhënieve të tyre të tensionuara. Megjithatë, Bashkimi Evropian do të ishte i kënaqur, duke pasur parasysh investimin e tij të madh”, thotë Dean Pineles.



