Serge MÉTAIS: Rasti “MEDIKUS” ishte një hile ruse e vitit 2008

14 tetor 2026 | 08:51

Në vazhdim të intervistës ekskluzive për “Epokën e re” që vazhdon të botohet pjesë-pjesë, studiuesi i njohur francez Serge MÉTAIS thotë se tasti “MEDIKUS” ishte një hile ruse për të dëshmuar vazhdimësinë e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë dhe ndër treguesit e një provokimi rus duhet vërejtur se shumica e viktimave të identifikuara, të cilave u ishte hequr një veshkë në klinikën “Medicus”, vinin nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

“EPOKA E RE”: Një nga pikat e rëndësishme të analizës suaj është se rasti i klinikës MEDICUS në Prishtinë përbën një pjesë qendrore të manipulimit të shërbimeve sekrete ruse. Ju thoni se ai ishte konceptuar dhe planifikuar para vitit 2008. Në çka e mbështeteni konstatimin e tillë?

Serge MÉTAIS: Fare thjesht. Mbështetem në aktakuzën e prokurorit special të Misionit EULEX, Jonathan Ratel, i cili drejtoi hetimet për rastin Medicus. Ai vërtetoi se organizata kriminale që qëndronte pas kësaj çështjeje drejtohej nga dy turko-izraelitë, kirurgu Yusuf Sönmez dhe Moshe Harel, dhe se qendrën e kishte jashtë Kosovës, diku ndërmjet Stambollit dhe Tel Avivit, prej nga organizohej gjithçka. Hetimi tregoi se viktimat e identifikuara, të cilave u ishte hequr një veshkë në klinikën Medicus, ashtu si edhe personat të cilëve u ishte transplantuar ajo veshkë, ishin të gjithë të huaj për Kosovën.

Të gjithë kishin ardhur posaçërisht nga jashtë në Prishtinë, për ndërhyrjen kirurgjike. Hetimi vërtetoi gjithashtu se heqjet dhe transplantimet e veshkave në klinikën Medicus ishin kryer nga marsi deri në fillim të nëntorit 2008. Në të vërtetë, për organizatën kriminale, klinika Medicus në Prishtinë kishte qenë vetëm njëra prej disa platformave. Madje për një periudhë të shkurtër. Po citoj prokurorin Jonathan Ratel: “Medicus ishte njëra prej klinikave të një rrjeti ku vepronin Sönmez, Harel dhe të tjerët” […] Kemi gjetur klinika në Azerbajxhan dhe në vende të tjera dhe mendojmë se mund të ketë një të tillë edhe në Afrikën e Jugut”.

Ideja se organizata kriminale e Yusuf Sönmezit dhe Moshe Harelit kishte lidhje me shërbimet sekrete ruse imponohet vetvetiu. Ajo do t’i ishte përgjigjur një “porosie” të tyre. Qëllimi ishte të organizohej një provokim, duke përdorur klinikën Medicus për të dëshmuar vazhdimësinë e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë. Ndër treguesit e një provokimi rus duhet vërejtur se shumica e viktimave të identifikuara, të cilave u ishte hequr një veshkë në klinikën “Medicus”, vinin nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik. Kjo tregon se shërbimet sekrete ruse nuk mund të mos i dinin degëzimet e rrjetit kriminal në zonën e tyre tradicionale të ndikimit. Ka arsye të forta për të menduar se ato kishin lidhje me këtë rrjet. Natyrisht, ndryshe nga shumica e vendeve prej nga vinin dëshmitarët e identifikuar (viktima të heqjes së veshkës ose përfitues të transplantimit), Rusia nuk bashkëpunoi me hetimin e prokurorit Ratel për marrjen e tyre në pyetje.

Në fund, del se veprimtaria kriminale e klinikës “Medicus” ishte veprimtari e kohëve të fundit. Ajo nisi vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk ka asnjë provë të vazhdimësisë së saj me trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore pas luftës, në vitet 1999–2000. Dick Marty i shpërfilli këto përfundime të hetimit të prokurorit special të Misionit EULEX, Jonathan Ratel. Janë të kuptueshme arsyet e një shpërfilljeje të tillë: rasti Medicus u jepte një besueshmëri të jashtëzakonshme rrëfimeve për “trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë” në fund të viteve 1999-2000. Për më tepër, ai sugjeronte një vazhdimësi. Drejtuesit e UÇK-së, që sipas pretendimeve kishin organizuar trafikimin pas luftës, ishin atëherë në pushtet në Prishtinë. Sipas këtij pretendimi, ata qëndronin edhe pas veprimtarisë kriminale të klinikës Medicus.

(Serge Métais (1952) është ekonomist, studiues i historisë dhe publicist francez, ish-pedagog universitar, i njohur për studimet mbi sistemet komuniste të Evropës Lindore, historinë e shqiptarëve dhe zhvillimet gjeopolitike në hapësirën postsovjetike. Në vitin 2006, shtëpia botuese prestigjioze franceze Fayard botoi veprën e tij madhore, Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Historia e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një operacion policor është zhvilluar mëngjesin e kësaj të mërkure,…