Trumpi kundërshton thirrjet e Papa Leonit për armëpushim ndaj Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj Papa Leon XIV, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me qëndrimin e Trump ndaj Iranit.
Përmes një postimi në rrjetin social “Truth Social”, Trump e ka cilësuar Papën si “të tmerrshëm për politikën e jashtme”, duke kundërshtuar hapur kritikat e tij.
“Nuk dua një Papë që mendon se është e drejtë që Irani të ketë armë bërthamore”, ka shkruar Trump, teksa e ka akuzuar gjithashtu kreun e Selisë së Shenjtë për dobësi në çështjet që lidhen me krimin dhe armët bërthamore.
Reagimi i presidentit amerikan vjen pasi Papa Leo XIV kritikoi deklaratën e Trump, i cili kishte paralajmëruar se “një qytetërim i tërë do të zhdukej sonte” nëse Irani nuk pranonte një marrëveshje për ndalimin e luftës.
Papa e cilësoi këtë qëndrim si “plotësisht të papranueshëm”, duke theksuar se një retorikë e tillë nuk është vetëm çështje e së drejtës ndërkombëtare, por edhe e moralit.



