Studiuesit paralajmërojnë: Popullsia po tejkalon kufijtë e Tokës

13 prill 2026 | 09:19

Një studim i ri shkencor paralajmëron se rritja e shpejtë e popullsisë dhe nivelet e larta të konsumit po e shtyjnë Tokën përtej kufijve të saj të qëndrueshmërisë. Sipas kërkimit të udhëhequr nga Corey Bradshaë i Universitetit Flinders në Australi, njerëzimi po jeton mbi kapacitetin që planeti mund të përballojë në afatgjatë.

Shkencëtarët përdorën të dhëna që përfshijnë më shumë se dy shekuj për të analizuar ndryshimet në rritjen e popullsisë. Ata u fokusuan te koncepti i “kapacitetit mbajtës”, që përkufizon numrin maksimal të individëve që një mjedis mund të mbështesë në mënyrë të qëndrueshme, bazuar në burimet natyrore dhe rigjenerimin e tyre.

Sipas studimit, popullsia globale aktuale prej rreth 8.3 miliardë banorësh është shumë mbi nivelin optimal të qëndrueshmërisë, i cili vlerësohet në rreth 2.5 miliardë njerëz. Ndërkohë, kufiri maksimal absolut i kapacitetit mbajtës mund të arrijë deri në rreth 12 miliardë, një nivel që parashikohet të arrihet në dekadat 2060–2070 nëse trendet aktuale vazhdojnë.

Studimi thekson se përdorimi i lëndëve djegëse fosile ka rritur artificialisht kapacitetin mbajtës të Tokës, duke mundësuar rritjen e shpejtë të popullsisë gjatë shekullit të 20-të. Megjithatë, kjo ka sjellë pasoja të mëdha, përfshirë ndryshimet klimatike, shterimin e burimeve dhe presionin mbi ekosistemet.

Ekspertët paralajmërojnë se sistemet natyrore të mbështetjes së jetës janë tashmë nën stres të madh. Pa ndryshime të shpejta në mënyrën si përdorim energjinë, tokën dhe burimet ushqimore, miliarda njerëz mund të përballen me pasiguri dhe vështirësi në rritje.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se ende ka kohë për të vepruar. Ata bëjnë thirrje për ndryshime të thella në praktikat socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të arritur një të ardhme më të qëndrueshme për njerëzimin dhe planetin./ CNA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëra ndër bukuritë më të mira natyrore të Kosovës, Gryka…