Posta nga Haga

13 prill 2026 | 13:49

Imer Xhemail Lladrovci: Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026

Me këtë titull, në numrin e fundit të gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung“ (FAS), një faqe e plotë e zë artikulli i gazetarit Michael Martens, që i kushtohet ish-presidentit të Kosovës në Burgun e Hagës, zotit Hashim Thaçi. Në faqe është vendosur edhe një fotografi e madhe e Hashim Thaçit dhe Joschka Fischer-it nga një takim i tyre zyrtar në Bonn, në vitin 1999, pas Konferencës së Rambujesë (Rambouillet).

Michael Martens, në fund të dhjetorit 2025, merr një letër nga Gjykata Speciale në Hagë me një përgjigje pozitive për një kërkesë të FAS-it për një intervistë me Hashim Thaçin. Në fakt, një intervistë me ish-presidentin e Kosovës në burg kishte qenë një ide e vjetër, por njohës të gjendjes e kishin paralajmëruar Martensin se një intervistë me të mund të merrej nga dëshmitarët si një porosi se Thaçi kishte një rrjet të mirë në shtypin e madh perëndimor dhe kështu do të ushtronte një ndikim negativ mbi ta dhe dëshmitë e tyre.

Tani që gazeta e boton këtë artikull dhe intervistën e plotë në origjinal në uebfaqen e gazetës FAZ, në vitin 2026, ky rrezik nuk ekziston më. Kështu, Gjykata merr një vendim pozitiv për kërkesën e gazetës gjermane për intervistë dhe e njofton, përmes postës elektronike, gazetarin e interesuar për vendimin pozitiv, duke e njoftuar që t’i dërgojë pyetjet me shkrim. Gazetari gjerman do të kishte dashur një intervistë ndryshe, me nënpyetje kritike, kështu që për lexuesin boton këtë shkrim dhe jo intervistën, e cila i nënshtrohet një censure gjyqësore që e sakatos intervistën si një formë autentike e mendimit të të burgosurit. Martens nënshkruan edhe një marrëveshje shtesë se nuk guxon të shtojë asgjë tjetër në përgjigjet me shkrim të intervistës.

Martens shkruan se qysh nga qershori i vitit 2023 ka ekzistuar interesi për një intervistë me Thaçin e burgosur, dikur president i Kosovës, udhëheqës politik i UÇK-së dhe shef i delegacionit kosovar në Rambuje. Martens shkruan se arrestimi dhe dërgimi në Burgun e Hagës i Thaçit do të mund ta penalizonte edhe vetë Qeverinë Federale të Gjermanisë, e bashkë me të edhe Perëndimin (NATO-n), për sulmet ajrore ndaj Jugosllavisë/Serbisë dhe Malit të Zi, sepse dikush mund të thotë se Gjermania, përkatësisht NATO-ja, paska bashkëpunuar me një kriminel lufte. Martens kështu i bën të njohura edhe motivet e tij për këtë intervistë dhe e nxit lexuesin të reflektojë.

Artikulli fillon me këtë fjali: „Kjo histori bën fjalë për një kriminel lufte – apo për një gabim grandioz juridik.“ Autori i shkrimit vazhdon duke thënë se cila nga këto dy histori do të kthehet në realitet, sot ende nuk mund të thuhet, por shumë shpejt edhe për këtë histori epilogu do të dihet.

Derisa në Shqipëri institucionet shtetërore janë shprehur kundër dënimit të Thaçit dhe të tjerëve në aktakuzë, në Kosovë një pjesë e spektrit partiak ka heshtur, duke kërkuar kështu tërthorazi dënimin e Thaçit, edhe pse rrjedhojat politike për shtetin e Kosovës s’do të mbeten në taborret partiake; ato do të jenë të rënda pikërisht për shtetin e Kosovës, nëse do të kemi një dënim të Thaçit.

Derisa, në një anë, ndodhemi para të panjohurave të mëdha, në anën tjetër dihet me saktësi se më 24 qershor të vitit 2020, Prokurori Special Jack Smith paralajmëroi ngritjen e një aktakuze ndaj presidentit Hashim Thaçi, i cili pikërisht atë ditë po udhëtonte drejt Washington-it, ku do ta takonte presidentin Donald Trump. Ishte parashikuar edhe një takim me Aleksandar Vuçiqin, me të cilin do të nënshkruhej një marrëveshje pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës, një projekt ky i përgatitur nga ish-ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell.

Gjithë këtë skenar e zhbëri Prokuroria Speciale në Hagë, sepse Thaçi e ndërpreu udhëtimin në Washington dhe u kthye në Prishtinë, ku jep dorëheqje menjëherë nga funksioni i tij dhe i vetëdorëzohet Tribunalit.

Michael Martensit i intereson shumë përgjigjja e Thaçit në pyetjet rreth bashkëpunimit të mekanizmave të NATO-s me UÇK-në. Përgjigjen e tij, Martensi e konsideron përgjigje të një burrështetasi. Thaçi thotë se „NATO-ja intervenoi në mbrojtjen e vlerave të saj qendrore të lirisë, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së jetës. NATO-ja na doli në ndihmë, sepse e kuptoi se kush ishim, çfarë vlera mbronim dhe ç’hiqnim nga Millosheviqi. Ata e panë nevojën tonë të madhe.“

Thaçi shpreh keqardhjen se Madeleine Albright dhe Richard Holbrooke, që e njihnin kontekstin e çështjes sonë, nuk janë gjallë. „Ata do të kishin qenë dëshmitarë të jashtëzakonshëm në këtë gjyq. Ata i kuptonin si kontekstin, ashtu edhe veprimet dhe qëllimet e kosovarëve, si dhe vendosmërinë e Millosheviqit për spastrim etnik dhe gjenocid.“

Dëbimi i rreth një milionë shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri dhe Maqedoni flet qartësisht për këtë vendosmëri të Millosheviqit dhe aleatëve të tij. Thaçi ia bën të qartë Martensit se konteksti historik ishte i atillë në Kosovë sa, pa intervenimin e NATO-s, shqiptarët e Kosovës nuk do të ekzistonin më, sepse Millosheviqi me bashkëmendimtarët e tij ishin të vendosur në ndërmarrjen e tyre ushtarake gjenocidale. Së këndejmi, Thaçi e konsideron padrejtësi të madhe të vihen para gjyqit ata që atëherë ndodheshin të vetmuar në tokë përballë ushtrisë serbe të superarmatosur dhe të vendosur për të kryer një gjenocid të madh.

Michael Martens tërheq vëmendjen nga mundësia e keqkuptimit të kontekstit të atëhershëm historik. Kosova në atë kohë ishte objekt i dhunës ushtarake serbe dhe krimet eventuale të UÇK-së ishin punktuale, reagim ndaj sulmit dhe aspak sistematike si ato serbe. Thaçi thotë se propaganda e Millosheviqit po merret në mënyrë jokritike si dëshmi për penalizimin e shqiptarëve.

Duke e krahasuar situatën e atëhershme me situatën e tanishme, ai thotë se i bie sikur sot Putini të mbledhë dëshmi kundër Zelenskyt dhe ky i fundit të dënohet pse e mbron Ukrainën nga sulmi rus. Nuk e kishte sulmuar Kosova Serbinë, por Serbia Kosovën. Ky fakt themelor nuk duhet të mjegullohet. „Shqiptarët e Kosovës luftonin thjesht për të drejtën e ekzistencës në këtë botë; bëhet fjalë për mbijetesën e tyre si individë dhe si popull.“

Martens në vazhdim shkruan se as avokatët e Thaçit s’e mohojnë mundësinë e krimeve të ndryshme nga ushtarët e UÇK-së. Por UÇK-ja s’ishte një ushtri e tillë, me hierarki dhe zinxhir komandues të paqortueshëm që do të mund ta inkriminonte udhëheqësin e saj. Thaçi në një përgjigje të tij e përmend edhe komandantin e NATO-s, Wesley Clark, i cili në dëshminë e tij para gjyqit e mbrojti Thaçin, duke e konsideruar si një viktimë të „kampanjës dezinformative ruse“.

Dëshmitarët amerikanë bënë gjithçka për ta çliruar Thaçin nga përgjegjësia. Clark tha se UÇK-ja s’ishte një ushtri e mirëfilltë, por një trupë decentralizuar e armatosur e luftëtarëve jo të rregullt që lindi si reaksion ndaj shtypjes serbe.

Nëse tribunali i merr parasysh këto argumente, atëherë duhet t’i lirojë të akuzuarit nga akuzat e ngritura kundër tyre, por Martens shkruan gjithashtu se ka pasur edhe krime që janë kryer nga shqiptarët e armatosur ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve.

Me këto fjalë mbyllet ky shkrim i gjatë: „Nëse Thaçi nuk duhet bërë përgjegjës për këto, atëherë kush tjetër duhet të bartë përgjegjësi? Edhe këtë pyetje e kemi shtruar, por Thaçi s’ka dhënë kurrfarë përgjigjeje. A do ta bëjnë të tjerët? Apo këto krime do të mbeten pa ndëshkim?“

Në fund, edhe një pyetje e autorit të këtyre radhëve: a quhet drejtësi dënimi i dikujt që s’ka kurrfarë lidhjeje me disa krime, apo thjesht juridikisht i ngarkohet dikujt barra e krimit dhe zgjidhet problemi?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar për disa…