15 ditët vendimtare për Presidentin, Kurti ende pa ftesë për Hamzën, PDK refuzon takim pa letër zyrtare

13 prill 2026 | 18:40

Kosova ka hyrë në 15 ditët vendimtare për zgjedhjen e Presidentit, sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse përgjatë këtyre dy javëve nuk arrihet marrëveshje mes partive, do të shkohet sërish në zgjedhje. Kreu i PDK’së, Bedri Hamza, ende nuk ka marrë letër për takim nga Kurti, derisa ai i LDK’së, Lumir Abdixhiku, është takuar me të javën e kaluar, ndonëse pa ndonjë rezultat.

Takimi që paralajmëroi Kryeministri Albin Kurti me kreun e PDK’së, Bedri Hamzën, për çështjen e Presidentit, ende nuk ka ndodhur.

Kreu i VV’së akoma nuk ia ka dërguar ftesën zyrtare për takim Hamzës, ashtu siç kërkoi ky i fundit.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së, Vlora Çitaku, ka deklaruar për Reporteri.net, se nuk do të marrin pjesë në takim pa letër zyrtare.

“Jo nuk kemi letër. Nuk shkojmë pa letër zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Çitakut.

Në kuadër të konsultimeve, javën që shkoi, ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili është vlerësuar si konstruktiv, ndërsa janë paralajmëruar edhe takime të tjera gjatë ditëve në vijim.

Pas takimit, Abdixhiku ka bërë të ditur se nuk ka pasur zhvillime konkrete.

“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë dhe nuk na është kërkuar ende asgjë”, deklaroi Abdixhiku pas atij takimi.

Ai ka theksuar se procesi duhet të fillojë me parimet dhe jo me emra konkretë, duke e cilësuar këtë çështje si konsensuale.

“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem, sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra, duhet të flasim për parimet njëherë… Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja.”

Nga 4 prilli, kur ka përfunduar mandati i Presidentes Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së Presidentit është Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e ka caktuar 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Reporteri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria amerikane tha se do të nisë bllokadën ndaj të…