LUSHAKU: TË NDALOHET KAPJA E GJYKATËS KUSHTETUESE!
Nesër, në Kuvendin e Kosovës, pritet të zhvillohet një votim me rëndësi të veçantë për zgjedhjen e dy gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku, ky proces nuk është thjesht një votim për emra të përveçëm, por një moment vendimtar për vetë shtyllat e shtetit – drejtësinë, Kushtetutën dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Ajo thekson se ky është një test i madh për institucionet dhe përfaqësuesit politikë: nëse do të mbrohet shteti ligjor apo nëse ai do të dorëzohet përballë interesave partiake.
Sipas Lushakut, shqetësuese mbetet fakti që në listën e kandidatëve përfshihen persona me lidhje të afërta me figura të angazhuara në propagandë politike. Në një situatë të tillë, ajo vlerëson se nuk mund të flitet më për një proces të drejtë dhe transparent, por për një tentativë për kontroll dhe kapje institucionale, që rrezikon ta shndërrojë Gjykatën Kushtetuese në instrument të pushtetit.
“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë gardiane e Kushtetutës, jo mburojë e partisë në pushtet dhe as strehë për të afërmit apo shpërblim për shërbimet politike”, thekson ajo. Sipas saj, ky institucion duhet të qëndrojë mbi politikën, dhe jo nën ndikimin e saj.
Në prag të votimit, ajo u bën thirrje deputetëve që të reflektojnë me kujdes për vendimin e tyre, duke e konsideruar këtë moment si vendimtar për drejtimin që do të marrë drejtësia në vend.
“Nesër vendoset nëse duam një gjykatë të pavarur apo një drejtësi të kapur që i shërben pushtetit”, shprehet Lushaku.
Në përfundim, ajo paralajmëron se çdo tentativë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese do të lëkundte vetë themelet e shtetit, duke e bërë këtë ditë një nga më të rëndësishmet për të ardhmen institucionale të Kosovës.



