Shahini: Vonesat politike po rrezikojnë përfitimet e Kosovës nga Plani i Rritjes së BE-së

17 prill 2026 | 12:02

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka kritikuar institucionet e Republikës së Kosovës në lidhje me vonesa në përmbushjen e obligimeve që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.

Shahini në një intervistë për “Ekonomia Online” ka thënë se Kosova po përballet me humbje të kohës dhe të përfitimeve financiare nga ky plan, i cili kap vlerën mbi 882 milionë euro.

Ai ka theksuar se deri më tani vendi ka arritur të përfitojë rreth 61 milionë euro, që përbën vetëm rreth 7% të shumës së premtuar.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve ka qenë gjatë gjithë kohës kritikuese e institucioneve të Republikës së Kosovës për humbje të kohës dhe të përfitimit nga plani i rritjes ku janë mbi 882 milionë euro, dhe kur tashmë është bërë e ditur se rreth 61 milionë euro ne do t’i kemi në dispozicion, është vetëm 7% nga shuma e premtuar për Kosovën. E vendi ynë është zotuar që do t’i plotësojë mbi 111 kritere ose hapa të cilët duhet të merren. Po ashtu, Kosova për t’i plotësuar të gjitha këto duhet në faza në vazhdimësi. Deri në qershor duhet t’i plotësonte më së paku edhe nja 13 kritere, e që është afati shumë i shkurtër dhe besoj e shpresoj se Kosova do t’i arrijë këto. Nëse jo, atëherë kriza politike do të bartet në krizën ekonomike dhe fajtorë janë politikanët. Po ashtu, pritet që deri në fund të vitit institucionet e Kosovës t’i bëjnë edhe 27 kritere të tjera t’i plotësojnë për të arritur si përfitues i barabartë me regjionet e tjera, sepse Shqipëria dhe Serbia kanë marrë përafërsisht mbi 180 milionë euro deri tash, kurse Kosova tash ka filluar, për shkak të ngërçeve politike, për shkak të paqartësive politike dhe zbehjes së raporteve me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Shahini.

Ai ka thënë se nëse Kosova vazhdon të humbë edhe më tutje, përgjegjësia duhet të kërkohet në Prishtinë e jo në Bruksel. “Sado një hap i vogël që ka marrë Qeveria e Kosovës dhe këto marrëveshje që janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, mungesa e tyre neve na ka zgjatur. Tash e dy vjet kemi qenë në sanksione dhe nuk kemi përfituar asgjë. Prandaj nëse ne do të humbim edhe më tutje, atëherë ne duhet ta kërkojmë përgjegjësinë në Prishtinë dhe jo në Bruksel”, ka thënë ai.

Pas ratifikimit në Kuvend të marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, të enjten Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje sipas Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë kështu një stimul të rëndësishëm avancimit të reformave.

Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, parafinancimi përfaqëson 7% të totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi të favorshme në dispozicion të Kosovës në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike deri në fund të vitit 2027.

Këto mjete, sipas njoftimit, do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në.

“Prej 61.8 milionë eurove, sot në buxhetin e Kosovës janë bartur 28.74 milionë euro kredi, ndërsa shuma e mbetur – 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) – do të kanalizohet përmes WBIF-it”, ka theksuar Nikola Gaon, zëdhënës i BE-së në Kosovë të enjten.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar…