I akuzuari për Banjskën, Vladimir Toliq: U nisa verbërisht, nuk e dija ku po shkonim
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjatë fjalës përfundimtare, i akuzuari për sulmin në Banjskë, Vladimir Toliq, ka mohuar përfshirjen aktive në planin për sulm, duke pretenduar se ishte gjendur në atë situatë pa dijeni paraprake. Toliq, i cili u arrestua i plagosur pas sulmit të 24 shtatorit, i kërkoi trupit gjykues që të mos gjykohet mbi “supozime”, por mbi prova, duke insistuar se ai nuk është përgjegjës për vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Gjatë dëshmisë së tij, Toliq pranoi praninë në vendngjarje, por mohoi të kishte informacion për qëllimin e grupit.
“Unë kam qenë në Banjskë atë ditë dhe këtë gjë nuk e kam mohuar asnjëherë. Por e tërë kjo që më vihet në barrë dhe çfarë shkruhet në aktakuzë si veprime apo pjesëmarrje imja, nuk është e vërtetë. Unë nuk e kam ditur se çfarë do të ndodhte atë ditë; jam nisur verbërisht sepse askush nuk më ka thënë se ku po shkonim. Edhe vetë jam çuditur kur jam gjendur në fshatin Banjskë dhe as nuk kam mundur të supozoj se do të vinte deri te tragjedia. Nuk kam dashur të marr pjesë në të, e lëre më të shkaktoj farëdo dhune”, deklaroi ai.
I akuzuari u shpreh se plagosja e rëndë i ka ndryshuar perceptimin për jetën, duke përmendur faktin se jeta e tij u shpëtua nga mjekët në Prishtinë.
“Atë ditë kam qenë i plagosur rëndë dhe kam qenë në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Që nga ai moment, nuk i kam ofruar vetes ndihmën e parë sepse kam qenë vetëm, mirëpo më vonë ishte një mjek ai që më ka operuar dhe më ka shpëtuar jetën. Këtë që po e them nuk po e them për herë të parë; mjekut i kam borxh të madh. Kjo gjë më ka ndryshuar, sepse kur jeta jote varet nga dora e dikujt për disa minuta, ndryshe e shikon jetën, njerëzit dhe pasojat”.
“Në seancën e kaluar dëgjuam se si në këtë sallë gjoja nuk është dëgjuar kërkimfalje apo pendim për gjithçka që ka ndodhur. Nga avokatët e të dëmtuarve nuk më bën përshtypje, sepse ata nuk kanë qenë të pranishëm në shumicën e seancave, por më habit prokurori, i cili është i obliguar të jetë në secilën seancë. Unë po i përsëris deklaratat e mia: më vjen keq për gjithçka që ka ndodhur, më vjen keq për jetët e humbura dhe për njerëzit që janë lënduar. Por e gjithë kjo nuk është diçka që unë e kam bërë dhe arsyeja është se nuk jam fajtor për një gjë të tillë”
Toliq u mundua ta bindë gjykatën për profilin e tij si një njeri pa precedentë penalë, duke vënë theksin te profesioni i tij në ansamblin folklorik në Zveçan.
“Unë, i nderuar gjyqtar, jam njeri familjar kam bashkëshorten dhe dy fëmijë, dhe tërë jetën jetoj në Zveçan. Jam rritur pa baba dhe nëna na ka mësuar gjithmonë të jemi të mirë, të ndershëm dhe punëtorë; i tillë kam qenë gjithmonë. Kam jetuar qetë, i tërhequr dhe kurrë nuk kam pasur probleme me ligjin”.
“Unë jam njeri që punoj me folklorin dhe kjo nuk është hobi, por mënyrë jetese. Që nga viti 1995 unë vallëzoj; deri në vitin 2009 kam qenë vetëm valltar, ndërsa nga viti 2009 deri në 2023 kam qenë udhëheqës artistik dhe anëtar i bordit drejtues. Qindra njerëz kanë kaluar nëpërmjet punës sime. Folklori më ka dhënë shumë; aty kam njohur bashkëshorten dhe shokët, më ka dhënë mundësinë të njoh vende, qytete dhe kultura të tjera. Këtë e them për të treguar se çfarë njeriu kam qenë para kësaj ngjarjeje dhe çfarë njeriu kam mbetur”.
“Mirëpo sot dëgjoj se si qenkam ‘terrorist’, se si jam përgjegjës për vdekjen e policit apo se si kam dashur ta ‘shkëpus’ veriun e Kosovës. Vetëm pyes: ku janë provat për këto gjëra? Askush nuk ka thënë se kam gjuajtur, askush nuk ka thënë se kam sulmuar apo lënduar dikë, askush nuk ka thënë se kam pasur ndonjë rol komandues. Pasi nuk ka prova, ju lutem t’i bëni një pyetje vetes: a duhet të gjykohem për diçka që nuk e kam bërë? A duhet të dënohem për diçka për të cilën janë përgjegjës njerëzit që janë në arrati?“, deklaroi Toliq.
Ai hodhi akuza ndaj Prokurorisë Speciale për montim të armatimit në raportet policore.
“Unë nuk kërkoj asgjë më shumë se ajo që parasheh ligji, të gjykohem në bazë të provave, jo supozimeve. Në aktakuzë thuhet se atë ditë kam qenë i lënduar, që është e vërtetë. Por e demantoj Prokurorinë Speciale për armët që më janë montuar, siç janë zolla dhe murtaja, të cilat sipas raporteve policore i paskam pasur në krah në momentin e arrestimit. Në aktakuzë kemi vetëm një foto timen kur zyrtarët policorë më largojnë nga vendi i ngjarjes.”
Avokati i Toliqit, Millosh Deleviç, gjatë fjalës së tij përfundimtare ka argumentuar se prania e klientit të tij në vendngjarje nuk dëshmon se ai ka shtënë në drejtim të policisë.
Provat e Prokurorisë Speciale, ai i cilësoi të pamjaftueshme për të vërtetuar pjesëmarrjen aktive në sulm.
Sipas avokatit Deleviç, prova kryesore mbi të cilën bazohet aktakuza nuk qëndron.
“Prova kryesore që e posedon prokuroria speciale kundër Vladimir Toliq, prova me numër 21 nga raporti i bastisjes apo kontrollimit të armës, çka është gjetur te xhaketa ushtarake prania e nitrateve dhe nitriteve, pra që nuk provon për të shtëna. Prokuroria pretendon se në bazë të kësaj dëshmon se ka marrë pjesë në gjuajtje, për mua kjo është e pakuptimtë“, tha ai.
Deleviç shtoi se Prokuroria përdor vetëm dy fakte kundër Toliqit faktin që ishte i plagosur dhe që kishte veshur uniformë.
Ai insistoi se: “Nuk kam gjuajtur në drejtim të policëve”.
Mbrojtja kërkoi nga Gjykata që të rishikojë cilësimin juridik të veprës, duke pretenduar se Toliq nuk kishte rol vendimmarrës apo komandues në grupin e Banjskës.
“Gjykata këtë cilësim juridik të prokurorit special, nuk ka elemente të veprës penale terrorizëm. Nuk po them që Vladimiri është i pafajshëm, por nuk ka të bëjë me terrorizëm. E kemi një shprehje në gjuhën serbe: Ai ka qenë bira e fundit e kavallit, plotësisht i parëndësishëm, njeri i margjinalizuar në këtë rast”, deklaroi Deleviç.
Prokuroria Speciale ka kërkuar burgim të përjetshëm për Toliqin dhe dy të akuzuarit e tjerë, duke i konsideruar pjesë kyçe të celulës që kreu sulmin terrorist në shtator të vitit 2023.



