Shtohen veteranët e UÇK-së, ky është numri përfitues në mars
Skema e shtesave për fëmijë rezulton të ketë numrin më të madh të përfituesve në kuadër të skemave të mirëqenies sociale në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin mars 2026, në këtë skemë janë përfshirë mbi 404 mijë përfitues me mbi 14 milionë euro, duke lënë pas dukshëm të gjitha kategoritë e tjera.
Sipas ASK-së, pas kësaj skeme, numrin më të madh të përfituesve e kanë pensionet bazë të moshës, me mbi 165 mijë përfitues me mbi 25 milionë euro, ndërsa skemat tjera kanë shifra më të ulëta.
Ndërkaq, referuar publikimit të fundit nga ASK-ja, numri i veteranëve të luftës së UÇK-së, në mars 2026 ka shënuar rritje për 543 krahasuar me muajin paraprak, shkurt 2026. Në mars ky numër arrin 38 mijë e 437, me mbi 7 milionë euro pagesa për këtë kategori. Në muajin shkurt, numri i veteranëve për këtë kategori ishte 37 mijë e 893.
Ndërkohë, kategori të tjera si pensionet për personat me aftësi të kufizuara, veteranët e luftës dhe skemat e ndryshme kompensuese vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm, por me shpenzime dukshëm më të ulëta krahasuar me pensionet bazë.




