Termokosi njofton: Ndërpritet përkohësisht furnizimi me ngrohje – kjo është arsyeja
Kompania “Termokos” ka njoftuar konsumatorët se furnizimi me ngrohje do të ndërpritet përkohësisht në orët e para të së shtunës. Kjo, sipas tyre, do të ndodhë për shkak të ndaljes së kontrolluar të njësisë B2 të TC Kosova B, e cila do të pamundësojë furnizimin me avull për prodhimin e energjisë ngrohëse. “Gjatë kësaj periudhe, furnizimi me ngrohje do të vazhdojë vetëm për klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes ngrohtores që mbulon nevojat e kësaj qendre.Kjo ndërprerje e përkohshme do të shfrytëzohet për të adresuar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të këtij sezoni ngrohës” .
Gjithashtu, Termokos kërkoi mirëkuptim dhe bëri të ditur se do të jetë në koordinim të ngushtë me KEK-un për rikthimin e furnizimit me avull.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme Klankosova.tv raportoi se edhe KEK-u njoftoi për ndaljen e njësisë B2 sonte pas mesnatës.



