Dogana zbulon 300 produkte për mbrojtjen e bimëve të padeklaruara në Vërmicë
Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për kontrabandimin e 300 produkteve për mbrojtjen e bimëve në pikën kufitare në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit të një kamioni me mallra që po hynte në Kosovë, zyrtari doganor ka vërejtur një hapësirë të modifikuar në automjet, teksa po kryheshin kontrollet dhe vendosja e plumbçes doganore.
Kur është pyetur nëse kishte mallra të tjera për të deklaruar, drejtuesi i kamionit nuk ka raportuar asgjë shtesë.
Gjatë kontrollit të hapësirës së dyshimtë, zyrtarët kanë gjetur disa qese, për të cilat shoferi kishte deklaruar se përmbanin rroba personale. Megjithatë, kontrolli i detajuar ka zbuluar 300 produkte për mbrojtjen e bimëve, për të cilat nuk ishte paraqitur as faturë dhe as dokumentacion përkatës.
Lidhur me rastin, Dogana ka iniciuar procedurë kundërvajtëse në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e kontrabandës dhe futjes së mallrave të padeklaruara, të cilat mund të paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve, mjedisin dhe bujqësinë.



