Kosova shënon deficit tregtar prej 534 milionë eurosh në shtator

23 tetor 2026 | 14:00

Kosova ka shënuar deficit tregtar prej 534 milionë eurosh në shtator 2026, krahasuar me 520.5 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025, që paraqet një rritje prej 2.6 për qind, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin më të fundit mbi rrjedhat e eksportit dhe importit për shtatorin e vitit 2026, ASK-ja ka bërë të ditur se eksporti i mallrave mbulon importin me 17 për qind, transmeton “KosovaPress”.

Eksporti i mallrave në shtator 2026 ka arritur vlerën prej 109.4 milionë eurosh, ndërsa importi ka kapur shifrën prej 643.4 milionë eurosh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, eksportet janë rritur për 27.5 për qind, ndërsa importet për 6.1 për qind.

Eksportet sipas grupeve kryesore

Sipas të dhënave të ASK-së, metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbëjnë 24.3 për qind të eksporteve, produktet minerale 17.1 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre 10.3 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 10.1 për qind, ndërsa artikujt e ndryshëm të prodhuar 6.9 për qind.

Importet sipas grupeve kryesore

Në strukturën e importeve, produktet minerale përbëjnë 19.8 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 11.8 për qind, mjetet e transportit 11.2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike 11.1 për qind, ndërsa metalet bazë dhe artikujt prej tyre 10.1 për qind.

Tregtia me Bashkimin Evropian

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian kanë arritur në 34.2 milionë euro, ose rreth 31.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, duke shënuar rritje prej 22.1 për qind. Partnerët kryesorë për eksport kanë qenë Gjermania me 9.8 për qind, Holanda me 2.7 për qind dhe Bullgaria me 2.3 për qind.

Ndërkaq, importet nga vendet e BE-së kanë arritur në rreth 281 milionë euro, ose 43.7 për qind të importeve të përgjithshme, me rritje prej 12.7 për qind. Pjesëmarrjen më të madhe në importe e kanë pasur Gjermania me 12.5 për qind, Greqia me 6.5 për qind dhe Italia me 4.4 për qind.

Tregtia me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s kanë arritur në 55.6 milionë euro, ose 50.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, duke shënuar rritje prej 36.8 për qind. Partnerët kryesorë kanë qenë Shqipëria me 25.3 për qind, Maqedonia e Veriut me 13.9 për qind, Mali i Zi me 5 për qind dhe Serbia me 4.5 për qind.

Importet nga vendet e CEFTA-s kanë arritur në 86.7 milionë euro, ose 13.5 për qind të importeve të përgjithshme, duke shënuar rënie prej 1.2 për qind. Pjesëmarrjen më të madhe në importe e kanë pasur Maqedonia e Veriut me 6.2 për qind, Shqipëria me 3 për qind dhe Serbia me 3 për qind.

Tregtia me vendet e tjera

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të tjera kanë arritur në 19.6 milionë euro, ose 17.9 për qind të eksporteve të përgjithshme. Partnerët kryesorë në këtë grup kanë qenë Zvicra me 8 për qind dhe Turqia me 3.6 për qind.

Ndërsa importet nga vendet e tjera kanë arritur në 275.7 milionë euro, ose 42.8 për qind të importeve të përgjithshme. Në këtë grup, Kina ka pasur pjesëmarrje prej 15.2 për qind, ndërsa Turqia prej 10.5 për qind.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së…