Ligj për konfiskim apo amnistim të krimit mbi pasuritë publike?

24 prill 2026 | 13:40

Shkruan: Hisen Berisha

(Kufizimi i hetimit pas vitit 2008, mburojë për abuzimet me pasurinë publike nga 1999-2008)

Miratimi i Ligjit për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në Kuvendin e Kosovës nuk mund të lexohet thjesht si një hap në luftën kundër korrupsionit. Përkundrazi, mënyra se si është konceptuar dhe periudha që ai përfshin, e kthejnë këtë nismë në një instrument selektiv, me pasoja të rënda për drejtësinë dhe vetë shtetin e së drejtës.
Kufizimi i periudhës së hetimit të pasurisë me fillim nga viti 2008 e tutje deri sot e në vazhdim është jo korrekte. Shmangia e hetimit, siç e kam deklaruar në foltoren e Kuvendit, nga “hazreti Ademi apo Adami e deri te pasardhësit tanë”, është fshehje dhe rehabilitim amnistues i krimit me pasuritë publike të shtetit dhe kryerësve të këtyre krimeve. Por, për shkak të specifikave të statusit të Kosovës para luftës në Serbi e Jugosllavi, duhet të përfshihet si periudhë e konsolidimit të pasurisë viti 1999 e tutje deri sot e në vazhdim.
Sepse është pikërisht periudha 1999-2008, kur është kriminalizuar e abuzuar, në emër të çdo arsyeje përveç ligjit, me pasuritë publike shtetërore, ndërmarrje trashëgimi e sistemit socialist jugosllav.
Sa i përket blerjeve të rregullta ligjore të pronave private të serbëve kolonë, apo atyre që për shkak të duarve të lyera me gjak kanë ikur, duhen përgëzuar dhe parë si akt patriotik. Por, këtu nuk hyjnë pronat publike që i mbanin të uzurpuara eksponentë serbë që përfaqësonin fuqinë e regjimit serb të kohës. Këto blerje duhet të jenë pjesë e hetimit në kontekst të bashkëpunimit me kriminelë. Ka shumë shembuj ku shqiptarë që ende ruajnë lidhje me strukturat kriminale serbe të kohës së regjimit të Millosheviçit, prej tyre fatkeqësisht edhe njerëz që rastësisht janë nga familje me peshë në sakrifica për liri, po blejnë në mënyra korruptive e kriminale nga kriminelë serbë, që me ligjet e Kosovës janë në ndjekje për krime lufte.
Kurse në periudhën 1999-2008 ka ndodhur abuzimi e keqpërdorimi më i madh i pronave publike, toka, objekte etj. Abuziv deri në inkriminim është edhe vetë procesi i privatizimit dhe mënyra e realizimit të përvetësimit të pronave.
Ky proces, që me një hetim serioz do të nxjerrë në pah se kemi edhe natyra të krimit të organizuar jashtë dhe brenda institucionit të administrimit të privatizimit, duhet ti nënshtrohet një hetimi special.
Prandaj, ligji kërkon rishqyrtim në këtë segment, bashkë me vetë procedurën e identifikimit dhe konfiskimit, me theks, ndjeshmërinë e prejardhjes së parasë për blerje e pagesa, me theks kur ajo ndërlidhet me punën informale apo “në të zezë” në mërgim, identifikimi i të cilave i inkriminon mërgimtarët, të cilët me ato remitenca të punës në “të zezë” kanë mbajtur jetën gjallë në Kosovë në familjet e tyre.
Kurse prejardhja e parasë së përvetësuesve/blerësve në Kosovë, nëse do të bëhej në mënyrë profesionale e korrekte, do të dalin në shesh abuzues e spastrues të parave të pista të krimit, që do të inkriminojnë tërë sistemin ekonomik të Kosovës.
Veç po të hetohet krimi i organizuar i qendrave kadastrale në komuna specifike si në Gjakovë, Prishtinë e ndonjë komunë të madhe në territor, do të tmerrohet edhe vetë drejtësia për dimensionin e krimit të organizuar me pronat, si dhe për heshtjen përballë këtij krimi, që ka ndodhur nga vet drejtësia, si pasojë e kapjes dhe komprometimit e të hendikepimit të organeve të hetuesisë.
Nëse koha e hetimit mbetet e kufizuar nga viti 2008 e mbrapa, atëherë ky ligj, në vend se të luftojë krimin, e rehabiliton dhe e amniston thelbin e tij, që janë peshqit e mëdhenj të këtij krimi kundër pronës publike dhe shtetit.
Shpresohej që Gjykata Kushtetuese do ta mbronte kushtetutshmërinë dhe shtetin në këtë vend, sidomos pasi e kishte kthyer mbrapsht dy herë radhazi këtë ligj. Por zhvillimet procedurale rreth zgjedhjes së presidentit e kanë zbehur këtë besim dhe e kanë vendosur këtë institucion nën dyshime serioze për pavarësinë e tij.
Një shpresë tjetër ishte Komisioni i Venecias, i cili kishte dhënë opinion negativ tre herë radhazi. Megjithatë, inicimi i një rishqyrtimi të ri varet nga kryeparlamentari, gjë që, në rrethanat aktuale, lë shumë pak hapësirë për optimizëm.
Kjo tregon qartë se ky ligj prek pothuaj të gjithë personat e veshur me pushtet, dhe ata prapa të cilëve qëndrojnë të “fuqishmit” si mbështetje financiare dhe proksit e tyre, strukturat e fuqishme pa traditë në pasuri, që janë pasuruar nga paraja e krimit.
Në këtë kontekst, mënyra formale e veprimit për identifikimin, kontestimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, sipas draftit të kontestuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, ngjan më shumë me praktikat e ligjeve represive, si ai për “kulakët” në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, sesa me një mekanizëm modern të drejtësisë.
Prandaj, në vend të një ligji selektiv dhe potencialisht abuziv, mbetet aktual dhe i domosdoshëm modeli i propozuar më herët nga z. Kadri Vedeli, në programin elektoral të vitit 2019, për hetimin e plotë të procesit të privatizimit; themelimin e Byros për hetimin e pastërtisë së figurës përmes një ligji të mirëfilltë për lustracionin; si dhe përjashtimi nga e drejta për kandidim i kujtdo që ka qenë i dënuar për çfarëdo natyre krimi në çeroudhën e pasliftës. Vetëm një qasje e tillë gjithëpërfshirëse dhe e drejtë mund të rikthejë besimin në drejtësi dhe të vendosë standarde reale të përgjegjësisë në Republikën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Prime Invest Group” SH.P.K. me numër Unik Identifikues: 812182450, Prishtinë…