Kryetarja e AShAK-ut: Akademik Qosja ishte një institucion në vete, zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i palëkundur i së vërtetës
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Rexhep Qosjes.
Në këtë mbledhje është vlerësuar lartë jeta dhe vepra e akademik Rexhep Qosjes. Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ka cilësuar të ndjerin Qosja si zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i së vërtetës.
“Akademik Qosja ishte më shumë se një shkrimtar. Ai ishte një institucion në vete, një zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe një mbrojtës i palëkundur i së vërtetës. Humbja e tij nuk është vetëm humbje e letërsisë dhe kulturës sonë. Ajo përmban një humbje të madhe kombëtare, një zbrazëti që prek ndërgjegjen intelektuale të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Veprimtaria e tij shumëdimensionale si studiues, shkrimtar, kritik letrar dhe mendimtar publik përfaqëson arritje të rëndësishme të kulturës shqiptare bashkëkohore. Ai ndërtoi një opus të gjerë dhe të qëndrueshëm, i cili jo vetëm pasuroi fondin tonë shkencor e letrar, por edhe kontribuoi në frymëzimin e vetëdijes sonë kombëtare në periudha vendimtare historike. Trashëgimia e tij do të mbetet një udhërrëfyes i çmuar, një pasuri e mendimit, e krijimtarisë dhe integritetit që do të vazhdojë të frymëzojë brezat që vijnë”.
“Vepra e tij do të vazhdojë të jetë si një referencë e rëndësishme e dijes dhe si një burim frymëzimi për studiuesit, krijuesit dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e mendimit të lirë .Akademik Qosja mishëroi në mënyrë të denjë figurën intelektuale të angazhuar, të përkushtuar ndaj së vërtetës dhe të palëkundur në mbrojtje të vlerave themelore të shoqërisë. Ai mbeti gjithmonë konsekuent në mendimin e tij, duke dëshmuar integritet të lartë dhe guxim qytetar edhe në rrethana kur fjala e lirë kërkonte sakrificë”, ka thënë Shiroka-Pula.



