Zhvillimet e fundit politike deshmi se Kuvendi i Kosovës po shndërrohet në instrument të një vullneti të centralizuar politik
Shkruan: Hisen Berisha
Situata që kishim në Kuvendin e Kosovës nuk mund të reduktohet në një krizë procedurale apo në një ngërç teknik të përkohshëm. Ajo deshmoi ekzistimin e një krizë të thellë politike dhe institucionale, e cila buron nga mungesa e vullnetit për funksionalizimin e rendit demokratik dhe nga një qasje e qëllimshme për kontroll përmes bllokimit.
Moskonstituimi i plotë i institucioneve nuk ishte rastësi, por produkt i një strategjie të zvarritjes politike, e cila e deformon thelbin e demokracisë parlamentare.
Ky realitet e vendos shtetin në një pozitë të rrezikshme, ku faktueshëm interesat partiake mbizotërojnë mbi interesin publik dhe mbi detyrimet kushtetuese.
Kuvendi, si institucioni themelor i përfaqësimit qytetar, po e humb funksionin e tij dhe po mundohen ta shndërrojnë në instrument të një vullneti të centralizuar politik.
Kur institucioni ligjvënës nuk arrin të kryejë rolin e tij, kemi të bëjmë me një deformim të vetë sistemit shtetëror.
Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe bie mbi shumicën parlamentare dhe ekzekutivin. Ata posedusn jo vetëm numrat, por edhe detyrimin kushtetues për të garantuar funksionalitet institucional. Çdo shmangie nga ky obligim përbën shmangie nga përgjegjësia shtetërore dhe dëshmon një mendësi politike që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete, jo si mjet për qeverisje.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë situatë është fakti se kriza nuk reflekton paaftësi, por strategji.
Krijimi i krizave artificiale është një metodë e njohur për të prodhuar hapësirë për imponim politik.
Në këtë rast, bllokimi institucional shërben si instrument për kontroll dhe për rikonfigurim të balancave politike jashtë rregullave të zakonshme demokratike.
Pasojat e kësaj qasjeje janë të shumëfishta dhe afatgjata, që qojnë te dobësimi i institucioneve, rënia e besimit qytetar dhe dëmtimi i kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Një shtet që nuk arrin të funksionojë normalisht në organin e tij kryesor përfaqësues, dërgon sinjale pasigurie në të gjitha nivelet, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Prandaj, në këto rrethana krize funksionimi të shtetit, për shpëtimin politik të tij, nevojitet një distancim i qartë i qytetarëve, kjo nënkupton edhe të votuesve brenda subjekteve elektorale ku takojmë përkatësisht, nga deformimet politike dhe elektorale që ndikojnë në orientimin dhe determinimin e votës.
Sistemi aktual, i korruptuar dhe i komprometuar elektoral, u ka hapur rrugë prurjeve të padinjitetshme në institucionet e përfaqësimit qytetar. Këto prurje, përballë filtrave të një ligji të mirëfilltë të lustracionit, do të privoheshin nga çdo mundësi për të cenuar institucionin dhe për të përdhosur dinjitetin qytetar dhe shtetëror të Kosovës.
Nëse kjo logjikë vazhdon, rreziku për thellim të krizës është real. Krizat politike nuk mbesin statike, ato përshkallëzohen dhe, në mungesë të reflektimit, mund të shndërrohen në krizë të plotë institucionale, deri në defunksionalizim kushtetues të shtetit.
Një zhvillim i tillë jo vetëm që cenon rendin demokratik, por hap rrugë për ndërhyrje dhe presion ndërkombëtar, duke dëshmuar dështim të brendshëm të klasës politike.
Rruga e daljes nga kjo situatë është e njohur, dhe në dukje mendëson të jet e lehtë në aspekt teorik, por kërkon vullnet politik, që do të thotë, respektim strikt të rendit kushtetues dhe kurajo qytetare për tejkalim të vetëvetes, për arritjen e një marrëveshjeje politike për funksionalizimin e institucioneve. Kjo nuk mund të arrihet përmes simulimit të kompromisit apo lojërave taktike, por vetëm përmes vendimmarrjes së përgjegjshme dhe transparente.
Në këtë kontekst, roli i opozitës mbetet kontrollues dhe kritik, por përgjegjësia për zgjidhje nuk mund të transferohet tek ajo. Nuk mund të kërkohet që opozita të zhbllokojë një situatë të krijuar nga shumica e ciila e ka bllokuar.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se edhe vetë skena opozitare ka nevojë për riorganizim më të qartë politik dhe ideologjik.
Kriza aktuale ka ekspozuar një problem më të thellë të sistemit politik në Kosovë që nënkupton mungesën e profilizimit të qartë filozofik dhe ideologjik të partive politike. Përplasjet aktuale nuk janë vetëm për pushtet, por edhe pasojë e mungesës së një strukture të mirëfilltë politike të ndërtuar mbi parime dhe orientime të qarta.
Në këtë drejtim, bëhet e domosdoshme riorganizimi i skenës politike në bazë të frymave ideologjike dhe filozofike. Krijimi i blloqeve politike të qarta, të djathta, konservatore dhe liberale në njërën anë, dhe të majta në anën tjetër, do të ndihmonte në kthimin e politikës nga një garë për pushtet në një garë për ide dhe programe. Një organizim i tillë do të sillte më shumë qartësi për qytetarët dhe më shumë përgjegjësi për aktorët politikë.
Iniciativa për ndryshimin e mënyrës së votimit duhet të mbështetet si domosdoshmëri në këtë situatë të mosfunksionimit normal të institucioneve, si Qeveria dhe Kuvendi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndërmarrë reforma konkrete në mënyrën e votimit, sigurimit dhe numërimit të votës, duke garantuar integritet të plotë të procesit.
Është e domosdoshme të eliminohet praktika aktuale që lejon votuesin të përzgjedhë deri në dhjetë kandidatë brenda listës, një mekanizëm që deformon përfaqësimin dhe prodhon pabarazi reale në garë. Reforma duhet të synojë një sistem modern, me votim, evidentim dhe verifikim digjital, në funksion të transparencës dhe besueshmërisë së plotë të procesit zgjedhor.
Në mungesë të këtij transformimi, skenari i zgjedhjeve të reja mbetet i mundshëm. Megjithatë, zgjedhjet nuk duhet të përdoren si alibi për dështimet aktuale, por si mjet për rivendosjen e legjitimitetit dhe për rifunksionalizimin e sistemit. Edhe pse në konotacionin politik aktual do rezultojnë veç se ricikluese të krizës dje paqëndrueshmërisë juridike e politike.
Në fund, mesazhi për qytetarët është i qartë, kjo nuk është një përplasje e zakonshme politike, por një çështje që prek vetë funksionimin e shtetit. Institucionet nuk janë pronë e partive politike, por e qytetarëve. Prandaj, rikthimi i besimit në politikë kërkon rikthimin e vlerave, të përgjegjësisë dhe të përfaqësimit të mirëfilltë.
Vetëm përmes një reflektimi të thellë politik dhe një riorganizimi të sinqertë të skenës politike, Kosova mund të dalë nga kjo krizë dhe të rikthehet në rrugën e funksionimit demokratik dhe të stabilitetit afatgjatë.



