Turpi digjital: kur as dasmat nuk i shpëtojnë urrejtjes së organizuar
Shkruan: Halit Krasniqi
Nga katër gjeneralë të dalë nga lufta e UÇK-së, te plagët, burgjet dhe humbjet e njëpasnjëshme – dhe në fund, një gëzim i vetëm që u sulmua me fyerje Nëse ka mbetur ende një vijë që nuk duhet kaluar, ajo është dita e dasmës. Por edhe kjo vijë u shkel. Thirrjet për fyerje të organizuara ndaj familjes Haradinaj në rrjetet sociale nuk janë më “komente të ashpra”. Janë linçim. Një mobilizim i qëllimshëm për poshtërim publik në një moment që duhet të ishte vetëm gëzim. Trandja në sistemin e vlerave tona nuk është rastësi — ajo ushqehet. Adresa me filialat e saj dihet. Dhe kjo është një familje emblematike me kontribute të veçanta që nga lufta e UÇK-së ka nxjerrë katër gjeneralë. Dy prej tyre ranë dëshmorë. Të tjerë mbijetuan me plagë plumbash në trup. Pas luftës, dy prej tyre përjetuan burgosje, ndërsa një tjetër – me kontribut në luftë dhe perspektivë në uniformë ushtarake të kohës në TMK – u vra në pritë. Kjo është një histori me sakrifica, që meriton respekt maksimal. E kujtoj një moment që sot merr një kuptim tjetër. Në Tiranë, në kohë zie të pa shpallur për rënien e Luanit dëshmor, u takuam me Nasimin – si shokë të një qelie në burgun e Pejës – dhe me Ramushin, për t’i furnizuar me armatim në një kohë kur lufta po përgatitej me vendosmëri. Atëherë nuk mund ta imagjinoja dot se çfarë rrjedhash të dhimbshme familjare do të pasonin për ta. Por u ndamë me një bindje të qartë: se në radhët e organizuara të UÇK-së kishim njerëz të vendosur, që nuk do të tërhiqeshin. Sot, kur shoh se si në një ditë gëzimi për këtë familje organizohet urrejtje, kontrasti është i rëndë. Sepse në qendër të gjithë kësaj është edhe dimensioni njerëzor: nëna Rukë, model i nënës heroinë me plagë të njëpasnjëshme humbjesh; dhe një tjetër nënë, bashkëshortja e një dëshmori, që ka rritur me pikëllim djalin e saj – duke e ruajtur si të vetmin gëzim në një jetë të mbushur me dhimbje, nga rënia e bashkëshortit hero, nga humbjet në familje dhe nga tragjedia e djalit të saj 10-vjeçar, përjetime këto që do ta thyenin çdo njeri. Pikërisht djali i vetëm i saj po martohej. Në një shoqëri normale, përballë një historie të tillë, reagimi minimal do të ishte respekti. Nëse jo bashkimi në gëzim, atëherë të paktën heshtja. Një heshtje që edhe ajo është dinjitet. Por në vend të kësaj, u organizua fyerja. Kjo është dështim i komunikimit publik. Dhe më keq ende, është dëshmi se sa lehtë mund të rrëshqasim në një kulturë ku urrejtja bëhet normë — shpesh e nxitur, e amplifikuar dhe e shfrytëzuar për përçarje, edhe nga aktorë të adresave që nuk i duan të mirë kësaj shoqërie. Platformat si Facebook vetëm sa e lehtësojnë këtë fenomen. Por përgjegjësia mbetet individuale. Çdo koment është zgjedhje. Sot është kjo familje. Nesër mund të jetë cilado tjetër. Nëse nuk vendosim kufij sot, nuk do të kemi më asnjë kufi nesër. Sepse një shoqëri që nuk di të respektojë dhimbjen dhe gëzimin e tjetrit, nuk rrezikon vetëm etikën — rrezikon qenësinë e vetvetes.



