I jepet lamtumira e fundit ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi
Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, është përcjellë sot për në banesën e fundit, mes nderimeve shtetërore dhe pjesëmarrjes së lartë të figurave politike, familjarëve dhe qytetarëve.
Ceremonia e homazheve u zhvillua në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku të pranishëm ishin edhe figura të larta të shtetit, si presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi.
Pas homazheve që nisën në orën 09:30 dhe atyre zyrtare në orën 12:00, në orën 12:30 u mbajt ceremonia e përcjelljes sipas protokollit shtetëror. Kortezhi mortor u nis në orën 13:00 drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i tij
Gjatë homazheve, personalitete të politikës shqiptare vlerësuan figurën dhe kontributin e Pëllumbit ndër vite.
Servet Pëllumbi u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të spikatur në jetën politike dhe akademike të vendit, si një nga figurat më të rëndësishme të parlamentarizmit shqiptar./rtsh.al



