Mbi librin e Bardhyl Mahmutit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshëm” bashkëbisedim me botuesin Muhamet Mavraj

07 maj 2026 | 19:13

Bedri Islami – publicist, shkrimtar / Ish kryetar i LPK-së gjatë kohës së luftës në Kosovë

Në kohën kur njeriu shqiptar, i çoroditur rëndshëm nga të panjohurat e fundshekullit të shkuar dhe spekulimet ndaj asaj që kishte ndodhur dhe përbënte njërën ndër epokat më të lavdishme të historisë së kombit, ka nevojë më shumë se kurrë për gjetjen e drejtpeshimit dhe të vërtetës, atij i afrohet një libër që , jo vetëm për të tashmen, por veçanërisht në të ardhmen, ka vlera sublime, të pakrahasuara me asnjë libër tjetër, që, në kaq vite, nga autorë të ndryshëm, pjesë ose kundërshtarë të luftës çlirimtare, kanë dhënë, analizuar e paraqitur në lexuesit , sidomos te shqiptarët e Kosovës.  Ngjarje të largëta ose të afërta, personazhe që bënë një pjesë të historisë sonë apo e ndryshuan atë në kahun e së mirës, të drejtës dhe reales, bota e madhe diplomatike, të përkushtuar ndaj Kosovës apo kundërshtarë të lirisë së saj; bota shqiptare, ajo që mund të quhet  “ Përtej Drinit” apo e “ Këndej Drinit”, muzgu i rënies së përmendoreve të rreme dhe ngritja e kultit të mbijetesës, ndryshimi i bindjeve në arenën diplomatike dhe kahet e përkrahjeve të arritura ngadalë, me mundim të pazakontë dhe përmes logjikës – janë një pjesë e dëshmive të shumta që sjell në këtë libër politikani dhe politologu, Bardhyl Mahmuti.

Për të bërë këtë libër, duhet një vullnet i fortë, një ndriçim i epërm, e sidomos një motiv i epërm për të kapërcyer pengesat që shfaqeshin, thyer tabutë që kishin nisur të formësoheshin, davaritur enigmën që kishte mbështjellë të vërtetat, të faktoheshin ngjarjet, të silleshin risi dhe koncepte filozofike dhe kombëtare plotësisht të njëmendta me qëllimin për të cilën kishin aspiruar shqiptarët e Kosovës, e, mbi të gjitha, dije për të saktësuar ngjarjet.

Në fundin e shekullit të shkuar Kosova ndodhej para udhëkryqit të saj historik : mbijetesës apo shuarjes së përhershme të aspiratës së saj për liri. Vendosmëria e shtetit serb kundër shqiptarëve në Kosovë ishte be lemerishme. Ata dëshironin të zhdkunin çdo mundësi mbijetese, madje çdo fije jete. Atyre nuk u mjaftonte më përzënia e një populli autokton apo shpërngulja nga trojet e veta. Ata donin asgjësimin e tij.

Në fundin e shekullit të shkuar Kosova ndodhej para udhëkryqit të saj historik : mbijetesës përballë zbatimit të gjenocidit serb që kishte për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve si të tillë apo çdo gjëje që lidhej me identitetin historik, kulturor, fetar ose pronësor të shqiptarëve të Kosovës.

Në fundin e shekullit të shkuar diçka themelore ndryshoi në këtë përballje. Diçka e pabesueshme nisi të zhvillohet në sytë e shqiptarëve, por edhe të diplomacisë ndërkombëtare. Kahet e zhvillimit historik po ndryshonin. Kosova, e bashkë me të edhe Shqipëria, ashtu me vështirësi, mes keqkuptimeve dhe ngurrimeve, gjakut të derdhur dhe krimit nga ana tjetër, dalëngadalë, por me këmbëngulje po zhvendoseshin për t’u skajuar në botën ku e kanë vendin dhe ku janë aktualisht, në pjesën e mbarë të botës, në Perëndim. Kurse shteti serb që asaj kohe e në vazhdimësi po lëviz në kah të kundërt.

Në këtë dramë, ballafaqim dhe çast madhor i historisë nuk duhet harruar kryesorja : Perëndimi u zgjua, sepse u zgjuan shqiptarët.

“Në qoftë se në Kosovë do të vazhdonte gjumi paqësor gandist, Perëndimi do të vazhdonte të flinte”, shkruante Kadare.

Është një fakt i pamohueshëm historik , ndoshta nga të rrallët në botë, kur një lëvizje e armatosur, me rritjen e saj më të shpejtë në historinë e lëvizjeve ë tilla, do ndryshonte kahun historik të lëvizjeve politike shqiptare në fund shekullin e shkuar, dhe ajo, megjithëse në një terren tejet të vështirë, për shumë kënd të pamundur, do të bëhej përçuese e mendimit perëndimor, megjithëse ishte anatemuar si lëvizje e së majtës ekstreme, kastriste, enveriste etj.  ushtria Çlirimtare e Kosovës ringjalli vlerën e idealeve. Si rrjedhojë e kësaj, si rrjedhojë e faktorit idealist, martir, që është UÇK-ja, ka një ndërrim kahu të historisë. Ka një ndryshim në orën e këtij kombi.

Sipas shkrimtarit tonë të shquar , Ismail Kadare, “Dalja në skenën shqiptare e UÇK-së, përveç rolit kolosal historik, dëshmitarë të të cilit jemi të gjithë, bën pjesë qysh tani në historinë morale të kombit shqiptar. Kur një popull ndodhet në gjendjen e një grigje të pambrojtur përballë ujkut, ëndrra e tij më sublime është shfaqja e një shpëtimtari, e një dalzotsi. Kur populli i Kosovës u gjend kështu, grigjë e pambrojtur përpara kasapit serb, UÇK-ja u bë dalzotse e saj”.

Si u arrit e gjithë kjo? Ishte fat i njëkohshëm me zhvillimet historike të botës perëndimore, apo një domosdoshmëri historike, përballë zgjidhjes së saj duheshin vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e njohura dhe të panjohura, që nga vënia në lëvizje e shpirtit të popullit deri në ndryshimin e koncepteve në politikën ndërkombëtare?

Libri i politologut dhe atdhetarit të shquar , Bardhyl Mahmuti jep përgjigjen më të saktë, më adekuate, më të vërtetë për ndodhitë që kanë shpënë në ndërtimin e një aleance të trefishtë : me popullin e vet – me kombin e saj dhe me ndërkombëtarët.

Përse libri i Bardhyl Mahmutit është më i sakti dhe më i besuar në këtë fushë?

Autori

Bardhyl Mahmuti është njëri ndër personalitetet më të njohura të lëvizjes politike çlirimtare në dekadat e fundit të shekullit të shkuar.  Personalitet shumë dimensional. Polemist i dorës së parë dhe njohës i shkëlqyer i marrëdhënieve ndërkombëtare. Me një rol të pazëvendësueshëm në drejtimin e Grupit të Drejtorisë Politike në marrëdhëniet me jashtë. Më saktë, krijues i këtyre ndërlidhjeve. Elokuent dhe i kujdesshëm me fjalën e duhur. Ekspresiv në momentin e dhënë dhe shkrimtar i njohur. Autor i librave të shkëlqyer.

E kam njohur shumë vite më parë, më shumë se tri dekada më parë. Pjesë e elitës drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës, në një ndërdhënie të hershme me figura të shquara të saj, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ramadan Avdiu, Fehmi Lladrovci, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Bilall Sherifi, Halil Selimi etj. që më pas do të bashkëshoqëroheshin me atë pjesë të Lëvizjes Popullore të Kosovës që ndodhej në perëndim.

Kam menduar shpesh herë se burgimi i gjatë i tij, pas ngjarjeve të vitit 1989 do të kishin thyer diçka në shpirtin rebel dhe protestues, por kjo nuk kishte ndodhur.  Si duket, kjo kishte qenë njëra nga “ shkollimet” e domosdoshme të tij, që do të kishin shfaqet e mëpasshme në atë që në realitet ndodhi. Ndoshta vetë përmbajtja dhe ideja e lirisë përmes mendimit progresiv  përparimtar e kanë bërë atë edhe më të përgjegjshëm për rolin historik që koha ia hodhi në supet e tij. Si përfaqësues i lartë politik i UÇK-së, dhe nënkryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, që ishte edhe themeluese e UÇK-së,  ai bëri një punë të shkëlqyer, që vështirë se mund ta kishte bërë dikush tjetër.

Bardhyl Mahmuti është pa dyshim një personalitet i madh historik i lëvizjeve çlirimtare dhe i shtetformimit të Kosovës, me një vetëdije të epërme, mendësi historike , pjesë e historisë moderne të Kosovës,  shqiptar i mrekullueshëm dhe njëri ndër realizuesit e domosdoshëm të afërsisë së mendimit politik shqiptar me atë perëndimor,  zëdhënës i botës shqiptare dhe , po ashtu, përçues i mendimit progresiv botëror.

Si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ai bëri të pabesuarën. Libri që sjell me modesti dëshmon një pjesë të asaj që ka ecur në ditët e tij politike, të tjerat janë në memorien e shokëve dhe bashkëluftëtarëve me të. Si njëri prej tyre, pikërisht më afër se asnjëherë pikërisht në periudhën ku shtrihet ku libër, jam njëri nga dëshmuesit e së vërtetës deri në detaje që sjell ky libër, dhe, në të njëjtën kohë , të mungesave që janë ruajtur në kujtesën tonë, dhe që autori nuk i ka sjellë nga ruajtja e ndjenjës së modestisë dhe të afërsisë së përbashkët me një grup të gjerë njerëzish , që në fakt u bënë diplomatët e parë dhe ambasadorët e luftës së Kosovës në një kohë të vështirë.

Libri

Tani e kam të vështirë të përfytyroj një të ri, i lindur pas vitit 1999, pra në ditëlirie të Kosovës, i cili nuk mund të besojë se jo shumë larg nga dita e lirisë, me 31 mars 1998, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në rezolutën 1160 “ dënonte përdorimin e tepërt të forcës nga ana e forcave të armatosura të policisë serbe kundër civilëve dhe manifestuesve paqësorë në Kosovë, si dhe të gjitha aktet terroriste të kryera nga ushtria Çlirimtare e Kosovës ose nga çfarëdo lloj grupi apo individi tjetër. Në të njëjtën kohë dënohet çfarëdolloj mbështetje e jashtme për aktivitete terroriste në Kosovë, sidomos në formë të burimeve financiare, të armëve apo trajnimeve”.

Mund të përfytyroj një djalë të ri që ndodhet i çuditur me këtë akt dënues, që vinte thuaj në të njëjtën balancë forcën pushtuese të shtetit serb, makinerisë së tij vrastare me aktet mbrojtëse të UÇK-së, apo përkrahjen që mund të kishte ajo, si mbështetëse e mbijetesës së një populli të shtypur. Në këto dekada gjithsecili është mësuar të dëgjojë për aktet heroike të saj, por jo për tehun në të cilën gjendej ajo në fundmarsin e vitit 1998.

Ka një përmbysje të rendit të deriatëhershëm të ngjarjeve dhe perceptimeve. Bardhyl Mahmuti dhe libri i tij janë në anën e dobishme dhe të domosdoshme të historisë, sepse nuk ishin thjeshtë palë, por protagonistë të zhvillimeve politike, të sheshimit të keqkuptimeve historike dhe të ditës, në një kundërvënie madhore ndaj fushatës së gjithanshme të propagandës serbe për të deheroizuar luftën e shqiptarëve në Kosovë, vënien e saj përballë gjykimit dhe dënimit ndërkombëtar, për të shkuar drejt asfiksisë dhe mbylljes përfundimtare.

Bardhyl Mahmuti gjendet në këtë shesh, që ishte vazhdim i fushë betejave në Kosovë. Nuk e përjashtonin njëra tjetrën, por ishin vazhdim e plotësim i domosdoshëm i asaj që kishte aspiruar mijëra njerëz, nga të gjithë anët dhe vendet ku ndodheshin e jetonin shqiptarët.

Ky libër ishte i domosdoshëm: Përse ?

Të mbrosh një komb nga shuarje e historisë së tij, apo edhe më tej, nga deformimi i kësaj historie, është ndër motivet më të epërme në botë.

Është e pabesueshme, por kjo po ndodhte edhe me historinë e jashtëzakonshme të formimit, rritës, ideve, vizionit dhe drejtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hordhi të shumta, shpesh herë nga ata që kishin qenë kundër që në krye të herës e pastaj kishin heshtur, janë hedhur në tregun e politikës  gjithfarë idesh, mashtrimesh, të dhëna të pa sakta, arnime të historisë, demotivime, kishin rindjellë një orë të keqe për historinë tonë të përbashkët, përmes të cilave, gjasat e rrëzimit të së vërtetës do të ishin më të mëdha.

Duhej një libër për të dëshmuar të vërtetat nga një figurë e dorës së parë, që Ka qenë pjesë e ngjarjeve, shpesh herë , drejtues i saj. Duhej shpallur e vërteta e asaj që ka ndodhur, rruga që është ndjekur, vështirësitë, përpjekjet, ndërlidhjet, marrëveshjet e mosmarrëveshjet, përplasjet dhe risitë, ecuritë e ngadalta dhe . më pas, me ritme të larta, duhej një libër, jo thjeshtë si kundërvënie të gjithfarë sajesash, që nuk kanë asgjë të përbashkët me çfarë ka ndodhur, por edhe dëshmi e një rruge që , për herë të parë është trasuar në jetën politike të Kosovës.  Duhej dëshmia e kalimit nga një fazë fillestare , e cilësimit të UÇK-së si forcë terroriste, çka do të thoshte se ky ishte fundi i saj, në një forcë bashkëvepruese dhe koordinuese me aktorë të mëdhenj ndërkombëtarë; dalja nga mbyllja dhe rrita e saj.

Të gjitha këto, e shumë përtej saj janë në këtë libër. Janë të domosdoshme dhe të qarta.

Në fillimin e shekullit të XXI, kombi i shqiptarëve jepte tablonë më të favorshme të vet. Ajo mund të përmblidhej në një frazë : asnjëherë në botë nuk kishte pasur kaq shqiptarë të lirë.

Ndërkaq, në kahun tjetër të përpalljes, pikërisht në këtë kohë, që ende vazhdon , po shfaqej ajo që ende nuk dukej qartë: shqiptarët në Kosovë dhe historia më e re e qëndresës së tyre ishin në rrezik zbehjeje, që do të thotë faza e parë e shuarjes dhe e transformimit të kësaj historie.

Sëmundja e robërisë në Kosovë kishte qenë e rëndë. Haraçi i atyre që kishin qenë bashkë ideatorë të nënshtrimit ishte edhe më i rëndë. Keqkuptimet historike, edhe në mendësinë që rrihte nga e mbara, do të shtoheshin. Ishte e domosdoshme për taborët e së shkuarës të luftohej gjeneza e lirisë , ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe, bashkë me të, e gjithë para historia e qëndresës dhe , më pas, e qëndresës së fund shekullit të shkuar. Kështu mohohej edhe e drejta e lirisë, e pavarësisë, dhe, më tej, në një kohë të ardhshme, e bashkimit të shqiptarëve.

Libri i Bardhyl Mahmutit sjell të vërtetat e asaj që ka ndodhur. I sjell pa asnjë zbukurim, pa asnjë pasaktësi apo mburrje.  Që nga takimi i parë i nivelit të lartë i përfaqësuesve politikë të UÇK-së, me 26 qershor të vitit 1998 me një delegacion prej tetë anëtarësh  të Departamentit të Shtetit Amerikan, i drejtuar nga ambasadori Robert Gelbard sillen faktet e mëdha historike të krijimit të një lidhje të qëndrueshme, politike dhe , në të njëjtën kohë diplomatike, e cila kaloi nga zyrat e zakonshme të përfaqësive diplomatike, deri në kancelaritë më të njohura të Perëndimit. Nga selia e NATO-s me 8 tetor 1998 në zyrën ovale të presidentit Klinton.

Një ditë më pas, me ndërmjetësinë e kryeministrit Nano, do të ndodhë takimi  i njhur i 27 – 28 qershorit 1998, në Crans Montana, me diplomatin e shquar, Z. Richerd Holbrooke, në orën 23:00. Që vazhdoi edhe ditën tjetër. Deri në orën pesë të mëngjesit. Bisedime të vështira, përballë figurave më të njohura të diplomacisë ndërkombëtare, njohës të shkëlqyer të zhvillimeve ballkanike, emisarë të paqes dhe të ndryshimeve rrënjësore. Njeriu që do të jetë përballë tyre është ish i burgosur politik, njëri ndër prijësit e demonstrimeve të lëvizjeve të rezistencës në Kosovë – është e njohur fotografia e tij duke prirë në demonstrata-, me aspirata të një kombi të zhvilluar, perëndimor, dhe, në anën e tij edhe ish të burgosur të tjerë politikë, si Ramadan Avdiu, Bilall Sherifi, Jashar salihu, Agush Buja, Sabri Kiçmari, Xhevat Bislimi, Pleurat Sejdiu…

Kështu ka nisur. Nëse në ditët e para kjo ishte një e fshehtë e ditur për vetëm disa vetë në trupën drejtuese të UÇK-së dhe të Lëvizjes Popullore të Kosovës, do të ishte vetë Departamenti i Shtetit Amerikan që po i bënte të njohur takimet, dhe kjo ishte në zhvillimet më pozitive të lëvizjes çlirimtare. Në fakt, ata ishin parathënia e lirisë së Kosovës.

Moskuptimet e fillimit të njohjes politike të UÇK-së ishin të shumta. Kjo ndodh në të gjitha kthesat e mëdha, e sidomos ndodh në ato raste kur pritja e zhvillimeve ka qenë shumë e gjatë, pesha e shtypjes shumë e rëndë dhe, në të njëjtën kohë ëndrra kaq e afërt.

Në librin e tij, tepër i sinqertë për atë çfarë ka ndodhur, Bardhyl Mahmuti sjell një shembull, të cilin e kam përjetuar nga afër. Pasi u bë i njohur takimi i përfaqësuesve politikë të UÇK-së me Z. Gelbard, i cili , apo të cilit i ishte atribuuar thënia se “ UÇK-ja është terroriste”, disa herë Bardhylit i është shtruar pyetja nga miqtë e tij, edhe brenda Organizatës, LPK-së, “  përse nuk i kam kërkuar Z. Gelbard kërkimfalje publike për fyerjet që na ka bërë”! Një qasje e tillë e marrëdhënieve diplomatike do të na dëmtonte jashtëzakonisht shumë dhe, shton ai, “ as që na ka shkuar në mendje një gjë e tillë. Një shprehje shumë e bukur popullore, që përdoret në Kosovë, i përshtatet kësaj situate: Duhet t’ia dish hallin vetit!

Libri i Bardhyl Mahmuti ka një shtrirje të gjerë, edhe përtej luftës, në atë që mund të quhet faza e dytë e kësaj lufte, e asaj që ndodhi me mashtrimin e jashtëzakonshëm të propagandës serbe në dëm të së vërtetës.

Është e vështirë të përballohet një luftë e tillë, sidomos kur brenda komunitetit që është vrarë gjen dhe sajon mbështetës që, qoftë për hir të mëkateve të vjetra, qoftë për shkak të humbjes dhe bjerrjes së ndjenjës nacionale, pranojnë të jenë në dëm të popullit dhe kombit të tyre.

Bardhyl Mahmuti është autor i librit monumental  “ Mashtrimi i madh”, çka do të thotë se është njëri nga njohësit më të mirë, për shumë analistë ai është njohësi më i mirë , i mashtrimeve të mëdha të politikës së shtetit serb kundër ngjarjeve në Kosovë.

Paslufta është edhe ajo e vështirë. Bardhyl Mahmuti, edhe në këtë libër, sjell fakte, argumente, dëshmi të shumta dhe të pa kundërshtueshme nga ndaj mashtrimeve marramendëse të kësaj politike. Ai demanton përmes të vërtetave ngjarjet e sajuara të krimeve të supozuara nga ana e UÇK-së ndaj civilëve serbë; sjell dokumente autentike dhe dëshmi të sakta të ngjarjeve që kanë ndodhur.

E pabesueshme ka qenë dhe mbetet puna që ai ka bërë në zbulimin dhe gjetjen e kësaj morie të pafund faktesh dhe dokumentesh, ashtu si e jashtëzakonshme ka qenë puna e vullneti për të ballafaquar të vërtetat me sajimet. Kundërshtitë e tij kanë në bazë ngjarje reale, nganjëherë edhe të nxjerra nga arkivat e mbrojtura të shtetit serb. Përgatitja e tij si politolog i shkallës së parë ka bërë që e gjithë godina që ka ngritur nga ky libër të jetë në të njëjtën kohë edhe monument i të vërtetës.

Në këtë kontekst janë sjellë edhe të vërtetat e sajimeve që ka ndodhur në rastin e gjykimit të një grupi drejtues të UÇK-së, metodat perfide që janë përdorur, ballafaqimet që janë kërkuar apo janë realizuar me bartësin faktik të kësaj akuze, të ndjerin Dick Marty-n; analizimi i librit të ish prokurores së Hagës, Carla Del Ponte, akuzat mbi të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”, që tashmë, edhe pse ishte themeli mbi të cilin u ngrit prokuroria dhe Gjykata Speciale, nuk është më as në aktakuzën e cituar.

Një vend i veçantë i kushtohet mënyrës sesi Shërbimi Sekret i Serbisë arriti të shpërndajë në qarqet politike ndërkombëtare dhe në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare sajesat e veta që kishin për qëllim të njollosnin luftën çlirimtare të Kosovës. Në këtë kontekst lexuesi do të njihet hollësisht për atë se kush ia dha raportet e përpiluar nga ky shërbim Carla Del Pontes Dick Marty-t dhe Clint Williamson-it dhe si u përpiluan akuzat kundër drejtuesve të UÇK-së mbi bazën e këtyre raporteve.

Si ndodh shpesh me fatin e librave të mëdhenj, edhe ky libër i Bardhyl Mahmuti ka befasime të reja. Që lëvizin nga fushë betejat e Kosovës, në selitë qendrore të pushtetit në Shqipëri, nga takimet e para gjysmë të fshehta, në përballet në auditorët e mëdha ndërkombëtare, nga njohjet e para, të papritura, deri në krijimin e një aleance të pa shpallur, por të ditur me forcat e NATO-s.

Ky libër është një dëshmi, tablo realiste e Kosovës dhe ngjarjeve që lidhen me të në 30 vitet e fundit, ku Bardhyl Mahmuti ishte pjesë dhe herë pas here protagonist i dorës së parë; nga ky libër njerëzit do të kuptojnë më mirë të vërtetën e asaj që ka ndodhur, sjellë përmes një gjuhe të rrjedhshme, stilit të qartë, ku është bashkuar politologu dhe shkrimtari, njeriu që ka qenë në qendrën e ngjarjeve dhe vëzhguesi i ftohtë, i pasionuari pas kombit të tij, por edhe nderues i vlerave europiane.

Bardhyl Mahmuti është krijuesi i libri të rrallë, dhe dihet që krijimet e mëdha janë të tilla që vetvetiu mbajnë të mbyllur në thelbin e tyre të vërtetën, pa të cilën nuk do të mund të shkruhej ky libër.

Unë i jam mirënjohës atij që solli një pjesë të jetës së përbashkët të dhjetëra mijëra njerëzish, që bënë kauzën e lirisë si motiv të përbashkët të jetës së tyre.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i “Klan Kosovës” ka raportuar sot gjatë gjithë ditës…