Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim

06 maj 2026 | 19:29

Shkruan: Hisen Berisha, gjeneral dhe ish deputet i Kuvendit të Kosovës

Ditëlindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, është një datë historike, një kujtesë e gjallë e lindjes së një epoke, e një fryme që i dha kuptim lirisë dhe shtetformimit të shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti është një figurë e papërsëritshme në historinë tonë kombëtare.
Ai nuk ishte vetëm një prijës i madh ushtarak, por një vizionar që kuptoi se liria nuk fitohet pa unitet, pa sakrificë dhe pa besim në idealin kombëtar.
Me të, shqiptarët nuk fituan vetëm beteja, lindën si vetëdije politike dhe si komb që kërkon të jetojë i lirë në trojet e veta.

Në një periudhë kur kontinenti përballej me përplasje të mëdha civilizimesh, qëndresa e Gjergj Kastriotit mori një dimension më të gjerë se ai atdhetar, duke u shndërruar në një mburojë afro 28 vjeçare, të vlerave dhe identitetit evropian.
Lufta e tij nuk ishte vetëm për tokën, por për ruajtjen e një trashëgimie shpirtërore dhe kulturore që përcaktoi drejtimin e historisë në këtë pjesë të botës.

Përtej aftësive të tij ushtarake, Kastrioti dëshmoi edhe zgjuarsi të veçantë diplomatike i edukuar në Londër, duke ndërtuar ura komunikimi me fuqitë e kohës dhe duke e bërë çështjen shqiptare pjesë të vëmendjes ndërkombëtare.
Ai përfaqëson modelin e udhëheqësit që e kupton rëndësinë e diplomacisë në shërbim të lirisë dhe të shtetit, duke vepruar me maturi dhe vizion në raport me aleatët dhe interesat strategjike.

Betejat e tij mbeten ndër më të lavdishmet në historinë evropiane. Ato nuk janë thjesht përballje ushtarake, por dëshmi e qëndresës, dinjitetit dhe refuzimit për t’u nënshtruar.
Kjo frymë rezistence ka vazhduar ndër shekuj, duke u bartur brez pas brezi, deri te lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare, ku u rikthye si amanet e motiv i pathyeshëm për liri.

Sot, në këtë përvjetor, mesazhi i tij mbetet më aktual se kurrë. Ashtu siç ai bashkoi princat shqiptarë përtej ndasive, edhe sot kërkohet bashkim rreth interesit kombëtar.
Jo bashkim formal, por bashkim në vlera, në përgjegjësi dhe në vizion për të ardhmen.

Historia nuk e përsërit vetveten, por ajo na mëson. Dhe figura e Gjergj Kastriotit na kujton se pa unitet nuk ka forcë, pa drejtësi nuk ka shtet, dhe pa sakrificë nuk ka liri.

Heronjtë kanë vetëm ditëlindje.
Lavdi përherë veprës dhe trashëgimisë së tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Altin Ahmeti Ballkani po shpopullohet, njerzit duan të jetojnë…