Ballkani po shpopullohet

06 maj 2026 | 19:06

Shkruan: Altin Ahmeti

Ballkani po shpopullohet, njerzit duan të jetojnë në shtetet perendimore. Kosova humb 13-15 % të popullatës brenda 5 viteve.

Dhjetë vitet e fundit kanë qenë më të rëndat për gadishullin që quhet Ballkan.

Në periudhën 2015–2025, shumë vende të rajonit kanë humbur një pjesë të madhe të popullsisë aktive.

Bosnjë e Hercegovina dhe Bullgaria kryesojnë listën me rënie deri në 25–30 % të fuqisë punëtore. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia lëvizin në intervalin 20–25 %, ndërsa Albania është shumë afër këtij niveli me rreth 18–22 %.

Edhe Serbia ka humbje të ndjeshme prej 15–20 %, ndërsa Greqia mbetet më e ulët, rreth 10–15 %, kryesisht për shkak të plakjes së popullsisë. Mali i Zi është pothuajse stabil, me ndryshime minimale.

Por kur fokusohemi vetëm në periudhën më të fundit, 2020–2025, shihet një përshpejtim i dukshëm i fenomenit. Kosova ka humbur rreth 13–15 % të popullsisë aktive në vetëm pesë vite, një ritëm shumë i lartë për një periudhë kaq të shkurtër.

Gjithsesi, mbetet Bosnjë e Hercegovina mbetet në krye të listës me 18–22 % rënie, ndërsa Maqedonia e Veriut e ndjek me 12–15 %. Shqipëria dhe Kroacia lëvizin në intervalin 10–12 %, ndërsa Serbia dhe Bullgaria kanë rënie më të moderuar, rreth 8–10 %. Greqia qëndron në 6–8%, ndërsa Mali i Zi mbetet pothuajse neutral, falë migrimit hyrës.

Këto shifra tregojnë një të vërtetë të thjeshtë: Ballkani nuk po humb vetëm popullsi, por po humb ritmin e së ardhmes. Në dekadën e fundit është zhdukur deri në një e katërta e fuqisë punëtore në disa vende.

Ndërsa në vetëm pesë vitet e fundit, ritmi i largimit është përshpejtuar ndjeshëm, sidomos në vendet me popullsi më të re si Kosova.
Arsyeja nuk është një e vetme.

Ekonomia e dobët, pagat e ulëta, mungesa e perspektivës dhe mosbesimi në institucione krijojnë një kombinim që shtyn njerëzit të largohen.

Në të njëjtën kohë, vendet e Bashkimit Evropian ofrojnë më shumë stabilitet dhe mundësi, duke e bërë emigrimin jo vetëm një zgjedhje, por shpesh një domosdoshmëri.

Paradoksi është se ndërkohë që politika në rajon vazhdon të merret me debate afatshkurtra, procesi më i rëndësishëm, zbrazja e vendeve vazhdon në heshtje. Nuk ka strategji serioze afatgjata për ta ndalur këtë trend.

Nëse ky ritëm vazhdon, pasojat janë të pashmangshme me mungesë e fuqisë punëtore, presion mbi sistemet pensionale dhe ngadalësim i zhvillimit ekonomik. Në disa sektorë, kjo tashmë është realitet.

Shpopullimi i Ballkanit nuk është krizë e së ardhmes por është krizë e tashmes. Dhe sa më shumë të vonohet reagimi, aq më e vështirë do të jetë të rikthehet balanca demografike dhe ekonomike e rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata "Jehona e Malësisë" në Michigan ka vendosur kurorë me…