Prof. dr. Xhevdet Pantina, kandidat i PDK-së për deputet
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë ka propozuar si kandidat te vetëm nga kjo dege, profesorin dhe artistin e njohur Prof. Dr. Xhevdet Pantina për kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Republikën e Kosovës.
Prof. Dr. Xhevdet Pantina vjen nga një familje me traditë të fuqishme patriotike dhe kombëtare.
Ai është djali i Alush Pantinës, njërit ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe vëllai i Heroit te Kosovës, dëshmorit Ahmet Alush Pantina, i cili ra për lirinë e vendit.
I rritur në frymën e atdhedashurisë dhe sakrificës për komb, Xhevdet Pantina i ka qëndruar besnik idealit të lirisë dhe betimit të ushtarit të UÇK-së.
Kontributi i tij nuk ka qenë vetëm institucional e akademik, por edhe kombëtar.
Ai ka qenë pjesë dhe kontribuues në tri periudhat më të rëndësishme të rezistencës shqiptare në trojet tona – në Kosovë, Lugine te Preshevës dhe Iliridë, duke dëshmuar përkushtim ndaj çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së vlerave shqiptare.
Sot, Prof. Dr. Xhevdet Pantina është profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku prej vitesh kontribuon në edukimin e gjeneratave të reja në fushën e artit pamor dhe kulturës shqiptare.
Gjatë karrierës së tij akademike dhe artistike, ai ka mbajtur pozita të rëndësishme, ndër to: – Profesor i rregullt dhe profesor i asociuar në Universitetin e Prishtinës; – Koordinator i Galerisë së Fakultetit të Arteve; – Kryetar i Unionit të Studentëve; – Anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës; – Anëtar i Bordit të Galerisë Kombëtare të Kosovës; – Kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës; -Anëtar i Komisionit për Hartimin e Kurrikulës së Arsimit Parashkollor në MASHT; – Profesor vizitor në Poloni.
Prof. Pantina njihet edhe ndërkombëtarisht për veprimtarinë e tij artistike. Ai ka realizuar dhjetëra ekspozita personale dhe kolektive brenda dhe jashtë Kosovës, në vende si Gjermania, Franca, Anglia, Turqia, Polonia, Belgjika, SHBA dhe shumë shtete të tjera. Veprat e tij artistike kanë prezantuar kulturën dhe identitetin shqiptar në galeri, universitete dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare.
Po ashtu, ai ka qenë kurator i shumë ekspozitave të rëndësishme artistike e kulturore, duke mbështetur artistë të rinj dhe duke promovuar artin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Kandidatura e Prof. Dr. Xhevdet Pantinës për deputet përfaqëson një ndërthurje të rrallë të dijes, përvojës akademike, kulturës, angazhimit kombëtar dhe integritetit personal. Ai konsiderohet si një figurë që mund ta përfaqësojë me dinjitet qytetarin, kulturën dhe interesin kombëtar në institucionet e Kosovës.
Me përvojën e tij shumëvjeçare në arsim, kulturë dhe jetën publike, Prof. Pantina synon të jetë zë i fuqishëm për: avancimin e arsimit dhe kulturës, mbështetjen e rinisë dhe artistëve të rinj, ruajtjen e vlerave kombëtare dhe zhvillimin institucional dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve.



