Osmani i kundërpërgjigjet propagandës së LV-së rreth takimit rajonal me Grenellin

14 maj 2026 | 08:39

Mbrëmë gjatë bisedave sy më sy me qytetarë përmes platformës “HAJDE FOLIM”, ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dha një nga deklaratat më të forta dhe më të drejtpërdrejta kundër propagandës politike që po qarkullon ndaj saj rreth një takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues amerikan në Nju-Jork.

Përballë një pyetjeje të një qytetari, Osmani zgjodhi të mos heshtë. Me ton të vendosur, ajo demaskoi publikisht secilin pretendim dhe i quajti “gënjeshtra të fabrikuara nga manipulues profesionistë”, duke mbrojtur jo vetëm integritetin e saj politik, por edhe dinjitetin e shtetit të Kosovës.

“Ne e kemi vetëm të vërtetën në anën tonë”, deklaroi Presidentja, duke iu referuar sulmeve që e kanë quajtur “tradhtare” për pjesëmarrjen e saj në një takim të organizuar nga zyrtarë të lartë amerikanë me liderët e Ballkanit Perëndimor për promovimin e potencialit investues të rajonit.

Osmani hodhi poshtë një nga një pretendimet që po qarkullojnë në publik.

Sipas saj, pretendimi se takimi ishte mbajtur fshehtë është plotësisht i pavërtetë, pasi aktiviteti ishte publikuar në Përmbledhjen e Presidencës zyrtarisht që në shtator, në kohën kur kishte ndodhur.

Ajo mohoi gjithashtu akuzat se ambasadori i Kosovës në SHBA nuk kishte qenë prezent, duke theksuar se ambasadori Ilir Dugolli dhe kabineti presidencial kishin marrë pjesë dhe kishin ndjekur të gjithë prezantimin për potencialin ekonomik të Kosovës.

Por reagimi më i fortë erdhi ndaj pretendimeve se takimi ishte organizuar nga gazetari Baton Haxhiu.

“Takimi ishte organizuar si tryezë SHBA–Ballkani Perëndimor dhe ishte ftuar nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Scott Bessent, dhe ambasadori për misione të posaçme i Presidentit amerikan, Richard Grenell”, sqaroi Osmani, duke ironizuar propagandën që sipas saj po tenton të deformojë realitetin.

Presidentja rikujtoi se në atë forum morën pjesë liderë rajonalë të nivelit të lartë, përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ministra dhe përfaqësues nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit.

Në përgjigjen e saj, Osmani ngriti edhe pyetjen që po dominon debatin publik: pse po sulmohet një takim zyrtar, publik dhe ndërkombëtar, ndërkohë që askush nuk jep përgjigje për takimet e mbyllura “me orë të tëra” me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe emisarin evropian Miroslav Lajçak?

“Aty nuk kishte dëshmitarë dhe as transkripte”, tha ajo, duke lënë të kuptohet se transparenca duhet të vlejë për të gjithë.

Në një deklaratë që pritet të rezonojë fuqishëm te qytetarët, Osmani kujtoi se ka përfaqësuar Kosovën në dhjetëra forume ndërkombëtare gjithmonë përballë në ballafaqim me armiqtë që kanë tentuar të mohojnë shtetësinë dhe të vërtetën e Kosovës.

“Kam mbrojtur Kosovën fort, me argumente, me dinjitet dhe pa u përkulur para askujt”, deklaroi ajo.

Mesazhi i saj përfundimtar ishte po aq politik sa edhe emocional: sipas Osmanit, sulmet nuk vijnë sepse Kosova është dobësuar e përfaqësuar keq, por pikërisht sepse është mbrojtur fort.

“Nëse ata kanë propagandën, ne kemi të vërtetën”, ishte fjalia që mbylli një nga reagimet më të forta politike të muajve të fundit me një mesazh që synon të mobilizojë qytetarët përballë manipulimit propagandues e denigrues dhe të rikthejë fokusin tek interesat shtetërore të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

23 tetor10:52

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të kontestohet dhe të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Cakolli ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se ndryshimet eventuale duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara dhe të bëhen në përputhje me rregullat parlamentare. Ai ka shpjeguar se Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh për ta shqyrtuar vendimin e presidentes dhe për t’ia paraqitur Kuvendit një raport me rekomandime për hapat e mëtejshëm. “Menjëherë pasi presidentja e ka dërguar shkresën përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe me një shumicë të ndryshme nga ajo paraprake”, ka thënë Cakolli. Sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë arsyetimin e presidentes dhe të vlerësojë nëse janë evidentuar nene problematike apo shkelje të mundshme të procedurave kushtetuese dhe obligimeve ndërkombëtare. Cakolli ka thënë se Komisioni mund të rekomandojë dy rrugë: që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ose që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse. “E para është që të konstatohet se Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit. Ose mund të rekomandojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe të njëjtat të inkorporohen në ligj”, ka deklaruar ai. Ai ka shtuar se, nëse vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes. Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke kërkuar që të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte sponsorizuar nismën. Ai ka vlerësuar se mënyra se si është vepruar e ka ngritur dilemën nëse Presidenca ka pasur vërejtje për përmbajtjen e ligjit apo vetëm e ka përcjellë kërkesën e partisë sponsorizuese. “Ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo që ndodhi. Presidenca deklaroi se ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë njëkohësisht edhe sponsorizuese e ligjit dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent të projektligjit”, ka thënë Cakolli. Ai ka kritikuar gjithashtu PDK-në, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e ligjit me nguti, ndërsa më pas ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e disa dispozitave. Sipas Cakollit, ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes, pasi bëhet fjalë për një ligj që prek proceset gjyqësore në Hagë dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës. “Është një situatë e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua të miratohej me nguti, ndërsa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen. Këto ndryshime është dashur të bëheshin gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër të rëndësishme, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe të obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka si partnere ndërkombëtare, posaçërisht në raport me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai. Cakolli ka theksuar se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij. Ai ka paralajmëruar se çdo variant i ligjit mund të kontestohet në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë. “Secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje, në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë Cakolli. Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ndryshimet që do të ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën mund të mos kishin efekt praktik, duke e cilësuar këtë si një situatë paradoksale. Cakolli ka theksuar se gjatë katër javëve në vijim do të shihet se si do të procedohet me ligjin dhe cilat do të jenë qëndrimet e partive politike. Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave. Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin. Ndërkaq, PDK-ja ka deklaruar se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit.

✖
Të fundit
Një vajzë e mitur është raportuar si e zhdukur në…