Kuvendi Komunal i Gjilanit miraton subvencionimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara

19 maj 2026 | 08:53

Kuvendi i komunës së Gjilanit ka miratuar vendimin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për subvencionimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.

Drejtoresha e këtij drejtorati, Mimoza Kadriu Qerimi, ka bërë të ditur se vendimi është miratuar unanimisht, me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

“Me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Kuvendi i Komunës, miratoi unanimisht propozimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për subvencionimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara”, ka deklaruar Kadriu Qerimi.

Ajo ka sqaruar se programi parasheh punësim njëvjeçar me gjysmë orari, përkatësisht katër orë në ditë, me synim rritjen e përfshirjes sociale dhe ekonomike, krijimin e mundësive të reja për punësim dhe mbështetjen e bizneseve lokale që punësojnë këtë kategori.

“Ky program parasheh punësim 1-vjeçar me gjysmë orari (4 orë), me qëllim krijimin e mundësive të reja për punësim, rritjen e përfshirjes sociale dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e bizneseve lokale që punësojnë këtë kategori”, ka thënë ajo.

Sipas Kadriu Qerimit, ky program pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë dhe në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, ajo ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet edhe thirrja për aplikim.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt përfshirjes, barazisë dhe mbështetjes konkrete për një jetë më dinjitoze dhe më të pavarur për të gjithë”, ka deklaruar drejtoresha Mimoza Kadriu Qerimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përpjekjet e Pakistanit për ndërmjetësim vazhdojnë pasi ministri i Brendshëm…