Mesazhi i Junikut për zgjedhjet e vitit 2026: mbi partitë qëndron shteti
Shkruan: Dr. Mehmet Prishtina
Karvani ynë kombëtar, i cili sivjet shënon 115-vjetorin e Kuvendit historik të Junikut dhe kujton veprën madhore të Hasan Prishtinës e të patriotëve të tjerë shqiptarë, sot ndalet në Junikun tonë krenar, në vendin ku historia shqiptare mori një nga kthesat më të rëndësishme të saj.
Para 115 vjetësh në këto kulla që edhe sot presin e përcjellin me bujari miq nga të gjitha trojet shqiptare, u mblodhën burrat më të shquar të kombit për ta lidhur besën shqiptare në shërbim të lirisë. Nga 21 deri më 25 maj 1912 Juniku u bë qendra politike dhe kombëtare e shqiptarëve, duke i paraprirë kryengritjes së përgjithshme dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Me nismën dhe vizionin e Hasan Prishtinës, Kuvendi i Junikut mblodhi mbi 300 delegatë nga të gjitha vilajetet shqiptare. Aty u artikulua qartë platforma politike e shqiptarëve për vetëqeverisje, liri dhe bashkim kombëtar. Programi i miratuar në Junik, i njohur si programi me 14 pika, përfaqësonte një projekt të qartë shtetformues dhe dëshmonte pjekurinë politike të shqiptarëve në prag të pavarësisë.
Kuvendi i Junikut nuk ishte vetëm një ngjarje historike, por një akt i madh uniteti kombëtar. Në një kohë sfidash të mëdha dhe kërcënimesh nga fqinjët shovinistë, shqiptarët lanë anash dallimet krahinore e politike dhe u bashkuan rreth interesit kombëtar. Pikërisht ky mesazh mbetet aktual edhe sot.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2026, fryma e Kuvendit të Junikut duhet të shërbejë si udhërrëfyes për klasën tonë politike dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova ka nevojë për më shumë unitet, përgjegjësi shtetërore dhe vizion kombëtar. Përballë sfidave politike, ekonomike dhe gjeostrategjike, ndasitë e tepërta partiake nuk duhet të mbizotërojnë mbi interesin e shtetit dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.
Ashtu siç burrat e Junikut në vitin 1912 ditën të bashkohen për fatin e kombit, edhe sot politika dhe shoqëria jonë duhet ta gjejnë forcën për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim institucional.
Zgjedhjet e vitit 2026 nuk duhet të jenë vetëm një garë për pushtet, por një moment reflektimi për drejtimin që dëshirojmë t’i japim Kosovës në dekadat që vijnë.
Kuvendi i Junikut mbetet simbol i vendosmërisë, sakrificës dhe vizionit shtetformues shqiptar. Detyra jonë sot është që këtë trashëgimi ta ruajmë dhe ta kthejmë në frymë bashkimi e zhvillimi për brezat që vijnë.



