Kurti mori pjesë në mëngjesin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro Turke
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, mori pjesë në mëngjesin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro Turke.
Në fjalën hyrëse, kryeministri në detyrë Kurti falënderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, ndërsa theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyeshme.
Krahas bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në rritje me Turqinë, kryeministri në detyrë Kurti foli me theks të veçantë për atë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes të Republikës së Kosovës, përkatësisht prodhimin e municionit.
Gjatë këtij mëngjesi pune, kryeministri në detyrë Kurti shpalosi planet për katër hekurudhat të reja si lidhje me rajonin dhe Evropën, por edhe rrjet i brendshëm: Fillimin e ndërtimit të hekurudhës Gjakovë-Shkodër, në kuadër të asaj Prishtinë-Durrës; pastaj përfundimin e linjës hekurudhore 10, Han i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë – Leshak; projektimin e linjës Prizren – Ferizaj – Gjilan – Bujanoc; si dhe, përgatitjen e asaj Prishtinë – Aeroport.
Po ashtu, ai foli edhe për ndërtimin e pesë digave të reja në: Firajë, Pollatë, Kuçicë, Dragaçinë dhe Desivojcë.



