Gjini shpalos planin e Aleancës: Gjashtë vendime për sigurinë, ekonominë, punësimin dhe shëndetësinë
Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka prezantuar platformën politike me të cilën ky subjekt garon në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Gjini e ka cilësuar programin e Aleancës si “plan të pastër pune për çdo familje në Kosovë”, duke deklaruar se fokusi kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik, siguria për investitorët, mbështetja për sektorin privat dhe funksionalizimi i shërbimeve publike.
Duke folur për sfidat ekonomike, Gjini tha se vendi nuk mund të ecë përpara pa krijuar kushte më të mira për bizneset dhe punëtorët.
“Nuk mund të ketë ekonomi të fortë me bizneset që bllokohen nëpër gjykata dhe me punëtorë që ikin nga vendi. Sot, Aleanca vjen me një plan të pastër pune, ndërtuar mbi 6 vendime strategjike që do t’i zbatojë menjëherë”, deklaroi Gjini.
Sipas tij, një nga shtyllat kryesore të programit është krijimi i sigurisë për investitorët dhe forcimi i orientimit euroatlantik të Kosovës.
“Fillimisht, krijojmë siguri absolute për investitorët përmes raporteve të qarta me NATO-n, ShBA-në dhe BE-në”, tha ai.
Në pjesën ekonomike të platformës, Gjini paralajmëroi masa që, sipas tij, do ta lehtësojnë funksionimin e sektorit privat dhe do ta mbrojnë kapitalin nga vonesat institucionale.
“Së dyti, ulim taksat për sektorin privat dhe shkurtojmë afatet e gjykatave komerciale për të mbrojtur kapitalin”, u shpreh kandidati i Aleancës për kryeministër.
Ai po ashtu përmendi energjinë dhe infrastrukturën si fusha kyçe për uljen e kostove të prodhimit, transportit dhe zhvillimit ekonomik.
“Tutje, pavarësojmë industrinë nga krizat energjetike dhe ndërtojmë infrastrukturë moderne që ul koston e transportit”, tha Gjini.
Një tjetër prioritet i platformës, sipas tij, është arsimi profesional dhe lidhja e tij me nevojat e tregut.
“Së katërti, lidhim direkt shkollat profesionale me tregun e punës në teknologji, prodhim, ndërtim dhe eksport”, theksoi ai.
Gjini premtoi gjithashtu zgjerim të ekonomisë për të garantuar rritje të mbështetjes sociale dhe funksionalizim të fondit të sigurimeve shëndetësore.
“Zgjerojmë ekonominë për të garantuar buxhet real për rritjen e mbështetjes sociale, gjithashtu që në vitin e parë funksionalizojmë fondin e sigurimeve shëndetësore, me barna falas dhe pa pagesë në sportel. Ky është plani ynë i punës për çdo familje në Kosovë”, përfundoi Gjini.



