Letërsia dhe totalitarizmi

01 qershor 2026 | 15:09

GEORGE ORWELL

Kam thënë në fillim të bisedës sime të parë se kjo nuk është epokë e kritikës letrare. Është epokë politike dhe jo shkëputjeje nga realiteti, një epokë në të cilën është veçanërisht e vështirë të shohësh merita letrare në një libër me përfundimet e të cilit nuk bie dakord. Politika, në kuptimin më të përgjithshëm, ka pushtuar letërsinë, në një masë që nuk ndodh normalisht, dhe kjo ka nxjerrë në sipërfaqe të ndërgjegjes sonë luftën që vazh­don gjithmonë midis individit dhe komunitetit. Pikërisht kur merr parasysh vështirësinë e të shkruarit të një kritike të sin­qertë, të paanshme në një kohë si e jona, atëherë fillon ta kuptosh natyrën e kërcënimit që kanos të gjithë letërsinë në epokën e ardhshme.

Ne jetojmë në një epokë në të cilën individi autonom po pushon së ekzistuari, ose ndoshta më mirë të themi, jetojmë në epokën ku individi nuk e ka më  iluzionin se është autonom. Tani, në gjithçka që themi për letërsinë dhe, (para së gjithash), në gjithçka që themi për kritikën letrare, ne instinktivisht e marrim si të mirëqenë individin autonom. E gjithë letërsia moderne evropiane, po flas për letërsinë e katërqind viteve të fundit, është e mbështetur në konceptin e ndershmërisë intele­ktuale ose, nëse doni ta themi kështu, sipas maksimës së Sheks­pirit, “Të jesh i ndershëm me veten”. Gjëja e parë që kërkojmë nga një shkrimtar është që të mos thotë gënjeshtra, të thotë atë që mendon në të vërtetë, atë që ndien në të vërtetë. Gjëja më e keqe që mund të themi për një vepër arti është të thuash se është e pasinqertë. Dhe kjo është edhe më e vërtetë për kritikën let­rare sesa për letërsinë krijuese, në të cilën njëfare poze dhe një lloj sjelljeje e caktuar, madje edhe lloj modestie e çiltër, nuk ka rëndësi, për sa kohë që shkrimtari është thelbësisht i sinqertë. Letërsia moderne është në thelb diçka individuale. Është ose shprehje e vërtetë e asaj që një njeri mendon dhe ndien, ose nuk është asgjë.

Sipas meje, ne e marrim këtë nocion si të mirëqenë dhe, megjithatë, sapo dikush e shpreh me fjalë, kupton se sa kërcë­nohet letërsia. Sepse kjo është epoka e shtetit totalitar, e cila nuk i lejon dhe, ndoshta, nuk mund t’i lejojë individit asnjë lloj lirie. Kur dikush përmend totalitarizmin, mendon menjëherë për Gjermaninë, Rusinë, Italinë, por mendoj se duhet të për­ballet me rrezikun që kjo dukuri të bëhet mbarëbotërore. Është e qartë se periudhës së kapitalizmit të lirë po i vjen fundi dhe se vendet njëra pas tjetrës po krijojnë një ekonomi të centralizuar që mund ta quajmë socializëm ose kapitalizëm shtetëror, si të duam. Me këtë, liria ekonomike e individit, dhe në një masë të madhe liria për të bërë atë që i pëlqen, për ta zgjedhur punën, për të lëvizur ngado në sipërfaqen e tokës, merr fund. Tani, deri vonë, pasojat që kemi prej kësaj nuk ishin parashikuar. Asnjë­herë nuk u kuptua plotësisht se zhdukja e lirisë ekonomike do të kishte ndonjë efekt në lirinë intelektuale. Socializmi zako­nisht mendohej si një lloj liberalizmi i moralizuar. Shteti do ta merrte përsipër jetën tënde ekonomike dhe do të të çlironte nga frika e varfërisë, papunësia e kështu me radhë, por nuk do të kishte nevojë të ndërhynte në jetën tënde intelektuale private. Arti mund të lulëzonte ashtu siç kishte bërë në epokën liberale-kapitaliste, por pak më shumë, sepse artisti nuk do të ishte nën trysninë ekonomike.

Tani, mbështetur në provat ekzistuese, duhet pranuar se këto ide janë tjetërsuar. Totalitarizmi e ka hequr lirinë e mendi­mit më shumë se një çdo epokë më parë. Dhe është e rëndë­sishme të kuptojmë se kontrolli i tij i mendimit nuk është vetëm negativ, por edhe pozitiv. Ai jo vetëm që të ndalon të shpre­hesh, madje edhe të mendosh mendime të caktuara, por dikton atë që do të mendosh, krijon një ideologji për ty, përpiqet të drejtojë jetën tënde emocionale si dhe të vendos një kod sjell­jeje. Dhe për aq sa është e mundur të izolon nga bota e jashtme, ta mbyll gojën në një univers artificial në të cilin nuk ke standarde krahasimi. Shteti totalitar përpiqet, në çdo rast, t’i kontrollojë mendimet dhe emocionet e nënshtetasve të tij, të paktën në atë masë që kontrollon veprimet e tyre.

Çështja më e rëndësishme për ne është: a mund të mbijetojë letërsia në një atmosferë të tillë? Mendoj se përgjigjja duhet të jetë e shkurtër. Nëse totalitarizmi bëhet mbarëbotëror dhe i përhershëm, ajo që ne kemi njohur si letërsi do të marrë fund. Dhe nuk do të  ndodhë, siç mund të duket e besueshme në fillim, se do t’i vijë fundi vetëm letërsisë së Evropës pas Rilindjes.

Ka disa dallime jetike midis totalitarizmit dhe të gjitha ortodoksive të së kaluarës, si në Evropë, ashtu edhe në Lindje. Më e rëndësishmja është se ortodoksitë e së kaluarës nuk ndry­shuan ose, të paktën, nuk ndryshuan me shpejtësi. Në Evropën mesjetare Kisha diktoi atë që duhej besuar, por të paktën lejoi të ruheshin të njëjtat besime që nga lindja deri në vdekje. Nuk tha të besohej një gjë të hënën dhe një tjetër të martën. Dhe e njëjta gjë është pak a shumë e vërtetë për çdo të krishterë orto­doks, hindu, budist apo mysliman sot. Në një farë mënyre, mendimet e tyre janë të kufizuara, por ruajnë të njëjtat bindje gjatë gjithë jetës. Nuk ndërhyhet tek emocionet e individëve.

Tani, me totalitarizmin, është krejt e kundërta. E veçanta e shtetit totalitar është se megjithëse kontrollon mendimin, nuk e bën të pandryshueshëm. Vendos dogma të padiskutueshme dhe i ndryshon ato nga dita në ditë. Ka nevojë për dogmat, sepse ka nevojë për bindje absolute nga nënshtetasit, por s’mund t’i shmangë ndryshimet, të cilat diktohen nga nevojat e politikës së pushtetit. E deklaron veten të pagabueshëm dhe në të njëjtën kohë sulmon vetë konceptin e së vërtetës objektive. Për të marrë një shembull të dukshëm, krejt të qartë, çdo gjer­man deri në shtator 1939, duhej ta shihte bolshevizmin rus me tmerr dhe neveri, dhe që nga shtatori 1939 duhej ta shihte me admirim dhe dashuri.

Nëse Rusia dhe Gjermania hyjnë në luftë, siç mund të bëjnë në vitet e ardhshme, një tjetër ndryshim po aq i dhunshëm do të ndodhë. Jeta emocionale e gjermanit, dashuritë dhe urrejtjet e tij, pritet që, kur është e nevojshme, të kthehen përmbys brenda natës. Nuk kam nevojë të vë në dukje efektin e tyre te letërsia. Sepse të shkruarit është, para së gjithash, një çështje ndjenjash, e cila s’mund të kontrollohet gjithmonë nga jashtë. Është e lehtë t’i bësh lajka ortodoksisë së momentit, por të shkruarit ndodh kur vetëm kur njeriu ndien të vërtetën e asaj që thotë; pa këtë, shtysa krijuese mungon. Të gjitha provat që kemi sugjerojnë se ndryshimet e papritura emocionale që totalitarizmi kërkojnë nga ndjekësit e tij të jenë psikologjikisht të pamundura. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse unë sugjeroj që nëse totalitarizmi ngadhënjen në të gjithë botën, letërsia, siç e kemi njohur deri më tani, merr fund. Dhe, në fakt, totali­tarizmi duket se ka pasur këtë efekt deri tani. Në Itali letërsia ka qenë e gjymtuar dhe në Gjermani duket se pothuajse ka reshtur së ekzistuari. Aktiviteti më tipik i nazistëve është djegia e librave. Edhe në Rusi nuk ka ndodhur rilindja letrare që prisnim dikur, dhe shkrimtarët më premtues rusë shfaqin një prirje të theksuar për të kryer vetëvrasje ose zhduken në burgje.

E thashë më herët se kapitalizmi liberal është padyshim drejt fundit, dhe për këtë arsye mund të jetë dukur sikur po sugjeroja se liria e mendimit është gjithashtu e dënuar të zhduket në mënyrë të pashmangshme. Por unë nuk besoj se është kështu dhe thjesht do të them se, si përfundim, besoj se shpresa e mbijetesës së letërsisë është në ato vende ku liberalizmi ka rrënjët më të thella, në vendet jomilitariste, në Evropën Perëndimore dhe Amerikë, në Indi dhe Kinë. Unë besoj, dhe kjo mund të jetë thjesht një shpresë e imja e zjarrtë, që megjithëse do të ndodhë kolektivizimi i ekonomisë, ato vende do të dinë të zhvillojnë një formë të socializmit e cila nuk është totalitare, ku liria e mendimit mund të mbijetojë pas zhdukjes së ekonomisë vetjake. Kjo, gjithsesi, është e vetmja shpresë  për këdo që shqetësohet për letërsinë. Kushdo që ndien vlerën e letërsisë, kushdo që sheh rolin qendror që luan ajo në zhvilli­min e historisë njerëzore, duhet të shohë edhe domosdo­shmërinë për jetë a vdekje të rezistencës ndaj totalitarizmit, pavarësisht nëse na imponohet nga jashtë apo nga brenda.

 

Listener, 1941

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela.

Marrë nga numri 26 i revistës për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie, “Akademia”.

© Të drejtat e botimit, “Armagedoni”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahman…