TË MIRAT E HËNËS

07 shtator 2026 | 08:56

CHARLES BAUDELAIRE

Për zonjushën B[1]

Hëna, personifikimi i tekës, të pa nga dritarja kur ti po flije në djep dhe tha me vete: “Kjo vogëlushe më pëlqen”.

Zbriti ngadalë shkallët prej reje dhe kaloi pa zhurmë përmes xhamave të dritares. Pastaj u shtri mbi ty me butësinë e zhdërvjellët të një nëne dhe vendosi ngjyrat e saj mbi faqet e tua. Sytë e tu mbetën të gjelbër dhe faqet e tua tmerrësisht të zbehta. Duke soditur këtë vizitore, bebet e syve t’u zmadhuan në mënyrë aq të çuditshme. Ajo të shtrëngoi aq butësisht në grykë saqë ty të vjen gjithmonë për të qarë.

Por, duke lënë gëzimin e saj të shpërthente, Hëna e mbushi gjithë dhomën me dritë si një atmosferë fosforike, si një peshk i shndritshëm, dhe e gjithë kjo dritë e gjallë mendonte dhe thoshte: “Ti do të jesh përjetësisht nën ndikimin e të puthurës time. Ti do të jesh e bukur sipas shijes sime. Ti do të duash ata që dua unë dhe ata që më duan: ujin, retë, qetësinë e natës, detin e pafund dhe të kaltër, ujin paformë dhe shumëformësh, vendin ku s’ke qenë, të dashurin që s’e ke njohur, lulet e përbind­shme, parfumet që të lenë pa mend, macet që shtriqen mbi piano dhe që rënkojnë si gratë me një zë të ngjirur dhe të butë!

Të dashurit mi do të të dashurojnë, kurtizanët e mi do të të vijnë rrotull. Ti do të jesh mbretëresha e djemve sygjelbër, e atyre që iu mblodh një lëmsh në grykë gjatë përkëdheljeve të natës, të atyre që duan detin, detin e pafund dhe të zhurmshëm, ujin pa formë dhe shumëformësh, vendin ku s’kanë qenë, femrën që s’e kanë njohur, lulet e kobshme që ngjajnë me kemtaret e një feje të panjohur, parfumet që turbullojnë vull­netin dhe kafshët e egra epshndjellëse, që janë simbol i çmendu­risë së tyre”.

Prandaj jam shtrirë tani te këmbët e tua, vogëlushja ime e llastuar, për të kërkuar në personalitetin tënd gjurmët e Hyjne­shës së frikshme, të ndrikullës fatzbuluese, të mëndeshës hel­muese të të gjithë të përhënurve.

Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”

[1] Bëhet fjalë për Bertën, të dashurën e fundit të Bodëlerit. Sipas kriti­këve, Berta është, gjithashtu, personazhi kryesor i poemave “Sytë e të varfërve” dhe “Supa dhe retë” .

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Moisiu   Dielli po zgjaste tendave mbi kulme Ato rreze…