Poezi nga Alphonse de Lamartine

07 shtator 2026 | 08:53

Liqeni

 

Kështu, duke lundruar gjithmonë zall më zall,

Në natën e përjetshme të kredhur pa këthim,

Në oqean të kohës s’do hedhim kurrë vallë

Çengelin për pushim?

 

Liqen! Oh, plot një vit u mbush, ja, këto ditë

Dhe, pranë kësaj vale, ku desh sërish të vijë,

Vështro, te guri  erdha të ulem zemërmpitë

Ku ti e pe të rrijë!

 

Kështu ti oshëtije nën shkëmbinjtë e thellë,

Kështu përplasej ujët pas shkrepave në skaj;

Kështu të shtrihej vala me shkumëzë përcjellë

Deri te këmba e saj.

 

Një mbrëmje – a të kujtohet – vozitnim ne të qetë,

Së largu nuk dëgjohej në qiell dhe mbi valë

Veç zhurma e lopatës që ndihej aq e lehtë

Mbi valët palë – palë.

 

Papritmas zëri i saj e nisi melodinë

Që zalli i mahnitur dëgjonte me habi;

Dhe valët shushurinë të mbanin qetësinë

Se ajo thoshte tani:

 

“O kohë, mbaje vrapin! Ju çaste të bekuar

Mos rridhni tatëpjetë!

Na lini t’ju shijojmë me ëndje të pashuar

Se s’vini më në jetë!

 

Të mjerë ka kjo botë, ju lusin, ju kërkojnë,

Për ta rridhni si doni;

Rrëmbeni bashkë me jetën vuajtjet që i mundojnë,

Të lumturit harroni!

 

Më kot jam duke lutur ca çaste ngazëllimi,

Kohën asgjë s’e mban;

I lutem kësaj nate: “Më ngadalë!” Agimi

Ja terrin e shpërndan.

 

Pra, le të dashurojmë, dhe orën që na shket

Me nxit le ta shijojmë!

Njeriu nuk ka skele dhe koha shpejt e shpejt

Rrëshqet dhe ne kalojmë!”

 

O kohë ziliqare, si vallë ky çast gëzimi

Kur dashuria e thellë na deh me lumturinë

Larg nesh të fluturojë aq shpejt sadhe mjerimi

Që fund s’ka për njerinë?

 

Si vallë? S’do të mundim të ruajmë atë gjurmë?

Përjetë të ketë shkuar? Përjetë të jetë fshirë?

Kjo kohë që na e fali dhe që e fshin pa zhurmë

Ta tretë në fshehtësirë?

 

O kohëz e kaluar, përjetësi plot hije,

Ç’i bëni vallë ditët që i thëthini sa gjeni

Na thoni: a do na i  ktheni këto orë lumturie

Që neve na i rrëmbeni?

 

Liqen, ti pyll i dendur, ju shkrepa të nemitur,

Që koha ju kursen a përtërit rininë,

M’ia ruaj kësaj nate, natyrë e pavenitur,

Të paktën kujtimnë!

 

Le të mos shuhet kurrë, të mbetet krejt i gjallë,

Liqen, në qetësinë e stuhinë rrëmujë;

Në gjithë këto blerime, shkëmbinjve mu në ballë

Që varen përmbi ujë!

 

Të mbetet në puhinë që fryn duke u dredhur,

Në oshëtimn’ e zallit ku valën vala e shtrin,

Në yllin ballargjend që n’ujë ashtu i kredhur

Ty faqen ta shëndrin.

 

Dhe era kur të fryjë, pylli të pëshpërisë,

Të kundërmojnë lulet mbi tokën e bekuar,

Të thonë që të gjithë në emër të bukurisë:

“sa janë dashuruar!”

 

Përktheu: Vedat Kokona

 

Vjeshta

 

Ju përshëndes, o pyje, me pak blerim stolisun!

Ju gjethe verdhacuke të shtruara mbi bar!

Të dua, vjeshtë e bukur! Natyra e molisun

Për shpirtin e helmuar është bari shërimtar.

 

I kredhur në mendime shkoj shtegut të vetmuar;

Për her’ të fundit dua të shoh un sa më pran’,

Kët diell të venitur dhe dritëdobësuar

Të pyjeve terrinën që sot mezi e çan.

 

Po, këto ditë vjeshte, natyra e venitur,

Ashtu si e përzishme ka tjetër bukuri;

Është posi gazi i hidhur i buzës së nemitur

Të cilën fryma e vdekjes përjetë ka m’e ngri.

 

Kështu nga jeta gati kur jam të ik’ si hije,

Kur shpresat që më humbën me lot po i vajtoj,

Kthej kokën përsëri dhe me vështrim habie

Të mirat i sodis që s’munda t’i shijoj.

 

Tokë, diell, lugina, natyrë e hijeshuar,

Në buz’ të varrit tim ju detyroj një lot!

O ç’kundërmim i ëmbël! Drita sa e kulluar!

Për një që vdes ky diell sa i bukur është sot!

 

Kët kupë ku trazuar janë nektari e vreri

Tani do dëshiroja ta ktheja sa të mund;

Në kupë atje ku jetën e piva unë i mjeri

Ndofta një pikë mjalti më ka mbetur në fund.

 

Po, ndoshta mund të kisha shpresë tani që vuaj

Që jetën ta shijoja prapë paskëtaj;

Ndoshta një shpirt në turm’, për mua krejt i huaj,

Kuptonte shpirtin tim, më gjegjej pasandaj!

 

Puhisë kundërmimin ia fal lulja që bie;

Kështu jetës dhe diellit i thotë meshëndet;

Unë po vdes dhe shpirti si tingull melodie

Plot pikëllim po shkrihet ngadalë dhe humbet.

 

Përktheu: Vedat Kokona

 

Vetmi

 

Shpeshherë ndaj të ngrysur, ashtu i pikëlluar,

Në hijen e një lisi pushoj atje në mal;

Fushën që shtrihet poshtë un rri duke vështruar,

Me pamje të çuditshme që ndrrohet dalngadal.

 

Me vrull e oshëtimë vjen lumi valëshkumë,

Edhe, si gjarpëron, zhduket atje përtej;

Atje liqeni shtrihet i kredhur në gjumë,

Dhe ylli i mbrëmjes del e xixëllin në qiej.

 

Majat e maleve, me pyjet si kurorë,

E fundit rrezja e diellit ende po i stolis;

Dhe hëna magjiplotë, që ngrihet madhështore,

Skajet e horizontit ka nisur t’i shëndrisë.

 

Nga maja e kambanares gotike si shigjetë

Gjëmimi i kambanës në ajër oshëtin;

Mban këmbët udhëtari dhe në këtë or’ të qetë

Kjo melodi e shenjtë natyrën e përfshin.

 

Por shpirti im përpara këtyre bukurive

Ashtu si i topitur nuk ndien asnjë gëzim;

Tokën rri e sodis sikur të isha hije,

I vdekur jam dhe jeta për mua s’ka kuptim.

 

Vështrimin hedh përqark kodrinë më kodrinë,

Në perëndim nga lindja, nga jugu në veri,

Dhe sytë e mi të etur përfshijnë gjithësinë,

Por them: “Jo, lumturia gjëkund s’më pret tani!”

 

Ç’kuptim kanë për mua pallatet, kjo luginë,

Gjëra të kota krejt që nuk më joshin më?

Pyje, lumenj, shkëmbinj, ku gjetur kam vetminë,

Në shkretëtir’ ju ktheu ajo që s’është më!

 

Qoftë kur dielli lind, a nis të perëndojë,

Me një vështrim të mpitë e ndjek un n’udhëtim;

Qielli sikur të nxijë, sikur dhe të ndriçojë,

Ç’më hyn në punë dielli? Nuk kam më, jo, durim!

 

Edhe sikur me diellin të endesha në qiell

Kudo shkreti e terr do shihnin sytë e mi:

Asgjë nuk dëshiroj ng’ato që ndrijn’ në diell,

I gjithë rruzullimi për mua ësht shkreti.

 

Por ndoshta përtej cakut të pakufi të botës

Ku dielli i vërtetë të tjerë qiej ndriçon,

Këtë kufomën time sikur t’ia lija tokës

Do shihte syri im atë që dëshiron!

 

Atje të shpirtit t’etur do gjeja gurr’ e dëlirë,

Me shpresë e dashuri do dehesha atje,

Do gjeja idealin, e çdo shpirti dëshirë,

Atë që në kët’ botë se sita quash s’ke.

 

Sikur të qe e mundur me qerren e Agimit

Tek ideali im të shkoja fluturim!

Përse qëndroj edhe në tokën e mërgimit?

Mes tokës edhe meje s’ka asnjë përgjasim.

 

Nga dega gjeth’i fishkur, kur bie në lëndinë,

Era e mbrëmjes çohet, me vete e rrëmben;

Dhe un, si gjeth i fishkur, kam mbetur në vetminë,

Rrëmbemë si atë, veri që vërshëllen!

 

Përktheu: Vedat Kokona

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Pesë maji   për N. Buonapartin   Ai s’është…