LAND FILM LAB 2026 – Rogana, për herë të parë, bëhet shtëpi e filmit
Në një fshat me traditë të pasur kulturore, arsimore e shoqërore, ku ndër dekada janë organizuar qindra manifestime, promovime librash, koncerte, aktivitete muzikore e sportive, Rogana e Dardanës kësaj radhe shënoi një ngjarje krejtësisht të re në historinë e saj. Për herë të parë, filmi, skenari dhe krijuesit e kinematografisë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës u bënë pjesë e një rezidence artistike ndërkombëtare – LAND FILM LAB 2026.
Nga: Xhevdet Kallaba
Rogana, ky fshat i Anamoravës që në historinë e vet ka ditur t’i hapë dyert për arsimin, kulturën, artin dhe veprimtarinë kombëtare, këto ditë po jeton një përvojë të re. Nga 7 deri më 11 shtator 2026, për pesë ditë me radhë, Rogana, Kamenica dhe Krenidelli bëhen hapësira të filmit, të krijimtarisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet artistëve nga vende të ndryshme.
Edicioni inaugurues i LAND FILM LAB – Film Residency & Industry Networking, i themeluar dhe organizuar nga regjisori Durim Kryeziu, me prejardhje nga Rogana, ka sjellë së bashku regjisorë, skenaristë, producentë, mentorë dhe profesionistë të industrisë së filmit.
Fakti që nismëtari i kësaj ngjarjeje vjen pikërisht nga Rogana i jep edicionit të parë edhe një dimension të veçantë emocional. Një krijues i dalë nga ky fshat po kthehet në vendlindje jo vetëm për të prezantuar punën e tij, por për të krijuar një hapësirë ku artistë nga Kosova dhe vende të tjera mund të takohen, të shkëmbejnë përvoja dhe të zhvillojnë projektet e tyre filmike.

Nuk është pa domethënie as fakti që ceremonia inauguruese u zhvillua pikërisht në shtëpinë e familjes Kryeziu.
Shtëpia që ndër vite ka ruajtur kujtesën e një familjeje dhe të një kohe, e ku dikur janë mbledhur veprimtarë të çështjes kombëtare dhe njerëz që kontribuuan për lirinë e Kosovës, kësaj radhe i hapi dyert për një brez tjetër krijuesish – për njerëzit e artit dhe të filmit.

Në njëfarë mënyre, historia vazhdon në një trajtë tjetër: dikur në këto oda diskutohej për lirinë dhe të ardhmen e vendit, ndërsa sot flitet për skenarë, filma, ide, bashkëprodhime dhe mënyrat se si një histori e shkruar në letër mund të marrë jetë në ekran.

Nga 138 aplikime, pesë krijues në Roganë
Interesimi për edicionin e parë dëshmon se LAND FILM LAB që në nisje ka tejkaluar përmasën e një aktiviteti lokal.
Në adresë të organizatorëve kanë mbërritur 138 aplikime nga regjisorë dhe skenaristë nga vende të ndryshme të botës, prej të cilëve janë përzgjedhur pesë pjesëmarrës:
Hussen Ibraheem nga Gjermania, Odeta Cunaj nga Shqipëria, Marcos Mereles nga Britania e Madhe, Zin Atas nga Turqia dhe Elvira Kozhani nga Kosova.

Ata, gjatë pesë ditëve të LAND FILM LAB-it, do të punojnë në zhvillimin e projekteve filmike, duke kaluar nga ideja dhe sinopsisi drejt strukturimit të skenarit dhe hapave të parë që mund të çojnë deri te realizimi i filmit.

Në këtë proces ata do të kenë mbështetjen e mentorëve, regjisorëve Sahim Omar Kalifa dhe Andamion Murataj.
Në kuadër të programit “Meet the Filmmakers: Stories Behind the Films”, pjesë e edicionit janë edhe regjisori Besim Ugzmajli dhe regjisorja nga Maqedonia e Veriut Marija Apcevska, me prezantimin e filmave dhe bashkëbisedimin rreth krijimtarisë së tyre.

Kadri Rahimaj: Kamenica të jetë vend ku zhvillohen edhe idetë dhe talentet
Një nga mbështetësit kryesorë të projektit është Komuna e Kamenicës.
Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj, në fjalën e tij në ceremoninë inauguruese, e cilësoi LAND FILM LAB-in si diçka më shumë sesa një aktivitet kulturor.
Duke iu referuar traditës shqiptare të mikpritjes dhe faktit se ceremonia po zhvillohej në shtëpinë e familjes Kryeziu, Rahimaj tha se Durim Kryeziu kishte zgjedhur që shtëpinë e vet ta kthente në shtëpi të miqve dhe krijuesve.

Ai rikujtoi se fillimisht për LAND FILM LAB kishte dëgjuar vetëm si një ide dhe vizion të Durim Kryeziut – si dëshirë për krijimin e një hapësire ku njerëzit e filmit do të mund të mblidheshin, të bashkëpunonin, të shkëmbenin përvoja dhe, mbi të gjitha, të krijonin.
Tashmë, ajo ide është bërë realitet.
Sipas Rahimajt, Rogana, Kamenica dhe Krenidelli gjatë këtyre pesë ditëve nuk janë vetëm vende ku pjesëmarrësit do të qëndrojnë, por bëhen pjesë e vetë procesit krijues: hapësira ku zhvillohen diskutime, shkëmbehen ide dhe krijohen lidhje të reja profesionale.
Mesazhi i tij ishte i qartë: zhvillimi i një komune nuk matet vetëm me projektet infrastrukturore.
“Kultura duhet të jetë diçka që e krijojmë të gjithë së bashku”, ishte një nga porositë e fjalës së kryetarit, i cili theksoi synimin që Kamenica të jetë një vend ku zhvillohen jo vetëm projektet, por edhe idetë, talentet dhe krijimtaria.

Durim Kryeziu: Një ëndërr që nis nga vendlindja
Një emocion të veçantë mbrëmjes i dha fjala e themeluesit të LAND FILM LAB-it, regjisorit roganas Durim Kryeziu.
Për të, hapja e edicionit të parë në shtëpinë e familjes së tij, në fshatin ku ka rrënjët, kishte domethënie të veçantë personale.
Ai tregoi se prej kohësh kishte dëshiruar t’i mblidhte në Roganë miqtë dhe kolegët – regjisorë, skenaristë, producentë e profesionistë të filmit – për të diskutuar, zhvilluar ide, ndihmuar dhe përkrahur njëri-tjetrin.

Qëllimi, sipas Kryeziut, është krijimi i një hapësire të qetë dhe frymëzuese, ku artistët, me ndihmën e mentorëve profesionistë, mund t’i zhvillojnë konceptet e tyre, të shkruajnë skenarë dhe të krijojnë bashkëpunime që në të ardhmen mund të çojnë deri te realizimi i filmave.
Por ambicia shkon përtej edicionit të parë.

Kryeziu shpalosi vizionin që LAND FILM LAB të rritet nga viti në vit dhe që Rogana dhe Kamenica të bëhen vende ku projektet filmike jo vetëm zhvillohen, por ku krijohen bashkëpunime të qëndrueshme ndërmjet kineastëve.
Madje, ëndrra e tij shkon edhe një hap më tej: që një ditë këtu të krijohet një studio ku filmat e zhvilluar në kuadër të kësaj nisme të mund edhe të xhirohen.
Pas fjalës së tij, Durim Kryeziu e shpalli zyrtarisht të hapur edicionin inaugurues të LAND FILM LAB 2026.

Pas shpalljes zyrtare të hapjes së festivalit, mbrëmja vazhdoi në një atmosferë të këndshme me koktejin e organizuar për të pranishmit. Atmosferën e pasuroi këngëtarja Diana Toska, e cila me këngë të përzgjedhura nga repertori i saj argëtoi pjesëmarrësit dhe mysafirët e edicionit inaugurues të LAND FILM LAB-it.
Nga Lisi i Cukelit te Lugu i Verdhë dhe Krenidelli
Veçantia e këtij edicioni qëndron edhe në përzgjedhjen e hapësirave ku zhvillohet programi.
LAND FILM LAB nuk është mbyllur brenda një salle konvencionale. Ai është vendosur në natyrë, në shtëpi, në vende të kujtesës dhe në peizazhin e Kamenicës.
Pas hapjes në Roganë, programi vazhdon te Lisi i Cukelit, një vend që për banorët e kësaj ane bart një kujtesë të veçantë historike, pasi lidhet me tubimet e dikurshme të pajtimit të gjaqeve.
Kështu, një hapësirë që dikur mblidhte njerëzit për pajtim e bashkim, kësaj here i mbledh ata rreth artit dhe filmit.
Programi vazhdon edhe në Lugun e Verdhë në Kamenicë, ku zhvillohen projeksione dhe bashkëbisedime me autorët, ndërsa pjesa përmbyllëse mbahet në Krenidell, në kompleksin Vilat n’Katun.

Aty zhvillohet prezantimi final – Pitch Final – para mentorëve, jurisë dhe përfaqësuesve të industrisë së filmit, ndahen certifikatat dhe çmimet, ndërsa edicioni përmbyllet me darkë tradicionale dhe takime profesionale.

Në këtë mënyrë, vetë territori shndërrohet në pjesë të festivalit: Rogana, Lisi i Cukelit, Kamenica dhe Krenidelli krijojnë një hartë të vogël kulturore, ku tradita, natyra dhe kinematografia takohen me njëra-tjetrën.
Çmime që mund t’i hapin rrugë realizimit të filmave
LAND FILM LAB nuk synon vetëm shkëmbimin e përvojave, por edhe krijimin e mundësive konkrete për realizimin e projekteve.
Në edicionin inaugurues ndahen dy çmime kryesore.

Çmimi për skenarin më të mirë, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ka vlerën 1.500 euro, ndërsa Co-Production Award arrin vlerën e përgjithshme prej 20.000 eurosh në shërbime profesionale për realizimin e filmit.
Në jurinë e këtij edicioni janë Mirjeta Baraliu, udhëheqëse e Departamentit të Filmit dhe Serialeve në RTK dhe ligjëruese, regjisori Esat Fejza dhe producenti Bardhyl Bejtullahu.
Realizimi i edicionit është mundësuar me mbështetjen e Komunës së Kamenicës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, si dhe të partnerëve nga sektori privat: Kompleksi Vilat n’Katun, Swiss Invest, Restaurant ODA, Gurish dhe As Term.
Një faqe e re në historinë kulturore të Roganës.

Rogana nuk është një vend pa traditë kulturore. Përkundrazi.
Në këtë fshat ndër vite janë mbajtur me qindra aktivitete – promovime librash, manifestime letrare e muzikore, koncerte, aktivitete sportive, përkujtimore dhe tubime të karaktereve të ndryshme. Nëpërmjet shkollës, mërgatës, shoqatave, krijuesve dhe veprimtarëve të saj, Rogana ka ndërtuar një jetë kulturore shumë më të pasur sesa mund të pritet nga përmasat e një fshati. Prej vitesh, Rogana ka edhe platformën e vet Inforogana, të drejtuar nga autori i këtij shkrimi, e cila është bërë një kroniste besnike e jetës, ngjarjeve dhe njerëzve të Roganës me rrethinë.

Por filmi deri më tash kishte munguar në këtë formë.
Prandaj, 7 shtatori 2026, dita kur nisi edicioni i parë i LAND FILM LAB-it, shënon një faqe të re në kronikën kulturore të Roganës.
Për herë të parë këtu nuk erdhën njerëzit vetëm për të parë një vepër artistike të përfunduar. Erdhën edhe për ta krijuar atë.

Diku në një dhomë të qetë të Roganës mund të shkruhet një skenë. Në një bisedë nën hijen e Lisit të Cukelit mund të lindë një ide. Në Lugun e Verdhë një autor mund ta shohë filmin e vet përmes syve të publikut, ndërsa në Krenidell një projekt mund të gjejë bashkëpunëtorët që do ta çojnë drejt ekranit.

Dhe pikërisht këtu qëndron vlera më e madhe e LAND FILM LAB-it.
Ai e zhvendos krijimtarinë filmike nga qendrat e zakonshme urbane drejt një hapësire rurale dhe dëshmon se arti nuk njeh periferi kur ekzistojnë ideja, talenti dhe vullneti për të krijuar.
Për Roganën ka edhe një simbolikë tjetër të bukur: një regjisor që vjen nga ky fshat po i kthehet vendlindjes me një projekt që sjell në të artistë dhe krijues nga vende të ndryshme. Në këtë mënyrë, lidhja me vendlindjen nuk mbetet vetëm kujtim apo përkatësi, por shndërrohet në krijim dhe investim kulturor.
Nëse ky vizion vazhdon dhe rritet nga viti në vit, LAND FILM LAB mund të bëhet jo vetëm një ngjarje e rëndësishme për Roganën dhe Kamenicën, por edhe një pikë takimi në hartën kulturore e kinematografike të Kosovës.

Atëherë, ajo që nisi më 7 shtator 2026, në oborrin e një shtëpie roganase, do të mund të kujtohet pas shumë vitesh si fillimi i një tradite të re.
Një tradite ku Rogana nuk është vetëm vendi ku tregohen historitë e së kaluarës, por edhe vendi ku shkruhen historitë që nesër mund t’i shohim në ekran.
marr nga: 




