Në Pejë promovohet libri “Atdheu përtej oqeanit” i shqiptaro-amerikanit Shaban Gashi
Në Pejë është promovuar sot libri “Atdheu përtej oqeanit”, i autorit shqiptaro-amerikanit Shaban Gashi, i cili sjell rrëfimin e jetës së tij, nga fëmijëria në Pejë, përballja me pushtetin serb dhe mërgimi, deri te angazhimi për Kosovën dhe çështjen kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Libri pasqyron një jetë të ndërtuar mes Kosovës dhe Amerikës, të karakterizuar nga sakrifica, puna, malli për vendlindjen dhe përkushtimi ndaj familjes, kombit dhe atdheut, raporton “Epoka e re”.
Përveç kujtimeve personale, libri përmban fotografi, dokumente dhe dëshmi që pasqyrojnë veprimtarinë e autorit dhe kontributin e mërgatës shqiptare.

Libri synon të shërbejë jo vetëm si kujtesë personale, por edhe si dëshmi për historinë e shqiptarëve në diasporë dhe angazhimin e tyre për Kosovën.
Në promovim morën pjesë miq të autorit, poetë e shkrimtarë nga Kosova dhe Shqipëria, përfaqësues të Komunës së Pejës, drejtoresha e Kulturës, Xhenet Syka-Kelmendi, si dhe familjarë të autorit.
Redaktori i librit, Mal Qorraj, tha se në këtë vepër është përfshirë veprimtaria shumëvjeçare e Shaban Gashit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e Kosovës, por edhe një pjesë e jetës së tij në Pejë.
“Ajo që e bën këtë histori të veçantë është se jeta e tij në Amerikë nuk u kufizua vetëm në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen. Ajo u shndërrua edhe në një mision për Kosovën. Protestat, lobimi, kontaktet me personalitete politike amerikane, angazhimi në organizime të ndryshme dhe themelimi i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve janë pjesë e veprimtarisë së tij. Të gjitha këto përvoja, të shoqëruara me fotografi, dokumente dhe dëshmi, i japin librit vlerën e një kujtese personale, por edhe të një dokumenti për historinë e mërgatës shqiptare”, tha Qorraj.

Ai shtoi se gjatë përgatitjes së këtij libri kishte kuptuar edhe më shumë rëndësinë e punës së shqiptarëve që, larg vendlindjes, kontribuuan për Kosovën.
“Shumë prej tyre nuk kërkuan lavdi apo shpërblim. Ata vepruan sepse besonin në lirinë dhe të ardhmen e vendit të tyre. Shaban Gashi ishte njëri prej tyre”, u shpreh Qorraj.
Drejtoresha e Kulturës në Pejë, Xhenet Syka-Kelmendi, vlerësoi veprimtarinë e shqiptaro-amerikanit Shaban Gashi, duke theksuar rëndësinë e botimeve të tilla për ruajtjen e kujtesës dhe dokumentimin e punës së atyre që kontribuuan në forcimin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo tha se libra të tillë ndihmojnë që angazhimi dhe kontributi i shqiptarëve në mërgim të mos harrohen, por të përcillen edhe te brezat e rinj.
Fjalë rasti mbajtën edhe shkrimtari dhe poeti Agim Desku dhe kryetarja e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Shkodër, dr. Xhevahire Gjelaj.
Ata vlerësuan personalitetin e Shaban Gashit, kontributin e tij në diasporë dhe angazhimin në shërbim të shqiptarëve në përgjithësi.
Sipas tyre, Gashi përfaqëson një figurë të veçantë të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij kombëtare.
Autori Shaban Gashi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në promovimin e librit, duke theksuar se në këtë libër ka përfshirë rrugëtimin e tij jetësor dhe aktivitetet e shumta në shërbim të Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare.

Ai foli për angazhimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë takimet me ish-presidentë amerikanë, veçanërisht me ish-presidentin Bill Clinton, si dhe me senatorë amerikanë.
Këto takime, sipas tij, ishin pjesë e përpjekjeve për të mbështetur Kosovën dhe për ta bërë zërin e saj të dëgjohej në arenën ndërkombëtare.

Libri “Atdheu përtej oqeanit” pritet të promovohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



