Republika e krizës së përhershme

03 qershor 2026 | 13:59

Shkruan: Dardan Sejdiu

Ka vende që zhbëhen me grusht shteti. Ka vende që zhbëhen me luftë. Ka vende që zhbëhen nga borxhi, nga pushtimi, nga një katastrofë që hyn në histori me datë, orë dhe fotografi.

Kosova rrezikon të zhbëhet ndryshe.

Kosova është vend politikisht hiperaktiv, kështu së paku duket në sipërfaqe. Televizionet plot debate. Portalet plot “politikë”. Zgjedhje, sondazhe, akuza, reagime, kundërreagime, statuse, video, brohoritje.

Një vend tepër i vogël me zhurmë shumë të madhe. Një vend ku politika nuk ndalet kurrë së foluri.

Por pikërisht këtu fillon mashtrimi i madh. Sepse zhurma nuk është jetë institucionale. Aktiviteti online nuk është qeverisje. Lëvizja nuk është drejtim. Dhe Kosova mund të prodhojë shumë debat, por po prodhon shumë pak zgjidhje për jetën e qytetarëve.

Në Kosovë, kriza nuk është aksident. Është bërë sistem. Është bërë metodë qeverisjeje. Është bërë mënyra se si ky pushtet tash e 6 vite e mban shoqërinë të ngarkuar, të nervozuar, të lodhur, të ndarë dhe, në fund, me shpresë të dorëzuar.

Një krizë e vërtetë kërkon zgjidhje. Një krizë e përhershme kërkon vetëm menaxhim emocional. Këtu qëndron dallimi mes shtetit dhe spektaklit.

Pushteti populist e kupton këtë më mirë se kushdo tjetër. Ai nuk ka nevojë ta zgjidhë krizën, sepse kriza është skena e tij. Kur nuk ka krizë, kur është qetë, qytetari pyet për punë, paga, spitale, shkolla, energji, rrymë, drejtësi, çerdhe, transport publik, prodhim, eksport, pensione. Në krizë, qytetari pyet kush është fajtori.

Dhe sa herë pyetja zhvendoset nga “çka po bëni?” te “kush e ka fajin?”, pushteti fiton kohë.

Kjo është arsyeja pse qeveria populiste e do krizën. Jo sepse janë të mençur sa ta planifikojnë çdo detaj e hollësi, por sepse instinktivisht e dinë se kriza i liron nga barra e matjes me qeverisje.

Në krizë, nuk kërkohet rezultat. Kërkohet qëndrim.

Nuk kërkohet plan. Kërkohet betim.

Nuk kërkohet kompetencë. Kërkohet besnikëri.

Në politikën normale, qeveria matet me qeverisje.

Në politikën populiste, qeveria matet me armiq.

Këtu hyn një dallim i vjetër, por thelbësor në mendimin politik. Weber e ndante etikën e bindjes nga etika e përgjegjësisë. Etika e bindjes thotë: unë jam i pastër, sepse qëllimi im është i drejtë. Etika e përgjegjësisë thotë: unë jam përgjegjës për pasojat e vendimeve të mia. Populizmi jeton në etikën e parë. Qeverisja serioze jeton në të dytën.

Në Kosovë, pushteti vazhdimisht kërkon të gjykohet sipas qëllimeve të shpallura, jo sipas pasojave të prodhuara. Pra, kqyr çka them, jo çka pasojat e asaj që i bëjë.

Ky pushte po kërkon të matet me moralin e vet të deklarum, jo me jetën e qytetarit. Kërkon të matet me fjalën “popull”, jo me faktin se sa njerëz kanë besim të ndërtojnë të ardhmen në Kosovë. Kërkon të matet me atë që thotë për veten, jo me atë që bënë në qeverisje.

Kjo është arsyeja pse qeverisja është matësi i vetëm që elitat populiste dhe ky pushtet nuk duan ta matin kurrë.

Këta matin duartrokitje. Matin sondazhe. Matin shikime në video. Matin armiq të mposhtur në studio. Matin “like”, shpërndarje, emocione, turma, komente, flamuj, beteja simbolike.

Por nuk matin seriozisht kohën që i duhet një qytetari për të marrë shërbim në spital. Nuk matin pse një nënë nuk kthehet në punë sepse nuk ka çerdhe. Nuk matin pse një biznes nuk zgjeron prodhimin. Nuk matin pse një i ri e sheh aeroportin si institucionin më efikas të Republikës. Nuk matin pse një familje me dy paga ende ndjehet e pasigurt. Nuk matin hajninë në sahata të rrymës! Nuk matin inflacionin! Nuk matin dhunën në shoqëri! Nuk matin pse shteti duket i fortë në konferenca, por i pafuqishëm në realitet.

Sepse në momentin që fillon matja e qeverisjes, mbaron magjia e populizmit.

Populizmi ka nevojë për abstraksion. Qeverisja kërkon konkretësi. Populizmi flet për popullin si trup të vetëm. Qeverisja takon qytetarin si njeri konkret, me problem konkret, në vend konkret, në orë konkrete.

Populizmi ndërton “ne” kundër “atyre”. Qeverisja ndërton sisteme ku edhe ata që nuk votojnë për ty marrin shërbim dinjitoz.

Kjo është arsyeja pse politika e përhershme e konfliktit është aq e rrezikshme. Ajo nuk e shkatërron demokracinë menjëherë. Fillimisht e varfëron imagjinatën demokratike. Qytetari fillon të besojë se politika është vetëm luftë për pushtet, jo garë për zgjidhje. Pastaj lodhet. Pastaj tërhiqet. Pastaj dorëzohet. Dhe në fund, pushteti e quan këtë dorëzim “stabilitet”.

Kjo është pika më e errët e krizës së përhershme: kjo krizë nuk synon ta mobilizojë qytetarin. Përkundrazi, synon me rraskapitë qytetarin. Me shti me u dorëzu. Pastaj me u nënshtru!

Ciklet e vazhdueshme zgjedhore janë pjesë e këtij mekanizmi. Një demokraci ka nevojë për zgjedhje. Por kur vendi hyn në gjendje fushate të pandërprerë, zgjedhjet pushojnë së qenë moment llogaridhënieje dhe bëhen mjegull politike.

Çdo vendim bëhet elektoral. Çdo reformë shtyhet. Çdo buxhet lexohet si spot televiziv. Çdo krizë përdoret si provë besnikërie. Çdo institucion shndërrohet në dekor të betejës së radhës.

Qytetari nuk jeton më mes dy zgjedhjeve. Ai jeton brenda një fushate që nuk mbaron kurrë.

Në fillim, kjo krijon ngazëllim. Pastaj krijon lodhje. Pastaj krijon cinizëm. Pastaj krijon apati. Dhe apatia është dhurata më e madhe që qytetari mund t’i bëjë një elite populliste që dëshiron të sundojë pa u mat në qeverisje.

Qytetari aktiv kërkon shpjegim. Qytetari i lodhur kërkon paqe. Qytetari aktiv pyet për rezultat. Qytetari i lodhur thotë “krejt njësoj janë”.

Qytetari aktiv kërkon ndryshim. Qytetari i lodhur kërkon veq mos me lodh më.

E ky është momenti kur pushteti fiton. Sepse nuk ka më nevojë ta bindë shumicën. I mjafton me lodhë qytetarin.

Kjo është politika e dorëzimit të menaxhuar.

Kjo politikë nuk i thotë qytetarit “mos mendo”. I thotë: “mendo sa të duash, por asgjë nuk ndryshon.”

Nuk i thotë “mos voto”. I thotë: “voto prapë, por në një atmosferë ku gjithçka duket urgjente dhe asgjë nuk duket e rëndësishme.” Nuk i thotë “mos kërko llogari”. I thotë: “kërko llogari, por vetëm pasi ta kemi gjetur tradhtarin e radhës.”

Kjo është arsyeja pse kriza e përhershme është formë pushteti. Ajo e zëvendëson qeverisjen me dramaturgji. E zëvendëson përgjegjësinë me mobilizim. E zëvendëson shtetin me skenë.

Dhe kur shteti bëhet skenë, qytetari bëhet tifoz.

Këtu duhet të jemi të drejtë: kjo nuk është vetëm histori e një partie apo një qeverie. Kosova ka pasur mjaft dështime, arroganca, korrupsion, kapje, paaftësi dhe improvizim para kësaj elite. Nuk kemi ardhur në këtë pikë nga qielli. Por ka një dallim të madh mes gabimeve të mëhershme dhe rafinimit të sotëm të krizës si instrument politik. Dështimet e së kaluarës nuk mund të përdoren si amnisti për dështimet e së tashmes. Një plagë e vjetër nuk e shëron një mashtrim të ri.

Rreziku sot nuk është vetëm se pushteti dështon të qeverisë mirë. Rreziku është se po e ul standardin e asaj që shoqëria pret nga qeverisja.

Kur kjo ndodh për disa vite, dëmi bëhet kulturor. Qytetari mësohet me pak. Mësohet me rrugë të këqija, me shërbime të dobëta, me arsim pa ambicie, me shëndetësi ku dinjiteti varet nga lidhjet, me ekonomi ku suksesi privat ndodh pavarësisht shtetit, jo falë tij. Mësohet me idenë se politika nuk ndërton, vetëm premton. Mësohet me idenë se normaliteti është luks. Mësohet me idenë se e ardhmja është diku tjetër.

Dhe kur një shoqëri mësohet se e ardhmja është diku tjetër, atëherë shteti ka humbur betejën më të rëndësishme pa e shpallur kurrë.

Kjo është ajo që na pret nëse vazhdojmë në të njëjtën rrugë: zbrazje, rënie e qetë, një vend që funksionon gjithnjë e më shumë si dhomë e pritjes. Për punë jashtë. Për remitancë. Për zgjedhje të reja. Për krizën e radhës. Për një jetë që fillon më vonë, diku tjetër.

Në këtë skenar, Kosova mund ti ketë kafet e mbushura, ndërtesa të reja, telefona të shtrenjtë, dasma të mëdha, aeroporte plot, remitenca dhe politikanë që ende flasin për fitore historike.

Por, në fund Kosova do të bëhet një vend ku familjet jetojnë mes këtu dhe jashtë. Një vend ku pleqëria mbetet në Kosovë, rinia në Evropë, dhe politika në televizion.

Ky nuk është zhvillim. Kjo nuk është qeverisje!

Kjo është administrim i zbrazjes!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) është nderuar me mirënjohjen më…