BQK-ja dhe Thesari i ShBA-së thellojnë bashkëpunimin për AML/CFT
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur një Mision të Asistencës Teknike në kuadër të projektit të ri të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Departamentit të Thesarit të ShBA-së, të udhëhequr nga ekspertët Joseph W. Burke dhe Norman Smith.
Misioni u fokusua në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës mbikëqyrëse të BQK-së në fushën e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit (AML/CFT), duke u mbështetur në bashkëpunimin e vazhdueshëm me Thesarin e SHBA-së dhe takimet e nivelit të lartë të mbajtura në Washington DC, gjatë Takimeve Pranverore në prill 2026, si dhe kërkesën e BQK-së të dorëzuar në dhjetor 2024.
Guvernatori Ismaili paraqiti një pasqyrë të mandatit, detyrave dhe përgjegjësive të BQK-së, me theks të veçantë në rolin e saj në ruajtjen e integritetit të sistemit financiar, forcimin e mbikëqyrjes AML/CFT dhe luftimin e falsifikimit të monedhës. Ai theksoi reformat kryesore të ndërmarra nga BQK-ja për të rritur integritetin financiar, qëndrueshmërinë institucionale dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili nënvizoi gjithashtu progresin e arritur në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, përfshirë zbatimin e vazhdueshëm të mbikëqyrjes të bazuar në rrezik, hartimin e rregulloreve për kripto-asetet dhe licencimin e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve, si dhe forcimin e mekanizmave të shqyrtimit të investimeve për institucionet e reja që hyjnë në tregun e Kosovës. Diskutimet përfshinë gjithashtu përmirësimin e mëtejshëm të praktikave të mbikëqyrjes së institucioneve financiare dhe procedurave të përshtatshmërisë dhe integritetit (fit-and-proper).
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua në projektin e ri që do të zbatohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Projekti synon forcimin e kornizës së integritetit financiar të Kosovës përmes mbështetjes këshilluese nga ekspertë në fushën e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Luftimit të Financimit të Terrorizmit dhe Financimit të Përhapjes (AML/CFT/CPF).
Kjo nismë është e dizajnuar për të rritur koordinimin ndërinstitucional, për të forcuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe për të përmirësuar efektivitetin e përgjithshëm të kornizës së Kosovës për parandalimin dhe adresimin e rreziqeve të krimit financiar.
Me këtë rast, guvernatori Ismaili nënshkroi Termat e Referencës për projektin, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e kornizës kombëtare AML/CFT/CPF, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe kontributin në mbrojtjen e sistemit financiar të Kosovës.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje të thellë ndaj Departamentit të Thesarit të ShBA-së për mbështetjen e vazhdueshme, asistencën teknike dhe bashkëpunimin institucional.
Ai vlerësoi lart rolin e Thesarit të ShBA-së në forcimin e funksioneve thelbësore të BQK-së, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e ruajtjes së integritetit financiar në Republikën e Kosovës.



