Specialja s’preferon t’i dëgjojë vërejtjet, ekspertët e mbrojnë në Hagë raportin e tyre që gjeti shkelje në gjykim

11 qershor 2026 | 21:32

Shpend Limoni, Hagë

Askush në Hagë, në qendrën “Humanity Hub” nuk e di saktë kur Trupi Gjykues në çështjen Hashim Thaçi dhe të tjerët do ta thotë fjalën përfundimtare për rastin. Më 5 maj Specialja njoftoi se për shkak të volumit të lëndës do t’i marrë edhe 60 ditë kohë shtesë për verdiktin duke theksuar se publiku do të njoftohet sapo trupi gjykues të caktojë një datë specifike. Rreth verdiktit, privatisht në biseda konstatohet “le të presim e të shohim”.

Ndonëse në sfond kjo është çështja kryesore, në Hagë, nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës u diskutua për një temë jo më pak të rëndësishme. Studiues, ekspertë, këshilltarë ligjorë, diplomatë, si dhe kandidatë për gjyqtarë të ardhshëm të Gjykatës Penale Ndërkombëtare kanë folur rreth trajtimit që Specialja po i bën katërshes së UÇK’së gjatë procesit gjyqësor, por edhe për rastet tjera.

Për të folur për gjetjet, aty, të enjtën kanë zbarkuar dy autorët e raportit Gus Waschefort dhe Lauren Lederle nga Bar Human Rights Committee i Anglisë dhe Uellsit. Raporti i tyre i publikuar në fund të muajit prill pasi ishte kërkuar nga Institucioni I Avokatit të Popullit të Kosovës kishte nxitur reagime. Ata kishin konstatuar se disa aspekte të funksionimit të përditshëm të Gjykatës janë shqetësuese.

Raporti ka nënvizuar shqetësime që lidhen me paraburgimin e zgjatur dhe kufizimet për lirimin e përkohshëm, Bar Human Rights Committee i Anglisë dhe Uellsit kanë vënë në pikëpyetje çështjen e pavarësisë dhe llogaridhënien gjyqësore si dhe mekanizmat e kufizuar për të kundërshtuar disa emërime gjyqësore dhe vendime administrative si dhe varësinë e gjykatës nga financimi ndërkombëtar dhe personeli ndërkombëtar.

Poashtu janë konstatuar probleme të transparencës në lidhje me provat ”veçanërisht materialet e siguruara nga burime të jashtme, përfshirë Serbinë. Raporti theksoi nevojën për një shqyrtim më të thelluar gjyqësor të këtyre materialeve. Një problem tjetër i konstatuar është edhe pabarazia ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes. Për të gjitha këto çështje të evidentuara në raport Waschefort dhe Lederle janë ballafaqur me audiencën e ftuar ku ishin edhe pjesëmarrës nga ambasadat e SHBA’së, Francës, Irlandës, Luksemburgut etj., por edhe pjesëmarrës të shumtë që kanë shtruar pyetje.

Gazeta Express e ka ndjekur ngjarjen në Hagë, ku nga bashkëbisedues të ndryshëm ka kuptuar se BE’ja nuk e ka mirëpritur një organizim të tillë.

Në fjalën e tij hapëse, Dren Doli, Ambasadori i Kosovës në Holandë ka thënë se “me kënaqësi ka pranuar ta lehtësiojë diskutimin për raportin duke theksuar se nuk do t’i shërbente drejtësisë që të heshtet apo dekurajohet shkëmbimi i opinioneve”. “Analizat kritike dhe vlerësimet e pavarura nuk janë kërcënim për drejtësinë, përkundrazi janë komponentë thelbësore”, ka shtuar ai.

Doli ka thënë se Dhomat e Specializuara të Kosovës përfaqësojnë një kapitull tjetër në përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies.

“Trashëgimia që ato do të lënë pas do të jetë e rëndësishme jo vetëm për të kuptuar të kaluarën e Kosovës, por edhe për të formësuar të ardhmen e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe besimin e publikut në institucionet gjyqësore. Dhe personalisht mendoj se kjo duhet të shërbejë si motivim dhe udhërrëfyes për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në këtë frymë duhet të debatojmë sot këtu. Të zhvillojmë një diskutim të hapur, të informuar dhe konstruktiv mbi gjetjet e këtij raporti dhe implikimet e tyre më të gjera – jo vetëm për rezultatin e proceseve, por edhe për drejtësinë procedural”, ka thënë ai.

Këshilltarja ligjore nga Luksemburgu ka pyetur autorët rreth kohës së publikimit të raportit duke thënë “se pse është e rëndëishme që kjo të bëhet tani e jo pasi të përfundojnë procedurat”.

Ekspertja Lederle ka thënë se po të ndodhte kjo pas procesit gjyqësor do të ishte shumë vonë dhe se është me rëndësi që vlerësime të tilla të bëhen derisa zhvillohen proceset gjyqësore. Tutje ajo ka theksur se shtete kontribuese europiane duhet të luajnë rol më shumë sa i përket transparencës të Speciales.

Përfaqësuesja e Francës duke e potencuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara i ka falënderuar ekspertët për raportin, por sipas saj, raporti nuk i jep peshë çështjes së viktimave . Ajo tutje ka vazhduar duke thënë se nuk shohin që gjyqtarët janë të njëanshëm dhe “se kjo u duket problematike” në raport.

Por, Lederle duke iu përgjigjur ka thënë se edhe pse bëhet fjalë për gjyqtarë eminentë kjo nuk iu jep atyre imunitet nga kritikat. Ajo ka shtuar se raporti është një thirrje për të diskutim dhe debat.

“Qëllimi i këtij raporti nuk është që të marrim anë , qëllimi është që të hedhim dritë në çështjet që i kemi identifikuar”.

Lederle ka qenë më direkte në përgjigjen ndaj përfaqësuesit irlandez i cili duke iu referuar një takimi të vitit 2020 të ish-prokurorit Jack Smith dhe zyrtarëve tjerë të Dhoma të Specializuar me diplomatë në Hagë, ka thënë se praktika të tilla janë normale. Në raport thuhet se takimi i Smith me diplomatë në vitin 2020 nuk i është zbuluar mbrojtjes.

Sipas disa mediave, Smith aty ka thënë se krerët e UÇK’së do të dënohen me burgim të përjetshëm. Autorja duke iu përgjigjur përfaqësuesit irlandez ka thënë se “kur bën diçka të keqe dhe ju thua prindërve se edhe fëmijet tjerë e kanë bërë këtë kjo nuk duhet të kapërcejë” “Në të njëjtën mënyrë kur gjykatat ose tribunalet kanë bërë veprime që i cenojnë të drejtat e të akuzuarit kjo sduhet të jetë arsye për replikë por për të mësuar.

E kemi filluar raportimin tonë me rastin e Nurembergut që është që është një trashëgimi e gjykimeve të drejta, roli i prezumimit të pafaëjsisë i jep legjitimistet çdo gjykimi, një gjykim i padrejtë nuk iu shërben viktimave” ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka thënë se e kanë kontaktuar ombudspersonin e Speciales, por kur kurrë s’kanë marrë përgjgije. “Sigurisht se një interaksion i tillë do të ishte i mirëpritur”, ka theksuar ajo.

Përfaqësuesja e SHBA’së në takim është pyetur rreth “tajmingut” të raportit dhe burimet që janë përdorur. Lederle ka thënë se ka thënë se burim kanë qenë edhe avokatët në raste por përgjigjet e tyre nuk i kanë përdorur si opinione por se i kanë shkarkuar “transkriptet, vendimet, mocionet dhe parashtresat”. Përfaqësues të Speciales, Gjykatës dhe ZPS’sa ndonëse në kanë selinë në Hagë nuk janë paraqitur fare në ngjarje.

Për Avokatin e Popullit të Kosovës Naim Qelaj i cili ka folur për mediat e Kosovës që kanë mbuluar ngjarjen gjithçka është e qartë.

” Është refuzim me pranu kritikën” ka thënë ai. ” S’japin përgjigje për dilemat që janë ngritur. Ata kanë raportuar në mënyrë private për procesin. Kjo është ofendim për popullin e Kosovës e as sjellje në bazë të standardeve që i ka përcakruar Bashkimi Evropian”, ka thënë Qelaj.

Nevenka Tromp, ish-hetuese në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe profesoreshë në Amsterdam e cila komenton shpesh për çështjet e Gjykatës Speciale po ashtu ka qenë pjesë e audiencës. Ajo ka kritikuar ashpër Specialen duke thënë se s’ka bërë asgjë “për t’i fituar mendjet dhe zemrat e kosovarëve”, në aspektin e informimit. Fjalën e saj Tromp e ka përfunduar me tone të ashpra, “po i japim drejtësi elitave serbe”. /Gazeta Express

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari Sali Bislimi ka publikuar një rrëfim të një shqiptari…