Hasani: Presidenti duhet të zgjidhet para formimit të qeverisë
Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet fillimisht të trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit, veçanërisht tash kur posti i kreut të shtetit është vakant. Ai thekson se një renditje e tillë buron nga norma kushtetuese dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Hasani në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, sqaron se sapo të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ai fiton një mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues i detyrës së presidentit.
“Shikoni, tash t’iu them unë. Kjo që unë e them nuk është mendim i imi, por është normë. Është rregull kushtetues, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, paragrafi 162 e bën të qartë si loti, që çdoherë kur nuk ka president, që është vakant, ai domethënë zgjidhet i pari. Kur, siç është rasti konkret. Atëherë janë gjashtëdhjetë ditë e vazhdon…. Unë, gjykuar sipas përvojës, që zoti Kurti s’është marrë fare as me Kushtetutë, as me ligj, i ka shkelur në mënyrën më primitive të mundshme që do të mbahet mend në historinë politike të këtij vendi. Ai mund të insistojë dhe të vazhdojë(me qeveri) mandej (me president)… Në qoftë se bëhen marrëveshje, organet tjera zgjidhen aty. Për njëherë paradite presidenti, mbasdite qeveria. Mundet për një ditë”, thotë ai.
Sipas tij, edhe nëse zgjidhet sërish kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ajo ka mandat të ri gjashtëmujor si ushtruese e detyrës së presidentit.



